XHEMAIL PECI: ARBRESHA KELMENDI-RAMADANI DHE PRIVILEGJI I DRITËS SË FJALËS I

XHEMAIL PECI: ARBRESHA KELMENDI-RAMADANI DHE PRIVILEGJI I DRITËS SË FJALËS – I

Do ta duam gjuhën shqipe, sepse kjo gjuhë për mijëra vjet shprehu mendimin e sa e sa miliona njerëzve të një gjaku me ne, sepse fati i saj qe fati i Shqipërisë, jeta e saj historia jonë, mbretërimi i saj madhështia jonë. Ta duam, sepse fjala e saj na del nga fundi i shpirtit bashkë me çdo njësi tonën, trazohet me mendimet tona që prej burimit të tyre e më thellë, dhe nuk është vetëm trajtë, kumbim, ngjyrë, por krejt jeta e mendimit tonë. Do ta duam, sepse është ushqim mendor yni, fryma e mendjes dhe e shpirtit tonë, sepse është shprehja e vetisë më të madhe të cilësive të veçanta të kombit tonë, fytyra më e gjallë dhe më fisnikja, gati-gati natyra vetë e racës sonë. Do ta duam, sepse është lidhja më e fortë e njësisë sonë si popull, ushtima e së kaluarës sonë, zëri i ardhmërisë sonë, jo vetëm fjala por qenësia e shpirtit të Atdheut. Do ta duam gjuhën shqipe, sepse është e bukur, shumë e vjetër dhe shumë e fuqishme.  (K. Gurakuqi, publicist dhe iluminist shqiptar, Dashunija për gjuhën shqipe, 1942)

Ardhja e Arbreshës – një ogur i bardhë

Ardhja e saj është pritur sepse është ditur se një ditë ajo ka për të torkitur në portën e madhe të kulturës, ku përhapja e dritës së fjalës përbën një privilegj në vete. Është ditur se herët a vonë, një ditë Arbresha ka për të trokitur në dyert e mëdha të mediumeve të mëdha. Shfaqja e saj në një sfond të tillë, në të cilin mishërohen aq bukur drita e fjalës dhe pesha që ka fjala, është pritur sepse është ditur që moti se një kuadër i tillë, i dalë nga dyert e Fakultetit të Gazetarisë ‘Faik Konica’, nuk e meritonte të qëndronte në prapavijë.

Pra, edhe një arsye më shumë pse ardhja e saj jo vetëm që është pritur por gjthsesi edhe është mirëpritur.

Që në paraqitjen e saj të parë në Klan Kosova, ka rënë në sy dhuntia e saj, aftësia e saj, përkushtimi i saj, profesionalizmi i saj, përmasa e bashkëbisedimit, rrjedhshmëria e të folurit bukur dhe qartë, intuita për intervistën, përgatitja e duhur, si dhe qartësia e artikulimit të ideve në rrafshin e intervistës.

Tek Arbresha fjalia është e thukët, shpesh e menduar mirë dhe e shpalosur bukur prandaj pikërisht fjalia është sinteza e mendimit të saj, kurse fjala me peshën e saj është vetë privilegji i dritës, përkushtimi dhe modestia është trashëgimia që ia kanë falur pararendësit e saj, si në fushën e gazetarisë televizive (Qazim Kelmendi), po ashtu edhe në fushën e fletorarizmës shqiptare (Ramiz Kelmendi), rrjedhshmëria e të folurit qartë dhe bukur në vetvete bart përmasën e një ligjërimi të hollë e përplot takt, shkathtësi dhe tipare këto me të cilat ajo e ka bërë për vete auditorin e saj në rritje e sipër.

Gjithsesi, në sfondin e larmishëm të emisioneve që përgatit Arbresha, vërehet qartë dashuria që ka ajo për gjuhën shqipe dhe për kulturën shqiptare, njohuria që ka ajo për jetën, për veprën dhe për sukseset e bashkëbiseduesve të saj, e që janë njerëz të fushave të ndryshme si dhe të arritjeve të ndryshme, brenda dhe jashtë atdheut. Të ftuarit e emisioneve të saj janë bashkatdhetarët tanë, të cilët në vete mishërojnë misionin dhe vizionin e një brezi që e ka formuar dhe shqiptuar identitetin e tij mjaft zëshëm, kudo që ka jetuar, punuar dhe vepruar.

Secili syresh veç e veç dhe që të gjithë së bashku, pra njerëz të fushës së arsimit, të kulturës, të artit, të letërsisë, të mësuesisë, të muzikës, të diplomacisë apo edhe figura të jetës publike e politike, kanë sa nderin po aq edhe kënaqësinë të jenë të ftuarit e saj, sepse në studion ku ata janë të ftuar, gjejnë jo vetëm mikrpitjen e ngrohtë e sjelljen fisnike por gjithsesi edhe një bashkëbiseduese të denjë, e cila i prin sfondit të bisedës duke e shpalosur ate në rrafshin e sinkronisë dhe të diakronisë, gjejnë një bashkatdhetare e cila njeh mjaft mirë temëm që rrah, bisedën që shpalos, çështjet që shtjellon.

Duke qenë të ftuar nga Arbresha dhe duke qenë të mirëpritur nga ajo, duke e ditur se ajo u gëzohet arritjeve të tyre dhe duke qenë njëlloj të bindur se ajo edhe krenohet me sukseset e tyre,  secili syresh veç e veç dhe të gjithë së bashku, gjejnë një hapësirë komunikimi ku përçohen ide dhe shpalosen porosi, ku dëshmohen përvojat dhe ku paraqiten arritjet e tyre të shumta: gjithmonë nëpërmes një bashkëbisedimi të çiltër, të natyrshëm, të dyanshëm, të qartë dhe njëlloj të vetvetishëm në rrjedhat e emisionit që udhëhiqet nga Arbresha.

Po ta kundrosh me vëmendje rrjedhën e emisioneve të saj, po ta shikosh me vëmendje paraqitjen e saj, po ta analizosh me kujdes shpalosjen e bisedës që bën ajo, po ta përcjellësh me kureshtje ritmin e bashkëbisedmit që bën ajo në bisedat e shumta, po të krahasosh personalitetet dhe individualitetet krijuese që ajo fton në emision, doemos që do hasësh një dukuri të rrallë, gati-gati të bjerrur në mediumet e nduarduarta, një dukuri e cila më shumë se kaq në vetvete përbën një fenomen: fenomenin e privilegjit të dritës.

Që në emisionin e saj të parë e deri më sot, që në paraqitjen e saj të parë e deri më sot, që në ardhjen e saj në këtë portë mediale, vetvetiu vërehet një paralajmërim, paraljmërimi se një trokitje e tillë që gjithsesi paraqet edhe një ardhje të rrallë, në vetvete mishëron një ogur të bardhë sepse ajo mëton të shpalos sa një mision po aq edhe një vizion, misionin e së djeshmes në emisionin e të sotmes, si dhe vizionin e të sotmes kundruar nga prizmi i së ardhmes.

Gjithsesi edhe një lajmotiv më shumë, lajtmotivi i të gjitha breznive orëmira: Privilegji i dritës së fjalës! Ndërkaq, e bukura dhe e madhërishmja e një privilegji si ky, nuk është vetëm njëkahëshe, sepse ai shpaloset në plotninë e tij, gjithmonë sipas prizmit të bashkëbisedimit në raport me të ftuarit në emision si dhe me audiencën.

Ky raport, kjo ndërthurje, ky mishërim, kjo ndërvatësi, ky komunikim, kjo veçanti, kjo risi, kjo trini përbën një vlerë në vete dhe si e tillë kjo vlerë lartëson një emision si ky.

Biseda me Inva Mulën

Prologu i përzgjedhur për bisedën me soprano e njohur e me famë botërore, është një paralajmërim për një bisedë të veçantë, bisedë e cila është pararendëse e emisioneve të shumta që do të pasojnë më tej:

‘Inva faleminderit për besimin që të jesh ikona prijëse e një emisioni të ri që unë po drejtoj në Radio Klan Kosova. Unë dua të flasim për pjesën tënde njerëzore, për ngjarje dhe gjëra që nuk janë thënë më parë, ndoshta. Si e kujton rrugëtimin tënd muzikor duke nisur që nga fëmijëria?…’

Në këtë bashkëbisedim, Inva Mula shpalos dromca nga fëmijëria e saj, flet për dashurinë e prindërve, adhurimin e tyre për artin dhe të jetuarit me artin – ‘një edukim i mirëfilltë muzikor’ i të dy motarve, përkujdesin e veçantë për edukimin e vajzave, për çastet e paharruara lidhur me hapat e parë në publik, si dhe për krenarinë dhe filozofinë e madhe njerëzore të një artisti të madh siç ishte Avni Mula: ‘Tani e tutje nuk je më vajza e Avniut por unë jam babai i Invës’. Padyshim jo vetëm një krenari e ligjshme por edhe një profeci për sukseset e së bijës.

Inva flet me krenari, me mostalgji por edhe me plot pietet për një origjinë familjare, për prindërit e mishëruar me bukurinë, elegancën, botën e librit dhe atë të muzikës.

