U përurua Qendra e Mjekësisë Familjare në Kijevë

Sot, në fshatin Kijevë, u përurua objekti i ri i Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF). Ky objekt është ndërtuar në bashkëfinancim mes Qatar Charity dhe Komunës së Malishevës dhe është një objekt modern, i cili i plotëson të gjitha kushtet për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e Kijevës dhe fshatrave përreth.

Në ceremoninë e përurimit të QMF-së, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e falënderoi Qatar Charity-n dhe donatorët që kanë mundësuar ndërtimin e kësaj qendre moderne dhe shumë të nevojshme për banorët.

“Ky është një bashkëpunim mes dy popujve dhe, në emër të banorëve të Komunës së Malishevës, e falënderoj popullin e Katarit për këtë donacion dhe për të gjitha investimet e tjera, që arrijnë shumën mbi një milion euro, ku përfshihen përkrahja në shëndetësi, bujqësi, ndërtimi i shtëpive dhe hapja e puseve për shumë familje”, tha Kastrati.

Ndërsa, koordinatori i projekteve në Qatar Charity, Ahmed Al-Ahmadi, i falënderoi të gjithë donatorët që e kanë bërë të mundur ndërtimin e kësaj qendre shëndetësore.

Drejtori i Qatar Charity për Kosovë, Ahmed Al-Ashal, duke marrë fjalën, fillimisht e falënderoi zonjën Fawziya Al-Ishaq, e cila, pas vizitës së përbashkët në këtë qendër mjekësore, ishte angazhuar për gjetjen e donatorëve në Katar dhe për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e kësaj qendre. Ai tha se sot qendra është e ndërtuar dhe në shërbim të banorëve dhe se e gjithë kjo është meritë e saj.

Ai, po ashtu, falënderoi edhe Komunën e Malishevës për bashkëpunimin.

Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Malishevës, Amrush Helshani, e falënderoi Qatar Charity-n dhe popullin e Katarit për këtë projekt shumë të rëndësishëm dhe të nevojshëm për popullatën e kësaj ane.

Më pas, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i ndau mirënjohje drejtorit të Qatar Charity, Ahmed Al-Ashal, dhe koordinatores së donatorëve në këtë organizatë, Fawziya Al-Ishaq.

Ndërkaq, banorët e Kijevës e nderuan me mirënjohje koordinatorin e projekteve, Ahmed Al-Ahmadi. Ky i fundit, në emër të Qatar Charity, i dhuroi kryetarit Kastrati një mirënjohje me një simbol të shtetit të Katarit.

Në fund, u bë edhe prerja e shiritit, ndërsa u vizituan ambientet e brendshme të QMF-së, të cilat i prezantoi drejtori i QKMF-së në Malishevë, dr. Dardan Bytyçi.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku: Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ranë duke luftuar për tokën e tyre, për lirinë e popullit dhe për një Kosovë të lirë

Kryetari i komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku përmes një postimi në facebook ka përkujtuar …