Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas deklaratave të tij ndaj opozitës, duke e akuzuar për paaftësi qeverisëse dhe krijim të krizave politike në vend. Në një reagim publik, Çitaku i kërkoi Kurtit të qetësohet, duke theksuar se Kosova nuk është pronë e askujt dhe se institucionet nuk mund të trajtohen si mjet personal pushteti. Ajo tha se qytetarët i kanë dhënë besim të madh me votë, por sipas saj, Kurti ka dëshmuar se nuk dëshiron dhe nuk di të qeverisë. “Ose qeveris, bashkëpuno dhe jepi drejtim Kosovës, ose lësho rrugë e lëri më ankesat, krizat dhe lojërat fëmijërore në kurriz të qytetarëve”, deklaroi Çitaku. Tutje, ajo shtoi se kryeministri nuk është armik politik, por një sfidë që sipas saj do të tejkalohet me votën e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
