leoni

Xhavit Aliu: Ajo kohë dhe kjo kohë

Xhavit Aliu: Ajo kohë dhe kjo kohë

Kur isha student gjatë viteve ’90-të, preokupim kryesor kishim çlirimin nga okupatori serb, që kishte pushtuar gjithë Kosovën. Kudo dhunë, kudo shkelje e të drejtave të njeriut. Edhe atë pak autonomi që kishim, e suprimuan me dhunë dhe terror të paparë, me tanke, me bajoneta. Të ishe student në atë kohë, ishte sakrificë, sepse çdo ditë e jona ishte e pasigurt, ishte përballje me regjimin policor të kryekriminelit Millosheviç. Bodrumet u bënë shkolla, ku fshehurazi, të rinjtë shqiptarë të Kosovës merrnin dituri. Nga bodrumet e asaj kohe, rinia studentore, së bashku me profesorët, ditën të organizoheshin, duke mbajtur gjallë universitetin dhe frymën atdhedashëse dhe liridashëse.Padyshim, profesorët dhe arsimtarët e viteve të ’90-ta ishin heronjtë e gjallë të Kosovës.Ideali i madh e mbante gjallë popullin martir të Kosovës. Nuk po e zgjasshumë për atë kohë, sepse për t’i përshkruar mundimet e asaj kohe duhet një shkrim që nuk ka kurrë fund…

Secili shqiptar, kudo që është, duhet ta dijë se Kosova u çlirua nga sakrifica që u bë, nga gjaku i bijve dhe bijave më të mirë të këtij vendi, në të gjitha periudhat. Ai zjarr që u ndez në të kaluarën, shpërtheu si vullkan dhe kulmoi me luftën e lavdishme të UÇK-së, në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari. Pa UÇK-në nuk do të kishim as liri, as shtet të pavarur. Këtë, secili nga ne mendon se e di, por jo edhe në atë masë që duhet ditur, ka të atillë që nuk duan ta dinë. E vërteta është që UÇK lindi nga gjiri i popullit të Kosovës. Edhe këtë, thjesht, mendojnë të gjithë se e dinë, por ka individë që nuk e dinë. Madje ka pretendime që ta njollosin, por i njollosuri, njollos, edhe këtë duhet ta dimë…

