Kapitalizmi

Viktor Malaj: Kapitali ka bijtë e vet në parlamente, qeveri, media, drejtësi dhe kudo që i nevojiten

“Kërcënimi i vërtetë i republikës tonë është ajo qeveri e padukshme e cila, si një oktapod gjigant shtrihet në qytete, shtete dhe gjithë vendin. Ashtu si oktapodi i vërtetë, ai vepron nën rrogoz… Në krye të tij janë interesat e kompanisë Standart Oil të Rok Felerit dhe të një grupi të vogël bankash të fuqishme… Ky grup bankierësh të fuqishëm ndërkombëtarë drejton realisht qeverinë e Shteteve të Bashkuara për qëllimet e veta egoiste. Ata, praktikisht, kontrollojnë të dyja partitë politike”.( Xhon F. Hajlën)

Ka të ngjarë që mëkati fillestar të mos jetë ai midis Evës dhe Adamit siç është përshkruar në Bibël, por momenti kur njeriu i parë që jetonte në bashkësitë primitive tha: “Kjo është e imja!”. Këtu, ndoshta, duhet kërkuar zanafilla e mëkatit dhe jo vetë mëkati, pasi dëshira për të pasur gjënë apo gjërat e tua, të nevojshme dhe të mjaftueshme për të jetuar në raport me fazën (stadin) e zhvillimit ekonomik të shoqërisë, mund të konsiderohet normale. Por, udhëtimi i pandalshëm i mëkatit ka filluar atëherë kur njeriu i parë u shty dhe udhëhoq nga lakmia e pafrenuar për të vënë pasuri, në kurriz të pjesëtarëve të tjerë të bashkësisë që i përkiste dhe me të gjitha format, metodat dhe mjetet që kishte në dispozicion pa e vrarë ndërgjegjja dhe pa u ndalur nga asnjë skrupull. Epërsia ekonomike e dikujt, përgjithësisht e më të fortit dhe më të paskrupullit, çoi dalëngadalë në sundimin e tij mbi pjesëtarët e tjerë të bashkësisë që i përkiste dhe e shndërroi shoqërinë njerëzore nga një grup individësh që kontribuonte bashkërisht në sigurimin e mjeteve fillestare të jetesës dhe përdorimin e produkteve nga të gjithë për të mbijetuar, në një bashkësi ku një pakicë e pasuruar sundon dhe një shumicë e varfër sundohet, shfrytëzohet dhe përçmohet.

Me zhvillimin dhe modernizimin e shoqërisë lindi kapitali i cili ka bijtë dhe gardianët e tij. Shoqëria kapitaliste propagandohet si demokraci edhe pse populli (demos), në shumicë dërmuese, në varësi nga koha dhe vendet e ndryshme, nuk sundon mbi asgjë dhe mbi askënd. “Arritja” më e madhe e popullit është se ka mundur që periodikisht të ketë të drejtën dhe mundësinë të zgjedh në drejtimin e vendit njërin nga bijtë e kapitalit dhe, rrjedhimisht, kapitali mbetet gjithnjë sundimtari i vërtetë. Fakti që 1% e popullsisë së botës zotëron më shumë se gjysmën e pasurive të globit është një provë e padiskutueshme se, pavarësisht llojeve dhe formave të sundimeve, sundimtari i vërtetë mbetet kapitali. Edhe atëherë kur populli ka të drejtën dhe mundësinë e organizimeve, demonstrimeve dhe votimeve politike ai nuk shkon më tej se zëvendësimi i një shërbëtori të kapitalit me një tjetër. Njëra palë votuese gëzohet dhe çlirohet emocionalisht ndërsa palën humbëse e kaplon mërzia dhe dëshpërimi. Periodikisht palët i ndërrojnë vendet dhe bashkë me vendet edhe pozitat emocionale. Ndërsa, i vetmi që mbetet krenar, i patrazuar dhe përherë i lumtur është kapitali.

