Adem Demaçi

Xhevat Hasani: Reduktimi i Adem Demaçit nga një Vizionar e Hero i gjallë në një «bac!»

Me 26 shkurt të vitit 2024 me rastin e 88-të vjetorit të lindjes së Adem Demaçit, lidhur me jetën dhe vepren e tij para ekraneve televizive të Kosovës folen disa ish- të burgosur politik: miq, shokë, bashkëvuajtës dhe bashkëpunëtorë të Adem Demaçit.

Por, këta ish-të burgosur politik, miq e shokë të Adem Demaçit, për ta treguar para publikut afërsinë e tyre shoqërore e miqësore që kanë pasur me Adem Demaçin, si edhe herë të tjera edhe kësaj here, nuk iu referuan atij si Adem Demaç, por iu referuan si bac: baci, baci, baci…!, kjo sikur emri i Adem Demaçit që në lindje të tij të kishte qenë «Bac» dhe jo Adem Demaç.

Por, Adem Demaçi nuk ka qenë thjesht një fshatar i virtytshëm të cilin njerëzit nga respekti kudo që e kanë parë, i janë drejtuar me fjalët: Si je bac?, A mujte bac!, Çka ka të re bac?, A po vjen me pi kafe bac?, etj.

Jo, Adem Demaçi para se të ketë qenë një «bac» i ndershëm, ai ka qenë një Idealist e Revolucionar i madh, ka qenë një Shkrimtar, një Vizionar e Çlirimtar, si dhe ka qenë një Hero i gjallë. Prandaj, është e mekatshme që një Adem Demaç të tillë, të pakund shoq në botë, ta reduktosh thjesht në një «bac», siç kanë bërë e bëjnë shumica e ish-të burgosurve politik, kuptohet pa ndonjë qëllim të keq.

Nëse Ibrahim Rugovës i thuhet President Historik i Kosovës atëherë shtrohet pyetja: Pse Adem Demaçit të mos i thuhet Udhëheqës e Udhërrëfyes Historik i Kosovës. Adem Demaçi duke filluar që nga vitet e 50-ta e deri në vitet e 90-ta të shekullit të 20-të, de fakto ka qenë dhe ka mbet Udhëheqësi dhe Udhërrefyesi i pazëvëndësueshëm i Kosovës dhe i shqiptarëve të saj. Dhe kjo është një vërtetë e madhe sa bjeshkët dhe malet.

Nga ana tjetër, shtrohet pyetja: Pse në Prishtinë nuk është ngritur shtatorja e Adem Demaçit, e këtij  Kolosi Legjendar të Kosovës? Vërtet edhe çka tjetër është dashur të bëj Adem Demaçi për Kosovën, për ta merituar edhe ai që ta ketë shtatoren mu në mes të Prishtinës: te ajo zyrja e vogël ku ai si përfaqësues kryesor politik i UÇK-së ka qëndruar gjatë luftës, pa iu trembur syri nga forcat serbe.

Askush nuk mund t`a shkëpusë emrin e lavdishëm të Adem Demaçit nga emri i lavdishëm i Kosovës, dhe askush nuk mund t`a shkëpusë emrin e lavdishëm të  Kosovës nga emri i lavdishëm i Adem Demaçit.

Ska dyshim se ka ardhur koha që të vihet në vend nderi dhe dinjiteti kombëtar dhe politik i Adem Demaçit një ditë e më parë.

Kontrolloni gjithashtu

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i …