Uk Lushi: Gjuha përçarëse mund ta çojë Kosovën drejt përplasjes civile

Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës politike që, sipas tij, po përdoret nga Lëvizja Vetëvendosje, duke paralajmëruar se akuzat dhe etiketimet pa prova mund ta shtyjnë vendin drejt një përçarjeje të rrezikshme. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lushi ka theksuar se partia në pushtet i ka institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në dorë, andaj sipas tij, çdo person që dyshohet për lidhje me Serbinë duhet të hetohet dhe të përballet me drejtësinë, e jo të anatemohet publikisht pa fakte. Ai ka kritikuar ashpër diskursin politik, duke kërkuar më shumë bashkëpunim dhe më pak përçarje mes shqiptarëve. “Nëse dikush është njeri i Serbisë dhe shteti nuk e arreston, atëherë përgjegjësia bie mbi pushtetin”, ka shkruar Lushi, duke shtuar se propaganda dhe akuzat publike vetëm sa e tensionojnë situatën në vend.
Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtaren e VV-së Dejona Mihali, duke thënë se “Kosova nuk duhet të shkojë drejt konfliktit të brendshëm për shkak të gjuhës politike dhe propagandës”. Lushi ka bërë thirrje që konkurrenca politike të mbetet demokratike dhe të shmanget çdo retorikë që, sipas tij, mund të prodhojë pasoja të rënda për vendin.

Kontrolloni gjithashtu

Emmanuel Macron mbërrin në Mal të Zi para Samitit BE–Ballkani Perëndimor, mesazh i fortë për integrimin evropian

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mbërritur në Mali i Zi në prag të Samitit …