leoni

Xhavit Xheladin Rexha – “Leopardi” (1920- 1979)

Xhavit Rexha u lind në Krojmir. Ishte i biri i Xheladin Rexhë Limanit, njëri ndër intelektualët e hershëm të këtij fshati.

 (Xheladin Rexhë Limani lindi në fshatin Krojmir të Drenicës jugore  në vitin 1895.  Ka kryer mësimet në gjuhën turke. Duke qenë se kishte treguar interesim për dituri dhe arsim ai vazhdoi shkollimin edhe në gjuhën serbe. Në kohën e sundimit të Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene ka shërbyer  në Prizren si nëpunës në administratë. Ka punuar në një zyre të avokatisë. Për shkak se ndihmonte  shqiptarët në zgjidhjen e kontesteve pronësore, si dhe për shkak se nuk mund të pajtohej me diskriminimin që regjimi pushues iu bënte atyre, vendos të që së bashku me familjen të shkojë në Shqipëri.  Fillimisht  vendoset në Krumë e pastaj në  Fier të Shqipërisë. Edhe pse ishte i arsimuar dhe kishte aftësi profesionale, regjimi i Zogut nuk e trajtoi në nivel të duhur. Me gruan e parë, me origjinë nga fshati Ostrazub,Xheladini  kishte  lënë dy bij:  Xhavitin dhe Feridin, të cilët kanë jetuar në Prizren.  Xheladin Limani, me gruan e dytë, ka lënë trashëgimtarët: Xhemajlin,  Qemalin, Igballen,  Dritën dhe  Myzaferen. Trashëgimtarët e tyre jetojnë aktualisht  në Tiranë dhe në Durrës.  Xheladini ka  vdekur më 12 qershor të vitit  1937 në Tiranë).

 Xhavit Rexha u lind në vitin 1920, në Krojmir. Pas një kohe babai i tij, Xheladini vendoset në Prizren. Në pamundësi për t’ i rezistuar diskriminimit të regjimit serb, ai së bashku me familjen vendoset në Shqipëri. Fillimisht në Krumë, ndërsa më vonë në Fier. Mësimet e para, bijtë e Xheladinit,  Xhaviti dhe Feridi i  kanë kryer, në Krumë.

Në vitin shkollor 1938-1939 pranohet në Akademinë ushtarake të Romës, ku studionin dhe  kishin studiuar më parë edhe shumë shqiptarë nga kjo anë: si Brahim Banushi i Shalës, Shefqet Bylykbashi i Baincës, Rifat Berisha nga fshati Berishë e disa të tjerë. Ishte i zellshëm dhe shumë shpejt kishte përvetësuar artin ushtarak, po ashtu kishte mësuar mirë italishten, frëngjishten, gjuhën spanjolle e gjuhë të tjera.

Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, Xhavit Rexha, i njohur si Xhavit Leopardi, (nofkë kjo që i kishte mbetur qysh nga koha kur ishte student në Akademinë e Romës, për shkak të karakterit dhe temperamentit të tij shpërthyes), kthehet në Shqipëri. Duke qenë se ishte edukuar me ide përparimtare, ai kundërshton forcat fashiste dhe profashiste dhe pa vonuar inkuadrohet në radhët e Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare të asaj kohe, në Shqipëri. Duke qenë se forcat italo-shqiptare, kishin çliruar Kosovën dhe disa vise shqiptare nga regjimi barabar serb, Xhaviti me vëllanë Feridin kthehen në shtëpinë e tyre në Prizren dhe të dy inkuadrohen në Lëvizjen Antifashiste. Në nëntor të vitit 1944, Xhavit Rexha emërohet zëvendës-komisar i Brigadës së Shtatë. “Atë ditë në Gjakovë krijohet Brigada e Shtatë Kosovare, komandant i së cilës zgjidhet Shaban Haxhia. Në historiografinë e Kosovës, Brigada e Shtatë është emërtuar, Brigada e Shaban Haxhisë. Në krye të kësaj brigade me djem të zgjedhur e trima të Kosovës u çliruan njëra pas tjetrës krahina e qytete në Kosovë. Përveç kësaj, kjo brigadë u bë mbështetja kryesore e popullsisë shqiptare për të mos lejuar terrorizmin e saj nga forcat çetnike serbe. Shqiptarët e Kosovës gjetën te ajo një strehëz të sigurt për jetën. Është kjo arsyeja që u shtuan radhët e saj, duke arritur deri në 17 mijë numri i luftëtarëve të saj; është kjo arsyeja që shtabi i kësaj brigade u arrestua me urdhër të Komandës së Lartë jugosllave, është kjo arsyeja që ajo u urdhërua të largohej nga Kosova e të luftonte  në viset jashtë saj”. (Skënder Demaliaj: Shaban Haxhia – Komandanti Legjendar i Brigadës së Shtatë Kosovare, botuar në portalin Radio Kosova e Lirë).

Ka kryer me përgjegjësi detyrat që iu kanë ngarkuar nga eprorët. Pas vitit 1945, kur vendi ynë, me pajtimin të kreut komunist të Kosovës kishte mbetur nën Serbi, Xhaviti kundërshton fuqimisht këtë akt të tradhtisë së rëndë kombëtare, që kishin bërë komunistët shqiptarë të Kosovës, duke iu nënshtruar diktatit të Titos e të Rankoviqit.