Kapitali ka bijtë e vet në parlamente, qeveri, media, drejtësi dhe kudo që i nevojiten. Edhe atje ku nuk i ka fizikisht, i bën për vete shpirtërisht dhe moralisht. Ata që nuk pranojnë “birësimin” nga babë kapitali nuk kanë kurrfarë gjasash të mbërrijnë apo qëndrojnë në krye. Që kapitali të qëndrojë i pacenuar dhe i qetë duhet që bijtë e tij të drejtojnë çeta të ndryshme që i quajmë parti politike, të shkruajnë dhe shpallin programe që u drejtohen njerëzve me plot sheqer e shpresa ku fjalët popull, demokraci, liri, reforma etj. ndodhen në çdo varg të këngës që i këndohet popullit pa pushim që i ngrati të besojë se “çetat” dhe udhëheqësit e tyre po sakrifikohen për të dhe interesat e tij dhe, po për hir të popullit, janë të gatshëm të kryejnë atëvrasje, domethënë ta taksojnë, gjobisin, penalizojnë dhe dënojnë kapitalin kokëfortë dhe mosbindës ndaj “rendit demokratik”. Nëse njëra çetë diskreditohet dhe e mbush kupën në zullumet e veta antipopullore atëherë del në skenë çeta tjetër dhe merr përsipër “shpëtimin” e shoqërisë duke qetësuar shpirtrat e trazuar nga padrejtësitë dhe duke i kanalizuar pakënaqësitë, inatet, mllefet, urrejtjet dhe reagimet drejt çetës “përgjegjëse”, por kurrë drejt kapitalit. Mendjemprehtësia e kapitalit iu ka dhënë mundësi njerëzve të ndërrojnë qeverisjet, pa ndryshuar në thelb asgjë. Mendjemprehtësia ka ndërtuar rrufepritësen që shmang me siguri çdo vetëtimë mbi trupin e vetë kapitalit, mbi trupin e mëkatarit dhe shkaktarit të vërtetë të zemërimeve popullore. Votimet dhe zgjedhjet e lira i rrëfehen popullit si kulmi i arritjeve të njerëzimit, madje si “fundi i historisë”, anipse po ta dinin se votimet do të sillnin ndonjë ndryshim thelbësor do t’i kishin shpallur të paligjshme, siç shprehej Ema Goldmën.

Sytë dhe veshët i kemi të mbushur plot e përplot me historinë tonë 28-vjeçare me pluralizëm politik, iniciativë ekonomike dhe liri mendimi, organizimi dhe grumbullimi. Pavarësisht ndërrimeve të forcave politike në pushtet, një gjë nuk ka ndryshuar: një grusht individësh, kryesisht hajdutë dhe gangsterë, kanë futur në dorë shumicën e pasurive mbi dhe nëntokësore të vendit, ndërsa shumica dërmuese e popullit shqiptar lufton thjesht për mbijetesë, mbijetesë në kuptimin e drejtpërdrejtë të kësaj fjale, dhe ose e shtynë jetën me strese ose vendos të largohet nga vendi duke kaluar edhe jashtë Shqipërisë peripeci dhe vuajtje të pafundme.

Është vjedhur dhe vazhdon të vidhet pasuria kombëtare dhe askush nuk shkon në burg. Vidhet thesari i shtetit, banka kombëtare, qindra hektarë tokë dhe qindra milion euro nga buxheti i shteti çdo vit dhe autorët ose “nuk dihen” ose ndiqen penalisht në gjendje të lirë pasi “nuk paraqesin rrezik për shoqërinë”, ndërkohë që ai që vjedh 100 euro energji elektrike, 50 euro produkte ushqimore në tregun e një miliarderi apo ai që tregton 200 euro drogë harrohet në burg.

Megjithëse edhe pas 1990 “kanë ndodhur krime të tmerrshme” ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, vrasje, vjedhje gjigante të fondeve shtetërore, dhunime masive zgjedhjesh, konflikte të armatosura, marrje me dhunë të pushtetit etj. autorët e tyre jo vetëm nuk janë dënuar, por ata i kemi përditë në rolin e profetit, shpëtimtarit, “yllit në ngjitje”, “burrit të shtetit”, lektorit të demokracisë dhe apostullit të moralit.

