Vuçiq huq adresën, në vend se të kërkojë arkivat e “Bota Sot dhe Koha Ditore” për “krimet” e UÇK-së, ai i drejtohet Nusret Pllanës

Vuçiq huq adresën, në vend se të kërkojë arkivat e “Bota Sot dhe Koha Ditore” për “krimet” e UÇK-së, ai i drejtohet Nusret Pllanës

Aleksander Vuçiq në vend se të kërkojë fakte për “krimet e UÇK-së” kundër serbëve,  nga Bota sot,  Koha ditore, Insajder  e jugo mediet në gjuhën shqipe, ai ia huq duke përmendur librin e  dr. Nusret Pllanës për krimet serbe kundër shqiptarëve dhe jo për “krimet” e shqiptarëve kundër serbëve.

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiç përmend UÇK-në në kontekstin e kërkesës që ka për autoritet e Kosovës, siç thotë ai hapjen e arkivave të gueriles kosovare. “Ne po kërkojmë të dhënat se ku ndodhen varrezat masive me civilë e ushtarë serbë por neve na kanë thënë se ky arkiv nuk ekziston. Ne kemi gjetur dëshmi se ky arkiv ekziston. Po këtë mund ta gjeni në librin që flet për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve, një libër që ata e kanë shpërndarë në krejt botën, ka deklaruar Vuçiq në konferencë për media. Autori i librit është Nusret Pllana. Ai deklaron se materialin e shfrytëzuar për përmbajtjen e këtij libri e ka marrë nga arkivi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por ata tani na sigurojnë se jo që nuk ka depo, por as arkiva s’ka ekzistuar. Natyrisht që kjo bëhet për mos t’i rënë në gjurmë krimeve të të ashtuquajturës UÇK,” tha Vuçiç. (Abcnews.al)

Deklarata kontradiktore e kryetarit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, duket më tepër si deklaratë cinike, lidhur me faktin se libri i dr. Nusret Pllanës, “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” shtatë ribotime, përkthyer në disa gjuhë të botës, është mbështetur në një literaturë të begatshme historiografike, për krimet serbe gjatë një shekulli e gjysmë kundër shqiptarëve, që kanë kulmuar  me barbari e fashizëm tipik serb në kohën e regjimit të Milosheviqit, ku Vuçiq  ai ishte ministër i Informimit dhe kishte kërcënuar se do ta zhdukte Radion-Kosova e Lirë, të cilën regjimi i tij  kishte bombarduar edhe nga ajri më 27 mars të vitit 1999, por nuk e kishte zhdukur, ashtu sikur nuk e kishte zhdukur as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilën po e përmend edhe sot pas 22 viteve të fitores së saj historike, që shënoi edhe kapitullimin e turpshëm të Serbisë më 10 qershor të vitit 1999.

Të kujtojmë me këtë rast se autori i librit,  Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” Nusret Pllana,   më 15 janar 2015,  këtë libër ia ka dërguar Vuçiqit me postë (rekomande), për t’ia kujtuar gjenocidin serb në Reçak, pasi atë ditë Vuçiq kishte qëndruar  për vizitë në Kosovë dhe kishte vizituar Kishën serbe të Graçanicës me popat e Beogradit. Asokohe Vuçiq ishte kryeministër i  Serbisë.

Në librin e tij për krimet serbe kundër shqiptarëve, autori Nusret Pllana ka shfrytëzuar edhe të dhënat e arkivit të luftës së UÇK-së, të Radios-Kosova e Lirë, pasi ai  ka qenë luftëtar i lirisë edhe anëtar i stafit të Radios, gjatë  tërë kohës së luftës e më pastaj.

Libri i tij ka të dhëna për krimet serbe kundër shqiptarëve, nga gjysma e dytë e shekullit të 19-të e deri në vitin 1999.

Kryetari serb,  Vuçiq, kuptohet pa e lexuar fare librin, të cilin mund të ia ketë paraqitur sharlatani Vulin apo ndonjë  këshilltar tjetër, pretendon se  autori, Nusret Pllana e ka studiuar këtë segment, i cili nuk ka qenë fare  preokupim i tij.

Është e vërtetë se para, gjatë dhe pas luftës mund të ketë pasur ndonjë sulm apo krim të  ndonjë shqiptari kundër ndonjë serbi, por nuk ka qenë ky fokusi i studimit të Nusret Pllanës, të cilin e përmend kryetari serb  Vuçiq. UÇK-ja gjatë luftës nuk ka vrarë asnjë fëmijë serb, nuk ka dhunuar asnjë femër serbe, por nuk i ka kursyet ushtarët dhe policët e Serbisë dhe tek-tuk edhe ndonjë kolaboracionist me damkë të regjimit të Milosheviqit.

 Vuçiq, për ndihmë në këtë drejtim  është mirë të kontaktojë me stafin e gazetës, “Bota sot”,  e cila ka shumë të dhëna për “krimet e UÇK-së” kundër bashkëpunëtorëve të Serbisë së Millosheviqit, por edhe serbëve të caktuar,  të cilët janë vrarë nga UÇK-ja qoftë në prita apo gjatë shkëmbimit të zjarrit nëpër pozicione të luftës. “Krimet e UÇK-së” kundër serbëve i ka studiuar mirë edhe Veton Surroi, i cili madje i ka quajtur edhe krime fashiste. Mendoj se ky emër është shumë i njohur për publikun serb, meqë ai veprat  e tij kundër Hashim Thaçit e kundër luftës së UÇK-së i ka përkthyer në gjuhën serbe dhe i ka përuruar në Beograd, para publikut të tij të preferuar, madje edhe duke komentuar faktin se vetëm ai publik i kupton si duhet veprat e tij.

Sa për denoncim publik, “Bota sot” ka së paku dhjetë anëtarë e bashkëpunëtorë, të cilët ditë për ditë shkruajnë e botojnë informata ndër më skandalozet e më antikombëtaret kundër UÇK-së dhe si për çudi, Vuçiqi dhe regjimi i tij nuk mbështeten në ato deklarata të dëshmitarëve të mbrojtur e të hapur që shkruajnë e botojnë në këto plehra që botohen në gjuhën shqipe. Mbase ka diçka në këtë mes, derisa këshilltarët e Vuçiqit nuk mbështeten në këto deklarata, që mund të kenë dalë nga “kuzhina” e tij në Beograd.

Ahmet Qeriqi

  1. 6. 2021

Krojmir

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …