leoni

Xhelal Sveçla u bë edhe më trim pasi “lundroi mbi Ujman”, tani na e solli edhe “lirinë që nuk e kishim”!

Xhelal Sveçla u bë edhe më trim pasi “lundroi mbi Ujman”, tani na e solli edhe “lirinë që nuk e kishim”!

Se sa trim është Xhelal ministri,   këtë e ka vërtetuar prej kohës kur iku nga lufta e UÇK-së, me qëllim që të mos e shpenzojë trimërinë kot, duke i besuar fort vetes se vjen koha kur duhet ta shpallë botërisht, sikur bëri  ditë më parë me rastin e një “shetnje” mbi Ujman, atje kur disa vjet më parë kishte “lundruar” me pjesëtarët e Policisë Speciale edhe Hashim Thaçi” pikërisht në ditën kur Xhela me Kurtin e të tjerë i kishin dhënë flakë  protestës,  në qendër të Prishtinës kundër Qeverisë së Kosovës.

Nuk ka mjerim më të madh sesa kur njeriu rrahë gjoks për veten, duke u munduar t i bind të tjerët me fjalë se sa  trim është. Kjo i nënkupton të gjithat.

Por Xhela edhe kësaj radhe tregoi se sa kapacitete mendore disponon dhe me sa dashakeqësi e  naivitet deklaron se “populli shqiptar nuk është më popull i dobët si dikur e as Kosova nuk është e okupuar”. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës janë të gatshme për t’i dalë zot vendit të tyre, duke lënë të kuptohet se përpara tij askush asnjë institucion i Kosovës nuk i ka dalë zot vendit.   Populli shqiptar nuk është ai populli i dobët, por tani me Kurtin e Xhelën në krye  shqiptarët janë përforcuar tejmase, sa nuk ia marrin fare në dorë, Serbisë.

Ne jemi shtet i pavarur dhe kemi institucione që Janë të gatshme që t’i dalin Zot vendit të vet dhe kemi aleatët më të mirë që kemi pasur ndonjëherë”, ka deklaruar, ministri i Kurtit Xhelali i Sveçlës, i cili vazhdimisht hyn atje ku nuk del dot vetë dhe pastaj ankohet për sjelljet e serbëve në veri, ankohet se po i plagosin policët, se po i barrikadojnë rrugët.

Është në karakterin e tij që të gjitha meritat t ia vesh vetes, sikur ato  të ishin ndonjë pallto e sapo blerë në shitore.

Ministri kishte edhe një inat për vizitën e kryeministres së Serbisë, Brnabiq në tërë veriun e jo vetëm në Ujman. Në fjalimin e saj nacionalist Brnabiq, pa ndonjë frikë ne Xhelali i cili po lundronte mbi Ujman,   la të nënkuptohet se Veriu qeveriset nga Beogradi dhe procesi i legalizimit do të bëhet  fillimisht me asociacion e pastaj sipas rrethanave.

Tani që Xhelali me disa policë është fotografuar duke lundruar mbi Ujman, krejt punët janë vënë në rregull, sepse ky edhe ka qenë qëllimi i tij, pasi beson fort se tani jemi çliruar për së vërteti, vitualisht i beson fotos së vetë, që tani e tutje e mbanë në kabinet,  me bindjen  se  populli shqiptar nuk qenka më i dobët, prej kur e ka Xhelalin ministër, por as Kosova nuk qenka e okupuar prej kur shtetin e  qeverinë i drejtojnë: Vjosa, Albini  e Glauku  e me ta edhe “trim më trimi”, Xhelal Sveçla.

Deklaratat e konstatimet e Xhelal Sveçlës, flasin vetë se ku jemi dhe çka na pret, flasin për të gjithë ata që mendojnë esëll, sepse me  veprime e improvizime të tilla naive, me mungesë elementare të seriozitetit dhe pamundësisë mendore për ta perceptuar  realitetin, që mbretëron në vend, për ditë e më tepër po përfiton Serbia.

Dhe ja vetëm një shembull, sesi përfiton dhe  godet me tërë mizorinë  Serbia.

Ajo mori vendim  që himni serb, “Bozhe Pravde” të intonohet edhe në shkollat shqipe të Kosovës Lindore. Kjo është goditja më mizore e mundshme e Serbisë për t’ua bërë të pamundshme shqiptarëve  jetën në trojet e veta dhe për t i detyruar të  shpërngulur nga atje. Në radhë të parë ai është himn fetar, nacionalist.   Detyrimi i nxënësve shqiptarë për këndimin  e himnit të shtetit të Serbisë në gjuhën serbe, është kulmi i mizorisë, që di të bëjë një shtet kundër atyre që i konsideron pakica kombëtare.

Çka mund të bëjnë shqiptarët atje, të cilët unanimisht kërkojnë t i bashkohen Kosovës, kur politika aktuale e  Albinit e Vjosës nuk i do, sepse janë betuar se nuk do të ketë shkëmbin territoresh mbi baza etnike, në radhë të parë sepse kjo ka qenë ideja edhe e Hashim Thaçit, dhe tërë kjo  do ta ulte “kredibilitetin” e klasës së sotme politike të Kosovës, e cila do ta humb edhe “de iure”  Veriun ashtu  sikur e ka humbur qe 23 vjet,  por do të humb edhe tri komunat shqiptare nën Serbi, vetëm për kryeneqësi, pa dituri, mbi të gjitha për urrejtje kundër të gjithë pushtetarëve prej vitit 1999 e deri kur  një vit e gjysmë më parë Kurti e mori qeverisjen me Vjosën e LDK-së, e cila e ndau partinë e saj për t u bërë kryetare dhe iu bashkua Albin Kurtit.

Në pamundësi për kundërvënie me reciprocitet kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se ky  vendim i Serbisë nuk përbën rast demokratik e human, duke shfaqur hapur se  ai  të dëshironte, që Serbia përballë shqiptarëve të tregohej humane e demokratike.  Dhe ja si shprehet Serbia me gojën e Vuqiçit pas takimit në Beograd me emisarin e BE-së, Mirosllav Lajçak dhe këshilltarët e autorizuar  nga kancelari gjerman Sholc  dhe   kryetari i Francës Macron.

Kryetari i Serbisë, Aleksander  Vuçiq, pas takimit, në Beograd  ka publikuar një fotografi me tre zyrtarët evropianë, duke deklaruar krejt lirshëm dhe troç  se Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Për më tepër ai ka  saktësuar se me tre përfaqësuesit ka mbajtur qëndrimin që Serbia është e gatshme për zgjidhje kompromisi, vetëm në pajtim me Kushtetutën e Serbisë, e cila në preambulë  e njeh Kosovën si provincë të saj dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Nuk ka dorëzim, ka shkruar Vuçiq, duke i bërë të ditur jo vetëm Albin Kurtit, por edhe Macronit, Sholcit, Lajçakut, pse kjo edhe Blinkenit e Borellit se rasti i Kosovës në OKB është i pandryshueshëm, se botërisht dihet se ende është në fuqi rezoluta  1244 e KS të OKB-së, e cila e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, pavarësisht se Kosova është shpallur shtet i pavarur më 12 shkurt të vitit 2008.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

9.9.2022

Kontrolloni gjithashtu

Erion Veliaj: Ali Ahmeti një personalitet politik që nderon edhe Tiranën

Një shqiptar ndër më të mirët, një luftëtar që politikën e diplomacinë i ka kthyer …