Sikur predikimet morale dhe leksionet demokratike të këtyre 28 viteve të kishin qenë shprehje e bindjeve dhe pasqyrë e virtyteve të oratorëve dhe mësimdhënësve tanë, ne nuk do të na kishte ndodhur çfarë ka ndodhur dhe qindra politikanë, zyrtarë dhe biznesmenë do të ishin sot duke vuajtur në qelitë e burgjeve, duke shërbyer kështu si mësim kërcënues dhe vetëpërmbajtje për cilindo tjetër që synon të sillet e veprojë në atë mënyrë. Mirëpo, ato që na kanë ndodhur dhe na ndodhin përditë janë dëshmi e hipokrizisë, pafytyrësisë dhe harbutërisë së një pjese të madhe të bijve të kapitalit të cilët luftën e tyre për pushtet dhe privilegje vetjake na e kanë shitur dhe duan të na e shesin si idealizëm, vizion dhe sakrificë për popullin dhe atdheun. Pra, luftën për “tepsinë” na e shesin si luftë për Shqipërinë. Por, shumica e bijve të kapitalit nuk kanë as ideale dhe as ide. Idealet nuk i lejojnë të arrijnë qëllimet e tyre të vërteta, ndërsa idetë i bëjnë të heqin keq dhe të stërmundohen. Prandaj ata kanë vetëm interesa; interesa vetjake që i ambalazhojnë me parulla bamirësie dhe sakrificash për shoqërinë në mënyrë që të kenë sukses në tregun vezullues dhe mashtrues të politikës vendore, kombëtare dhe globale. Ata derdhin lot për hallet tona dhe, sapo vijnë në pushtet, mbushin xhepat e vet dhe të kapitalit me paratë tona. Shfaqen dhe vetëpropagandohen si shpëtimtarë dhe sjellës të shpresës dhe, pasi e kryejnë “misionin” e tyre largohen si shkaktarë të zhgënjimit dhe dëshpërimit. Duke qenë të paskrupullt dhe të papenduar ata nuk ikin një herë e përgjithmonë, por rrinë pas derës në pritje të riciklimit, duke u rishfaqur me parulla dhe premtime të reja për të demonstruar sërish moralin dhe sjelljen e vjetër.

Të ambalazhuar si “të djathtë” apo “të majtë”, disa prej tyre herë “të majtë” dhe herë “të djathtë”, ata shërbejnë kryesisht si krahët gjigant të kapitalit “me barkun shekulluer gjithmonë i pangishëm” dhe me gjykimin moral dhe human gjithmonë të pamëshirshëm. Ndërsa ne duhet, ashtu si fëmijët në çdo fundviti që presin dhurata, të kënaqemi me “dhuratat ” e bijve të kapitalit, me dhjetë apo njëzet euro shtesa pagash apo pensionesh ndërsa kapitali vetë e mbyll bilancin vjetor gjithnjë me fitime dhjetëra apo qindra milion eurosh. Kur i duket se ka fituar pak nëpërmjet pagave të vogla, mospagesës së punës me orë të zgjatura, mospagimit të sigurimeve për pensionet dhe shëndetin tonë apo rritjes galopthi të çmimeve, atëherë kapitali iu drejtohet për ndihmë bijve të vet t’i japin mundësinë të sigurojë fitime marramendëse nëpërmjet tenderave apo koncesioneve korruptive. Kur nuk është i kënaqur edhe me këto marifete fitimprurëse “demokratike dhe të ligjshme”, dhe kjo i ndodh sepse ai gjithnjë ndihet i uritur dhe i urituri mbetet përherë i pakënaqur, atëherë zoti Kapital iu drejtohet parajsave fiskale ku depoziton produktin e vjedhur dhe siguron shtimin e tij të patatuar dhe të pakontrolluar.

Kur i themi Kapitalit se është duke na vjedhur, ai përgjigjet se është duke bërë biznes, por kur ne protestojmë e ngrihemi kundër padrejtësive të tij, kapitali thotë se ju po ushtroni dhunë dhe dhunën e ndalon “sistemi demokratik” që është vendosur nga vetë kapitali dhe në shërbim të tij. Studentët që protestuan kundër regjimit njëpartiak në 1990 konsiderohen “heronj” sepse i hapën udhë kapitalit, por kur studentët dhe populli ngrihet kundër kapitalit dhe padrejtësive të tij si në 1997, 2011 apo sot atëherë protestuesit shpallen “komunistë, marksistë, kokëpalarë etj.etj.”.

