Vlora Çitaku: “Bllokimi i Kuvendit është suspendim i demokracisë”, PDK-ja kërkon sërish seancë pas 48 orësh

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar pushtetin për bllokim të qëllimshëm të punës së Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se refuzimi i thirrjes së seancës konstituive nuk është thjesht një incident procedural, por një “model i sjelljes politike”. Në një prononcim për mediat, Çitaku bëri të ditur se PDK-ja kishte kërkuar zyrtarisht vazhdimin e seancës më 12 gusht për ta rikthyer procesin brenda kornizës kushtetuese, mirëpo kjo kërkesë është refuzuar. Ajo drejtoi gishtin nga kryesuesi i seancës, duke pohuar se ai po i nënshtrohet vullnetit politik të Lëvizjes Vetëvendosje në vend që të zbatojë Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. “Kushtetuta zbatohet vetëm kur i përshtatet një partie. Kjo është e papranueshme. Kuvendi është efektivisht i mbyllur dhe deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit. Këto mandate nuk na i ka dhënë Albin Kurti, por qytetari i Kosovës”, deklaroi Çitaku, duke e cilësuar këtë bllokadë si suspendim të vetë demokracisë. Çitaku theksoi se tejkalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e institucionit ligjvënës përbën shkelje serioze dhe i bëri thirrje Albin Kurtit që të mundësojë funksionalizimin e Kuvendit. Ajo paralajmëroi se PDK-ja do të kërkojë sërish thirrjen e seancës pas 48 orësh, duke nëvizuar se subjekti i saj nuk po kërkon marrëveshje për pushtet, por “funksionalizimin e shtetit”.

Kontrolloni gjithashtu

Selim Pacolli dënon thirrjet ndaj Ramush Haradinajt: “Ai nuk është i vetëm!”

Selim Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra në Kuvendin e Kosovës ku u …