Qumështorja “Vita” ka bërë të ditur se rezultatet e analizave të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për mostrat e produkteve të saj kanë konfirmuar përbërjen dhe cilësinë e qumështit të hedhur në treg. Sipas njoftimit të kompanisë, analizat dëshmojnë se produktet e qumështit “Vita” nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe as vaj palme, duke hedhur poshtë dyshimet e ngritura lidhur me përbërjen e tyre. “Rezultatet e pranuara nga AUV-i konfirmojnë se produktet e qumështit Vita nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe nuk përmbajnë vaj palme”, thuhet në komunikatën e kompanisë. “Vita” njoftoi gjithashtu se, pas takimeve me palët e përfshira, është arritur një dakordim për vazhdimin e përkohshëm të grumbullimit të qumështit nga fermerët. Ky vendim do të mbetet në fuqi deri në publikimin e plotë të rezultateve të analizave të tjera, të cilat institucionet kanë paralajmëruar se do t’i bëjnë publike deri më 13 korrik 2026. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pritet të publikojë edhe rezultatet e analizave të mostrave të marra në këtë dhe në qumështore të tjera në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