Kur bankat dhe disa nga korporatat më të mëdha në SHBA shpallën në vitin 2008 se ndodheshin në prag të falimentimit, në vend që t’iu nënshtroheshin rregullave të tregut të vendosura nga vetë kapitali, pra të liheshin të falimentonin dhe personat përgjegjës të shkonin para drejtësisë për dëmet e shkaktuar, qeveria amerikane vendosi t’iu jepte rreth një trilion dollarë nga buxheti i shteti (taksat e popullit amerikan) nëpërmjet sistemit “bail out”. Miliarderët e varfër udhëtuan drejt Uashingtonit me avionë privatë dhe iu “lutën” qeverisë për ndihmë financiare. Siç u shpreh regjizori amerikan Majkëll Mur, të pakënaqur me ato që i merrnin popullit pak nga pak çdo ditë, manjatët e kapitalit vendosën t’i merrnin thuajse gjithçka për një ditë. Kur u pyet Nikolas Sarkozi, ish-Presidenti i Francës, se si e konsideronte moralisht dhe ligjërisht një veprim të tillë (që u zbatua edhe në disa shtete evropiane), si bir i kapitalit ai u përgjigj: “Gjithë çështja është të shpëtohet kapitalizmi”.

Njëri prej qindra biznesmenëve shqiptarë, që besohet se ka në themelet e perandorisë së tij ekonomike trafikun e drogës u bë milioner dhe ndërtues i suksesshëm dhe, pas ndërtimit të një pallati 25 katësh në qendër të Tiranës, i dhuroi birit më të dhunshëm të kapitalit në Shqipëri, kryeministrit Sali Berisha një hapësirë për studio me vlerë rreth 200 mijë euro. Kur socialistët erdhën në pushtet u bënë miq dhe bashkëpunëtorë të “biznesmenit të suksesshëm” dhe së fundi i dhanë edhe një tender me vlerë mbi 200 milion euro për ndërtimin e një rruge, koston e së cilës do të mund ta arsyetonte vetëm Lulzim Basha që i zhduku buxhetit të shteti 230 milion euro vetëm në ndërtimin e një rruge (Milot-Kukës). Pas tragjedisë dhe krimit të Gërdecit doli se qeveria amerikane iu kishte dhënë një tender rreth 300 milion dollarë dy halabakëve rreth të njëzetave për të blerë dhe dërguar armë dhe municione në konfliktin e Afganistanit. Me të njëjtin “kriter” qeveria e sotme shqiptare kishte shpallur fitues të një tenderi për Unazën e Madhe një kompani fantazmë me një përfaqësues rreth të njëzetave. Normalisht, dorëheqja e ministrit Gjiknuri, të paktën për syleshsi, do të ishte veprimi më i vogël dhe më i thjeshtë në këtë aferë. Mirëpo kapitali e ka të gatshme arsyen e mosdorëheqje: “ajo që nuk ndodhi në Amerikë, pse duhet të ndodhë në Shqipëri!”.

Për të ilustruar riciklimin e çetave dhe bijve të kapitalit na mjafton të shohim se kush pret sot pas derës dhe shfaqet si shpëtimtari dhe besimngjallësi i popullit. “Misioni i PD-së është të ringjallë besimin se Shqipëria do të bëhet vërtetë si Evropa…”,- tha L. Basha në asamblenë e partisë së tij. Pra, ajo PD që u vetëshpall si shpresa e vendit në 1990 dhe që solli 1996-1997; ajo PD që u provua sërish në pushtet në 2005-2013 dhe pas skandaleve dhe korrupsionit galopant u largua me votën kundër të mbi 70% të shqiptarëve, ajo PD që gjatë gjithë rrugëtimit të saj 28 vjeçar, me gjithë kundërshtitë dhe mosmiratimet  masive popullore ndaj moralit dhe sjelljeve të saj, ka mundur të konstatojë vetëm se: “Natyrshëm ne kemi bërë hapa në drejtim të gabuar” (L. Basha), kjo PD na premton sërish kthimin e besimit. Për moralin e saj dhe të drejtuesve të saj, falsifikimet dhe dhunimet e zgjedhjeve; rrahja, burgosja dhe vrasja e kundërshtarëve politikë e gazetarëve si dhe djegia e redaksive të gazetave; organizimi dhe nxitja e konflikteve të armatosur veri-jug dhe përdorimi i gjithë mjeteve ushtarake kundër popullsisë civile; sulmi i armatosur dhe zaptimi i institucioneve qendrore qeveritare si mjet për marrjen e pushtetit; firmosjet e marrëveshjeve që cenojnë integritetin territorial të vendit; korrupsionet e llahtarshme me tenderat etj. etj. janë thjesht disa “hapa të gabuar” megjithëse, në të vërtetë, përbëjnë krime të mëdha kundër vendit dhe popullit. Duke mos njohur fajet e kryera dhe, rrjedhimisht, duke na siguruar se do t’i përsërisin ato në një pushtet të mundshëm të ardhshëm, autorët e papenduar dhe të pandëshkuar të këtyre krimeve arrijnë të bëjnë përgjegjës dhe të fyejnë popullin shqiptar. Para dy ditësh, L. Basha tha: “Shqiptarët u gënjyen ( në 2013 ) dhe në vend të moralit të Zotit, në vend të moralit të atdheut, në vend të moralit të familjes dhe moralit njerëzor, zgjodhën pushtetin e Edi Ramës”. Kështu i bije që autori i disa krimeve të kryer kur ishte në pushtet, Lulzim Basha t’iu shfaqet shqiptarëve si bartësi i formave më të larta morale, ndërsa kundërshtarët e tij politikë si e keqja e zgjedhur gabimisht. I bije kështu që një milion shqiptarë braktisën moralin familjar, atdhetar, fetar dhe njerëzor, të mishëruar tek Basha dhe ati i tij shpirtëror dhe politik Sali Berisha, vetëm për hir të Edi Ramës. Një gjykim i tillë i një kokoroshi pa mend do të mjaftonte për ta shvleftësuar si qytetar e jo më si figurë politike.