‘Avni Mula, fëmija i shtatë i Osman Mulës, e la Kosovën si fëmijë dhe vajti në Shkodër, e cila i priti me zemër të hapur. Babai ishte i dyzuar: Shkodranët e quanin shkodran, kosovarët e quanin kosovar…Ai e pa Kosovën në vitet 70, kur Ansambli i Këngëve dhe Valleve shkoi në Kosovë. Ai shkoi në Prishtinë dhe në Gjakovë.’

E kush nuk e mban mend koncertin e madh të atij viti, paraqitjen madhështore e përplot dhunti, zërin oshëtimë të Avni Mulës (me këngën e tij të paharruar Vajza me kaçurrela), të Ibrahim Tukiqit, Violeta Zefit, Bik Ndojës etj. Salla gjëmonte nga thirrjet dhe duartrokitjet për t’u kthyer prapë në skenë dhe për ta kënduar po të njëjtën këngë…

Viktor Hygo ka thënë me të drejtë se neve na prijnë shpirtrat e mëdhenj, prandaj kundruar nga ky prizëm, duke e vazhduar bisedën tutje, Arbresha përkujton me vend se: ‘Ne si shoqëri kemi nevojë për modele frymëzuese, e Inva Mula është e tillë për të gjithë brezat. Pra, e ka mbajtur lart një mbiemër të famshëm, i ka dhënë përmasa botërore atij mbiemri. Djali i saj Antoni, po ashtu kompozon një gjini muzikore moderne, mbase edhe vajza e saj Nina do ta lartësoj edhe më shumë trashëgiminë e madhe të një familje artistësh.’

Inva Mula nëpërmjet bisedës së saj evokon kujtime për jetën në Paris, për momentet emocionale sa dhe krenare të kthimit në Moskë-koncertin në po të njëjtën sallë ku ka shkëlqyer edhe bababi i saj Avni Mula, në vitin 1956, në Konservatoriumin ‘Çajkovski’, si dhe të interpretimin e saj artisik për herë të parë në Kosovë, diksutimi për jetën bashkëshortore me z. Hetem Ramadani, për Ninën dhe prirjet e saj.

Inva shpalos kështu faqe kujtimesh krenare, me një përshkrim të gjallë sa dhe mbreslënës: ‘Dhjetor, dëborë, acar në Moskë. Madhështia e një konservatoriumi me famë botërore’, ku siç thotë Imva: ‘çdo pikëpamje, çdo frymëmarrje dëgjohej; tingulli i zërit, tingulli i instrumentit merrte vlera, sa ti vërtet mrekulloheshe me tingujt e zërit tënd’.

Pyetjet që shtron Arbresha prekin fushën e jetës e të artit, fushën e muzikës e të jetës bashkëshortore. Ndërkaq, Inva përgjigjet përplot takt, përgjigje që ngjallin kërshëri sa dhe krenari, si tek bashkëbiseduesja ashtu edhe tek audienca.

‘Një koncert ëndërr. Prindërit e mi ishin në sallë. Vlera e një artisti të madh edhe pas pesdhjetë vitesh, nuk ishte shuar.’

Ajo flet gjithashtu me kënaqësi dhe dashuri të veçantë edhe për koncertet e saj të shumta në Kosovë, ku gjithmonë publiku e ka mirëpritur, e ka duartrokitur dhe e ka adhuruar zërin e zemrës së saj të madhe, si dhe artin e shpirtit të saj të madh:

‘Koncerti më mbreslënës në Kosovë, ka qenë ai i vitit 2003, në Gjakovë. Gjakova ishte mbushur plot me afishe të koncertit. Në vendlindjen e babait….Pastaj kënga Lulëzoi fusha, lulëzoi mali, këngë të cilën babait ia kishte kënduar e ëma. E vetmja këngë që kemi kënduar së bashku me babanë…Kujtime të përjetshme. Koncerti më i bukur dhe më mbreslënës ka qenë në Gjakovë.’

Pastaj biseda përëqëndrohet tej jeta dhe arti i të jetuarit, tek ajo që Inva e quan filozofia e mirëqenies personale, pesha që ka paqja mendore si dhe paqja shpirtërore…

Edhe në bisedën e zhvilluar me Arbresha Kelmendin, Inva Mula dëshmoi sërish se është një emër që nderon dhe lartëson një komb të tërë, përderisa zëri i saj ngjitet lartësive qiellore si një ansambël i tërë, si një filharmoni e tërë, tepër e rrallë në dhuntinë dhe në madhështinë e vet.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …