U mbajt nata e parë e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”

Mbrëmë në Malishevë, është mbajtur nata e parë e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, edicioni i tretë. Në këtë festival, i cili organizohet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe mbahet në kuadër të shënimit të Ditëve të Diasporës, po marrin pjesë rapsodë, shoqëri artistike dhe ansamble të këngëve dhe valleve nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.

Festivalin e shpalli të hapur i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili ju uroi suksese të gjithë pjesëmarrësve. “Ju i përfaqësoni ansamblet e juaja, ndërsa me pjesëmarrjen tuaj, e nderoni Malishevën. Ne krenohemi me rapsodët dhe këngëtarët tanë, si Sali e Feriz Krasniqi, Sefë Mleqani me bijtë e tij, Nexhmije Pagarusha, dhe shumë e shumë këngëtar e rapsodë, të cilët me këngët e tyre, e shkruan historinë e popullit shqiptar. Ne krenohemi edhe me luftën çlirimtare për liri. Ky ishte vend i luftës dhe i diplomacisë, ishte vendi prej ku u dëgjua zëri i parë i lirisë (Radio Kosova e lirë). Ky festival, do të jetë në traditën tonë dhe do të organizohet në kuadër të ditëve të diasporës, pasi diaspora për neve është jeta vet. Ju mërgimtarë dhatë gjithçka për ta mbajtur vendin”, tha kryetari Begaj në fjalën e tij. “Mërgimtarët shkuan në tërë botën për ta mbajtur gjallë popullin dhe përpjekjet tona për liri dhe sikur dallëndyshet që kthehen në folenë e tyre, edhe ju të dashur mërgimtarë, asnjëherë nuk e harruat vendin tuaj, por gjithmonë ktheheni këtu dhe vet prezenca juaj sot këtu, do të thotë shumë për ne”, tha Begaj.

Paraprakisht, të gjitha grupet, shoqëritë dhe ansamblet pjesëmarrëse, defiluan nëpër rrugët e qytetit, ndërsa festivalin e hapi SHKA “Sali e Feriz Krasniqi” nga Malisheva dhe më pas, me pikat e tyre u prezantuan pjesëmarrësit tjerë.

Sonte, duke filluar në ora 19:00, mbahet nata e dytë, dhe më pas, shpallen edhe më të mirët e festivalit. Gjatë mbrëmjes së sotme, pritet të shfaqet edhe një dokumentar për legjendat e folklorit shqiptar Sali Krasniqi e Feriz Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi mbajti mbledhjen e radhës me drejtorë të drejtorive

Kryetari Latifi mbajti mbledhjen e përjavshme me drejtorët e drejtorive, me të cilët bisedoi për …