Le ta ndalim pak shikimin mbi fotografitë e bëra gjatë Asamblesë së fundit Kombëtare të PD-së. Të njëjtat fytyra, i njëjti moral, asnjë breje ndërgjegjeje për fajet e së shkuarës dhe asnjë person përgjegjës për ato që kanë ndodhur. Çeta pret të rikthehet për të disatën herë në pushtet për të na shërbyer me të njëjtat produkte, këtë herë, ashtu si edhe në 2009-2013, në aleancë me një parti tjetër familjare me karakteristikat e biznesit politiko-ekonomik, pa kurrfarë idealesh dhe që ka dhënë prova të bollshme se si në pushtetin qendror, ashtu edhe atë vendor, pavarësisht me cilat parti është në aleancë, përfaqësohet me njerëzit më të korruptuar të shoqërisë shqiptare.

Megjithëse e kanë votuar Ligjin “Për Arsimin e Lartë” ose e kanë kaluar me heshtje përkrahëse, megjithëse janë autorët kryesor të komercializimit dhe degjenerimit të sistemit arsimor shqiptar, këto parti dhe këta drejtues, në vend që t’iu kërkojnë ndjesë studentëve protestues dhe popullit shqiptar, hiqen si të përvëluar për hallet e tyre, i nxisin për protesta dhe të mos pranojnë dialog, jo si mjete për plotësimin e kërkesave të tyre, por me shpresën se do të bjerë qeveria e zgjedhur me vota dhe të kthehen ata me rrugë antidemokratike. Pronarë të dhjetëra apartamenteve dhe llogarive bankare, që veshin fustane apo kostume disa mijëra eurosh dhe që shpenzojnë qindra mijëra euro për arsimimin e fëmijëve të tyre në Perëndim, këta bij të kapitalit shumëfytyrësh marrin përsipër ndryshimin e situatës dhe “zgjidhjen e të gjitha kërkesave të studentëve”. Shprehje cinizmi dhe poshtërim njëherësh për të gjithë popullin, por në veçanti ndaj atyre që kanë dhe e çmojnë dinjitetin, që kanë respekt për veten.

Bijtë e kapitalit i gjen kudo, në arsim, drejtësi, media etj. Mjafton të shohësh rektorin e Universitetit Shtetëror i cili merr 11 rroga. Me mendjen e tij, sipas moralit dhe gjykimit të tij askush tjetër nuk i meriton dhe askush tjetër nuk mund t’i kryej ndonjërën nga punët për të cilat ai paguhet. Ndërsa ai ushqehet me 11 garuzhde, të tjerët duhet të mjaftohen me lugën e kafesë. Ndërsa ai nuk ka menduar të refuzojë asnjërën nga 11 rrogat e majme, fshatarja e varfër Hume Dashi, pensioniste nga Çerma e Lushnjës refuzoi të merrte 143 milion lekë të futur gabimisht në llogarinë e saj bankare me arsyetimin se “Vetëm pensioni  143 mijë lekë të vjetra është i imi prandaj nuk kam punë me paratë e tjera”. Ky është simbolikisht dallimi midis bijve të kapitalit dhe bijve të popullit. Duke u marrë me interesat e veta rektori ka lënë pas dore hallet dhe interesat e studentëve dhe si i tillë as e meriton dhe as duhet të jetë në atë detyrë ku e paguan shteti me taksat e prindërve të studentëve dhe tonat. Figura dhe pozita e tij këmbëngul që t’i japë vërtetësi shprehjes: “njeriu për njeriun është ujk”.

