U përurua fusha e re e futbollit në Ferizaj

Fusha e re e futbollit afër palestrës së sporteve në Ferizaj, e ndërtuar viteve të fundit nga fonde të Bashkimit Evropian, u përurua të martën në një ceremoni rasti, në të cilën morën pjesë përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, të MKRS dhe të Komunës së Ferizajt.

Fusha është ndërtuar sipas standardeve të Federatës ndërkombëtare dhe asaj evropiane të futbollit dhe e pajisur me objektin për zhveshtore, nyja sanitare etj.

Kreu i zyrës së BE-së për bashkëpunim në Kosovë, Kristof Shtok, tha me këtë rast se kjo është fusha e pestë që po ndërtohet në Kosovë nga fonde të BE-së, dhe shprehu besimin se investimet e tilla do të ndikojnë jo vetëm në cilësinë e kushteve të punës së sportistëve, por edhe në inkurajimin e tyre për t’u marrë më aktivisht me sporte.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, falënderoi Zyrën e BE-së për këtë investim dhe shtoi se ëndrrat e kosovarëve, e sidomos të ferizajasve të rinj për të ardhmen, janë ëndrra të një qytetari evropian, jo vetëm si gjeografi, por edhe si mendësi dhe kualitet. Por, ai porositi që të rinjtë e Ferizajt dhe të Kosovës ta ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Departamentit të sportit në MKRS Ibër Alaj, i cili shprehu besimin se ky investim dhe investimet e ngjashme, do t’i japin frytet e veta.

Nga zyrtarë të zyrës së BE-së u bë e ditur se në të ardhmen e afërt do të ndërtohen edhe tribunat rreth fushës, në mënyrë që ajo të shndërrohet në një stadium futbolli

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka pritur në takim përfaqësues të gjeneratës së III – 1973/1974 të Gjimnazit në Viti

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim përfaqësues të gjeneratës së …