Duke qenë se i kishte mbështetur fuqishëm vendimet e Konferencës së Bujanit të 30 e 31 dhjetorit të vitit 1943 dhe 1 janarit të vitit 1944, ndërsa  më vonë  nuk ishte pajtuar me vendimet e Mbledhjes së Prizrenit të gushtit të vitit 1945, atij nuk i besohet asnjë pozitë ushtarake apo shoqërore pas mbarimit të luftës.   Për faktin se kishte qenë ushtarak dhe kishte shumë merita në luftën partizane, fillimisht nuk u burgos, por ishte në përcjellje të vazhdueshme të  OZN-së.

Xhaviti, së bashku me vëllanë Feridin asokohe jetojnë të izoluar nga pushteti. Mirëpo regjimi komunist titist nuk e duronte dot qëndrimin e hapur dhe kundërshtar, të ish komisarit të Brigadës së Shtatë. Në vitin 1948 me pretekst se i takonte grupit informbyroist të shqiptarëve të Kosovës ishte arrestuar dhe ishte dënuar me burg të rëndë.  Së bashku me shumë shqiptarë  të tjerë, të cilët e kundërshtonin regjimin e Titos, kishte kaluar vite të tëra nëpër trajtimin mizor në Burgun e Goli Otokut, të Pozharevcit dhe të Nishit.

Pas lirimit nga burgu, Xhavit Rexha, i njohur në tërë Prizrenin me nofkën, “Leopardi” do të bëhej sinonim i emrit, sa i përket qëndresës dhe qëndrimit tejet dinjitoz. Ai nuk qe gjunjëzuar, por kishte qëndruar tejet stoik që qëndrimet dhe bindjet e tij. Fliste dhe kundërshtonte regjimin, padrejtësitë, represionin, dëbimin e shqiptarëve në Turqi, aksionin famëkeq të grumbullimi të armëve. Fliste për tradhtinë e idealeve çlirimtare, që kishin bërë sidomos komunistët e Kosovës që kishin votuar për mbetjen e Kosovës nën Serbi, kundërshtonte pushtetin antipopullor, sfidonte në bisedë ish bashkëluftëtarët që kishin tradhtuar çështjen.

Tregojnë se një herë, në Prizren, derisa Komiteti në krye me Xhavit Nimanin, Dushan Mugoshën Ali Shukriun po mbanin mbledhje, ai kishte tërhequr për kapistre një gomar dhe e kishte vendosur në hyrje të “Komitetit”. Në kohën kur kryeparët e pushtetit kishin dalë ai kishte ngritur dorën dhe iu kishte drejtuar me fjalët. “Merreni këtë gomar, dhe shpalleni veteran, sepse ky ka më shumë  merita që ka bajtur furnizime në luftë, sesa ju tre, që nuk e keni shkrepur asnjë plumb kundër fashizmit dhe tani i keni hipur mbi shpinë këtij populli fatkeq”.

Për këto dhe qëndrime të kësaj natyre, të kualifikuara si propagandë verbale, dhe qëndrime kurdoherë kundërshtuese Xhaviti, e shpeshherë edhe vëllai i tij, Feridi ishin arrestuar dhe ishin mbajtur në burg dhjetëra herë. Mirëpo kurrë nuk ishin thyer as kishin bërë tregti me idealit e tyre të pastra kombëtare.

Sa herë që Kosovën e vizitonin kuadro të lartë ushtarakë dhe politikë, Xhavit Leopardi mbahej në burg, me masën e izolimit, në një vend të caktuar.  I vendosur në qëndrimin e tij konsekuent ai po mbetej një “leopard” i vetmuar, por i panënshtruar. Të anatemuar dhe të ekskomunikuar nga pushteti, Xhaviti së bashku me vëllanë Ferdin mezi arrinin të mbijetonin, me ndihmat mujore që merrnin  si veteranë të luftës. Meqë nuk kishin krijuar kurrfarë baze ekonomike dhe jetonin me një banesë të komunës, e cila iu dedikohej të pastrehëve, ata nuk u martuan dhe nuk e panë  të arsyeshme, që në kushte dhe rrethana të tilla të krijonin familjet e tyre. (Krojmiri 1455-1999, Prishtinë, 2007 f. 343).

Rinia përparimtare dhe revolucionare e Prizrenit, ka krijuar një mit lidhur me qëndresën, burrërinë, trimërinë dhe pathyeshmërinë e Xhavit Leopardit, i cili në kushte dhe rrethana mizore ndërroi jetë në vitin 1979, duke mbetur në kujtesë të pashlyeshme të atdhetarëve me shembullin dhe vendosmërinë  e tij të paepur, në rrugën e drejtë dhe të vërtetë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Referencat:

  1. Skënder Demaliaj: Shaban Haxhia – Komandanti Legjendar i Brigadës së Shtatë Kosovare, botuar në portalin Radio Kosova e Lirë).
  2. Krojmiri 1455-1999, Prishtinë, 2007.

Të dhëna gojore:

  1. Ramadan Ajeti, Pjetërshticë,
  2. Xhemë Mehmeti, Krojmir,
  3. Agim Rexha, Lypjan.

Kontrolloni gjithashtu

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine (1844-1922), rilindës, atdhetar dhe mbledhës i folklorit

Spiro Dine lindi në Vithkuq të Korçës në vitin 1844. Mori pjesë në Lëvizjen e …