Sikur bijtë e kapitalit që drejtojnë emisione të pafundme opinionbërëse ta ndjenin veten misionarë të së vërtetës, pra në shërbim të popullit, nuk do i lëpiheshin, zgërdhiheshin dhe “justifikoheshin” Sali Berishës kur ai i kritikon, por do i kërkonin llogari në studiot televizive për numrin e madh të krimeve të llahtarshme që ka kryer përgjatë 28 vjetëve. Po të donin t’i shërbenin të sotmes dhe të ardhmes së vendit këta moderatorë nuk do silleshin si kali në lëmë kur intervistojnë Lulzim Bashën, por do ta pyesnin se përse zotëria që hiqet si shpëtimtari i studentëve dhe i shqiptarëve nuk na tregon ku i ka çuar 230 milion euro për të cilat e pati akuzuar KLSH dhe prokuroria shqiptare, se po ta dimë do të shkojmë t’i marrim për të përmbushur kërkesat e studentëve. Po ta kishin punën e tyre mision dhe jo thjesht biznes, këta moderatorë do të thërrisnin në studio specialistë statistikor që provojnë se ndërtimet e rrugëve të dhëna me tenderat më të fundit mund të kushtojnë më pak se paratë e akorduara nga qeveria aktuale dhe do t’i kërkonin llogari Ramës si kryeministër dhe jo të sillen në studio si halabakë duke iu drejtuar me arrogancë: “Mos ma trash zërin mua!”.

Kushdo mund të thotë, me të drejtë, se ne e kemi pranuar vetë këtë sistem. Kjo qendron por neve na u premtua liria e mendimit dhe jo liria e mashtrimit, shpifjes dhe manipulimit. Një mendim i manipuluar është një mendim i dhunuar. Neve na u trumbetua liria dhe konkurenca ekonomike por jo liria dhe konkurenca për të vjedhur. Na u tha se do të përparonte më i zoti dhe i ndershmi dhe po na del se triumfon horri, injoranti dhe gangsteri. Na u premtua konkurenca politike nëpërmjet programeve dhe zgjedhjeve të lira dhe jo riciklimi i së vjetrës, mëkatares dhe kriminales duke i hequr mundësinë ardhjes dhe triumfit të së resë. Na u shpall barazia e të gjithëve para ligjit por po shohim se disa, një pakicë as e njeh, as e përfill por e ndryshon, keqinterpreton dhe dhunon ligjin duke qendruar praktikisht mbi të.

Çfarë duhet bërë dhe si duhet sjellë ndaj kapitalit dhe bijve të tij. Njeriu i dinjitetshëm duhet të jetë i vëmendshëm, dyshues dhe kërkues ndaj fjalëve, premtimeve, sjelljeve dhe punëve të tyre. Duhet hequr dorë një herë e mirë nga besimi se “po na vijnë shpëtimtarët” dhe nuk i duhet besuar e ardhmja e vendit asnjëherë atyre që e kanë shpërdoruar disa herë besimin tonë në të kaluarën. Qëndrimi dhe presioni ndaj qeverisë të sotme duhet të jetë i rreptë dhe i papajtueshëm me çdo shmangie nga e vërteta dhe premtimet e bërë.

Pasi i hodha këto mendime po shoh me mendje jo pak kopukë dhe hileqarë që çfarë shkrova do t’i konsiderojnë “marksiste”, “komuniste” etj. Buburrecat me moral buburreci dhe të zgjebosurit kronikë me diploma “intelektuali” që nuk lënë autor të gazetës “Dita” pa fyer me lehje nga prapa ferrës së kompjuterit mua thjesht më dëshmojnë shkallën e kalbëzimit moral të asaj pjese të shoqërisë shqiptare të cilën përfaqësojnë dhe më forcojnë bindjen se e vërteta duhet thënë me forcë për t’i shërbyer popullit, por edhe me shpresën se mbase arrin të shërojë të sëmurët nga murtaja morale dhe zgjebja intelektuale.

1) John Francis Hylan – Ish – Kryetar i bashkisë së Nju Jorkut në SHBA

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …