Brickos

Urimi i kryetarit Svarqa për 8 Marsin

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, u ka bërë një urim nënave dhe grave në përgjithësi, për ditën e tyre 8 Marsin.

Të nderuara nëna, të nderuara zonja e zonjusha,

Sot jemi në një ditë të shënuar, kur i bëjmë një rishikim gjendjes së të drejtave të gruas dhe nevojave për fuqizimin e pjesëmarrjes së saj në të gjitha fushat e jetës. Me kënaqësi mund të konstatojmë jo vetëm që gjithnjë e më shumë femra janë të pranishme në jetën publike të Ferizajt e të Kosovës, por se tashmë është bindje e pranuar gjerësisht se fuqizimi i rolit të femrës është bërë jo veç nevojë, por domosdoshmëri.

Ndryshimi i kushteve të jetesës, përmirësimi i standardit jetësor dhe rritja e mirëqenies në përgjithësi, po përparojnë shkallë-shkallë, por ndryshimi i mendësisë për disa aspekte të jetës, rëndom është procesi më i vështirë. Megjithatë, në shoqërinë tonë më nuk ka dilema rreth pranisë së barabartë të femrës në të gjitha institucionet, entet dhe ndërmarrjet, në të gjitha vendet ku punohet e mësohet. Ky është ndryshim pozitiv, të cilin e kemi arritur jo pa vështirësi.

E megjithatë, kemi ende shumë punë për ta arritur ditën kur nënat, motrat dhe bijat tona do të ndihen plotësisht të barabarta si në shtëpi, ashtu edhe në punë, në shkollë e kudo tjetër. Ndër të tjera, kur ta kemi kuptuar dhe kur të jemi bindur se punët e shtëpisë dhe rritja e fëmijëve, nuk janë obligime ekskluzive vetëm të femrave, mund të themi se kemi bërë hapa të mëdhenj përpara në barazinë gjinore. Kur ta kuptojmë mirë se e drejta e trashëgimisë në familje, nuk u takon vetëm meshkujve, mund të konstatojmë se kemi bërë ndryshime nga mendësia tradicionale. Ka edhe shumë aspekte të jetës e të punës, ku mund të bëhen hapa të rëndësishëm për realizimin e barazisë gjinore. Por jemi në rrugë të mirë që të ecim shpejt dhe me sukses përpara.

Është detyrë e gjithë shoqërisë që ta shtyjë më tej përparimin e barazisë ndërmjet gjinive, por është detyrë e femrës, në radhë të parë, që ta zhvillojë luftën e vet për barazi dhe trajtim meritor. Femrat nuk duhet ta pranojnë përparësinë që u jepet në raste të caktuara në jetën publike, për shkak të gjinisë së tyre. Ato duhet të luftojnë që ta meritojnë dhe ta fitojnë përparësinë, me punë dhe me cilësi. Atëherë do të kemi gjithpërfshirje të natyrshme gjinore në fusha të punës e të angazhimeve publike.

Rrjedhat e derisotme të barazisë gjinore, kanë shënuar përparime të vazhdueshme. Nuk kemi arsye të mos besojmë se do të shënojnë edhe në të ardhmen. Përkushtimi dhe angazhimi i gjithanshëm nuk do të mungojë. Prandaj, urime për 8 Marsin! Gëzuar e suksese!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu po merr pjesë në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale

Kryetari i komunës së Ferizajt z. Agim Aliu po qëndron në Strasbourg të Francës me …