E vërteta e madhe është se aparati shtetëror kriminal i Millosheviçit kreu mbi 400 masakra mbi shqiptarët, civilë të pambrojtur, vrau, dhunoi, dogji, plaçkiti, dëboi me dhunë mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi  dhe tjetërsoi pronat e shqiptarëve. Kaluan mbi 20 vjet që nga paslufta dhe familjarët e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre. Prandaj, dialogu me Serbinë do të duhej të kushtëzohej, në mënyrë të prerë, me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Rrethimi i zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ishte për keqardhje, po ashtu arrestimet që u bënë aty më shumë ishin një spektakël neveritës. Nuk ka pasur nevojë për një ndërhyrje të tillë, sepse luftëtarët e lirisë, sa herë që është kërkuar, iu kanë përgjigjur gjykatave ndërkombëtare, duke dalë gjithherë faqebardhë para drejtësisë. Çlirimtarët mbeten çlirimtarë përgjithmonë, pa marrë parasysh furtunat e kohës dhe të armikut. Por një gjë duhet ditur, siç thotë populli: ”Uji fle, armiku nuk fle”. Edhe këtë mendojmë të gjithë se e dimë, por ka nevojë t’ia përsërisim vetvetes, sa e sa herë. Propaganda serbe nuk po ndalet asnjëherë në dëm të Kosovës dhe pjesë e kësaj propagande janë bërë edhe ca media vendore, të cilat, me vetëdije apo pa vetëdije, çojnë ujë në mullirin e armikut. Pra, disa shpirtngushtë, të verbuar nga etja për pak pushtet, janë në gjendje të bëjnë gjithçka, qoftë edhe për ta mohuar luftën e lavdishme të UÇK-së. Pra, me sa po shihet, problemi nuk është edhe aq i thjeshtë, sepse Serbia ka futur në funksion fundërrinat e deridjeshme të tyre, për të njollosur çdo gjë, qoftë edhe vlerën më sublime që ka pasur ndonjëherë ky popull, UÇK-në. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri luftë çlirimtare, në aleancë me NATO-n, që ndërhyri si rezultat i gjenocidit dhe shfarosjes masive që bënte regjimi kriminal i Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Thuhet se e kaluara që harrohet, mund të përsëritet. Dashtë Zoti që ajo e kaluar e hidhur që përjetoi Kosova martire, të mos përsëritet më kurrë. Por, për ta ruajtur lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës duhet punë e përkushtim, pa hile, nga secili. Duhet që të ketë përkushtim institucional ndaj qytetarit dhe përgjegjësi ndaj tij. Deri më tani, këtë e kemi dëgjuar vetëm me fjalë, por jo me vepra konkrete. Ç ‘është e vërteta, nepotizmi, korrupsioni dhe klanet e lidhjet familjare nëpër institucione qendrore dhe lokale po e dëmtojnë rëndë këtë shtet. Përditë ndeshesh me miliona padrejtësi, në çdo hap që bën njeriu. Madje edhe ata që luftuan deri dje, të cilët gjymtyrët e trupit i lanë në fushëbeteja kundër armikut, sot nuk çmohen, përkundrazi nëpërkëmben. Nuk çmohen luftëtarët e lirisë, të cilët shumica prej tyre ose i janë kthyer profesionit të tyre, ose janë të papunë, ose kanë marrë rrugën e mërgimit, duke mos e gëzuar lirinë, për të cilën kanë luftuar. Familjet e dëshmorëve duhet të kenë mbështetje institucionale, e jo të lihen në mëshirë të fatit. Pra, një ligj për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së është më se i domosdoshëm. Ka shumë zëra që thonë se nuk ka nevojë për një ligj të tillë, por është plotësisht e kundërta. Kosova është mirë që ta ketë sa më parë një ligj të tillë, ku vlerat mbrohen me ligj dhe askush nuk guxon t’i nëpërkëmbë.

Në këtë kohë, Kosova përballet me shumë sfida: me pandeminë Covid-19, krizën ekonomike, me Gjykatën Speciale, papunësinë, izolimin dhe injorimin nga BE-ja për lëvizje të lirë të qytetarëve tanë, fushatën e egër të propagandës serbe kundër shtetit të Kosovës, asociacionin etj. Shtrohet pyetja, a po bëhen padrejtësi të vazhdueshme ndaj këtij populli dhe pse? Në radhë të parë, duhet ta kemi parasysh që Evropa nuk po largohet dot nga shablloni i padrejtësive historike që i ka bërë popullit shqiptar, sidomos në Kosovë. Ne, përjetësisht i jemi falënderues NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare për ndihmën për çlirim. Por, sot, Evropa nuk duhet ta favorizojë Serbinë në rrugën e integrimit evropian dhe ta lë anash Kosovën. Diplomatët evropianë do të duhej të mendonin mirë se kush u solli luftëra dhe dhimbje gati të gjithë popujve të ish-Jugosllavisë, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnjë. Një gjykatë speciale do të duhej të ngrihej për krimet dhe gjenocidin serb të kryer në Kosovë dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar. Vetëm atëherë do të vihej drejtësia ndërkombëtare në vend. Tash, kohëve të fundit, Lajçak paska shpikur idenë se Kushtetuta e Kosovës duhet të ndërrohet dhe të formohet një asociacion serb, që dëmton dhe cenon rëndë pavarësinë e vendit tonë. Jo, kjo gjë nuk duhet lejuar të ndodhë në asnjë rrethanë. Spektri politik i Kosovës duhet të jetë i unifikuar dhe të kundërshtojë ashpër tentativat e Vuçiqit dhe Daçiçit dhe cilitdo që provon ta cenojë rendin kushtetues në Kosovë. Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë unikë, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …