Ylli Mece

Ylli Meçe: A janë vjetruar idetë e Marksit, Leninit…Enverit, apo ngelin aktuale?

Marksizmi si një ideologji e proletariatit të organizuar si klasë lindi në kushte të caktuara historike dhe shoqërore, lindi gjatë por dhe në pas kohën e revolucioneve të borgjezisë kundër monarkisë.

Filozofët e lashtësisë me idetë e tyre projektonin shoqërinë e të ardhmes, ëndërronin për një barazi sociale por askujt nuk i shkoi nder mend se cilat ishin arsyet e vërteta që bota në fakt ruante skllavërinë.

Në këtë marramendësi idesh do të sorollateshin dhe filozofët e tjerë paramarksistë të cilët endeshin me ide të çoroditura që thjeshtë ishin projekte e mendësive individuale. Do të ishin luftërat e skllevërve kundër skllavopronarëve sikurse dhe luftërat e bujqve dhe bujkrobërve të udhëhequra nga borgjezia kundër sistemit feudal, që do t’i hapin rrugë sistemit kapitalist, sikurse nga ana tjetër do të ishin përpjekjet e proletarëve komunarë të Parisit të cilët për herë të parë në histori do të tentonin vendosjen “ Vllazërimit- Lirisë- dhe Barazisë”.

Por ata dështuan.

Dështuan sepse Komuna e Parisit nuk udhëhiqej nga një parti komuniste me ide dhe vizion të qartë, përkundrazi atë e përshkonin idetë oportuniste të Prudonit dhe Bakuninit të cilët shpresonin në evolimin e borgjezisë, se ajo gradualisht do njehsohej me shtresat e tjera të shoqërisë duke u shkrirë me proletariatin, madje dhe vet fjala “komunizëm” e ka origjinën nga komuna e Parisit.

Gjithsesi një sy i vëmendshëm, vëren se shoqëria njerëzore për të kaluar nga një formacion në një tjetër, është karakterizuar nga një luftë midis të pasurve dhe të varfërve, pavarësisht nëse ishin borgjezë, feudalë, skllavopronarë, me anën tjetër të cilët ishin skllevër, bujkrobër apo dhe masë e gjerë proletarësh.

Pikërisht është meritë e Marksit ajo që ai theksoi se është pikërisht lufta klasore ajo e cila ka kaluar shoqërinë nga një stad më i ulët zhvillimi në një më të lartë. Po pse zhvillohet kjo luftë klasore dhe cilat janë arsyet e vërteta të saj.

Pikërisht një nga idetë gjeniale të Marksit qëndron te fakti se ai për herë të parë duke dalë përmbi të gjithë filozofët e tjerë përcaktoi me saktësinë më të madhe se burim i kësaj lufte është kontradikta themelore midis punës dhe prodhimit dhe brenda kësaj midis atyre që prodhojnë të mirat materiale dhe atyre që përvetësojnë padrejtësisht një pjesë të këtij prodhimi, prodhim ky i cili lidhet direkt me mënyrën e shpërndarjes së të mirave materiale por që dhe konvertohet me shpërblim sipas punës.

Marksi saktësoi se në të gjitha shoqëritë me klasa e veçanërisht në kapitalizëm punëtori vidhet në mënyrë të hapur nga kapitalisti. Puna dhe prodhimi dhe pse kanë karakter shoqëror, shpërndarja e saj ka karakter privat. Kjo do të thotë se kapitalisti e paguan punëtorin jo aq sa meriton të bëjë një jetë normale, por i jep minimumin e mundshëm sa për të jetuar që ta ketë dhe të nesërmen në punë. Pjesën tjetër kapitalisti e  përvetëson fare hapur. Dhe ç’duhet bërë për këtë ?

Manifesti Komunist e cila është e ngelet “kënga e këngëve të marksizmit” përcakton jo vetëm rolin e proletariatit në barrikadat e luftës klasore, por dhe rolin e partive komuniste për të organizuar drejtuar dhe orientuar zemërimin klasor të proletariatit kundër borgjezisë që shkurtimisht quhet “Revolucion proletar”.

 Në një kohë ku mbi më shumë se 90% e universiteteve ekonomike kanë kapituj të veçantë për studimet e tij në fushën e ekonomisë politike, gjenden të ashtuquajtur filozofë, analistë, opinionistë të brendshëm por dhe të huaj të cilët e anatemojnë Marksin dhe komunizmin. Veçse ata për shkak se nuk arrijnë dot të konceptojnë dialektikën e zhvillimit, për rrjedhojë as mundet dot që të kuptojnë, se proletariatin e zemëruar si klasë dhe Partitë komuniste që i udhëheqin ato, në rrugën e revolucioneve proletare është vet borgjezia shtypja e shfrytëzimi i egër e barbar që u bën kapitalizmi, është pikërisht klasa sunduese e cila dhe pse nuk dëshiron, i çon domosdoshmërisht drejt kësaj rruge, ndaj dhe borgjezia, kapitalizmi dhe faza e tij më e lartë imperializmi, janë të shkaktarët e vet dënimit të tyre me vdekje.

Proletarët nuk janë gjë tjetër veç varr rrëmihësit e tyre. Në kushtet e imperializmit e cila është faza e fundit e kapitalizmit kontradiktat vijnë duke u ashpërsuar dhe më tej, sepse tashmë duke qenë se imperializmi synon shtrirjen e vet ndërkombëtare për sigurimin e shesheve te tregjeve dhe eksportin e kapitalit në arenën ndërkombëtare , kontradiktat dhe lufta klasore dhe vet ajo merr karakter ndërkombëtar kështu që parulla “Proletare të të gjitha vendeve bashkohuni” e Marksit lindi pikërisht nga karakteri ndërkombëtar i shtypjes dhe shfrytëzimit kapitalist dhe imperialist.

Imperializmi duke qenë se kalon nëpër tre faza, (atë të lindjes, zhvillimit në pikën më të lartë), fillon mbas këtyre tre fazave dhe dekadencën e vet, që është dhe pragu i revolucioneve të pa shmangshme të proletariatit kombëtar apo dhe ndërkombëtar kundër imperializmit të udhëhequra këto nga Partitë Komuniste. Kjo është gjithashtu e pa shmangshme, është ligjësi, duan apo s’duan partitë, do apo s’do borgjezia këtë gjendje nuk mund ta durojë dot proletariati.

Një tipar tjetër karakteristik i imperializmit është dhe agresiviteti i tij dhe konkurrenca brenda për brenda kampit të vet imperialist.

Globalizimi i ekonomisë, korporatat e gjithë andejshme shumëkombëshe e kanë integruar ekonominë globale deri ne atë pikë, sa dhe vet brenda për brenda imperializmit nëse një shoqëri multinacionale e një vendi imperialist, si rezultat i luftërave vihet në vështirësi të mëdha, ajo si në “efektin domino” rrëmben në vorbullën e vet dhe aleatët dhe kundërshtarët. Kjo tashmë duket e qartë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Krizën nuk e përjeton vetëm Rusia nëpërmjet sanksioneve që po i vendos Evropa, por dhe vet Evropa po shkon drejt një krize të madhe. Duke qenë se krizat e mëdha ekonomike janë bashkëudhëtarë të kapitalizmit dhe imperializmit rrënojnë jetën ekonomike të popullit dhe rritin në një masë të ndjeshme pakënaqsitë dhe zemërimin popullor, kështu që me qëllim që të shmangin revolucionet proletare pra të luftës së proletariatit kundër borgjezisë, imperializmi për të dalë nga kriza fillon luftrat agresive.

Lufta Rusi -Ukraine nuk është thjeshtë një dukuri nacionale që Rusia kërkon të zhvendos vëmendjen. Ukraina është thjeshtë një pretekst, sepse Rusia që tashmë e konsoliduar në rrugën e vet imperialiste kërkon të ri shtyjë dhe rishikojë kufijtë drejt Perëndimit, sikurse ishin gjysmë shekulli më parë.

Zgjerimin e Perëndimit me ish vendet e Bllokut lindor, Rusia e car Putinit e shikon si “padrejtësi historike” që u bëhet popujve pan sllavë. Aleanca e këtyre ish vendeve të bllokut lindor me perëndimin i vjen për shtat Amerikës dhe Evropës për të dobësuar influencën e imperializmit rus, por nga ana tjetër ka ngritur në alarm dhe vendet që kërcënohen nga pikëpamja nacionale, sikurse dhe vendet e tjera me orekse imperialiste si Kina, Japonia, Kanadaja, India Anglia Australia etj etj.

Me qëllim që të justifikojnë krizat e mëdha që po kalojnë vendet imperialiste dhe superfuqitë, mundohen që ta largojnë vëmendjen e popujve nga krizat e mëdha, duke nxitur me këtë rast ndjenjat nacionale, sidomos në Ballkan i cili ka qenë dhe ngelet fuçi barot pikërisht për vet padrejtësitë që ja ka shkaktuar Evropa.

Flitet shumë dhe shkruhet se jemi në prag luftën e tretë botërore, por asnjëherë nuk flitet se kush janë shkaktarët e vërtetë. Anatemohet Rusia një vend imperialist që është po aq imperialist sa vet Evropa Amerika Kina, Anglia e Japonia, se gjoja ajo na qenka shkaktarja e vërtetë e luftës. Jo !

Rusia mund të jetë preteksti sepse të gjitha vendet imperialiste janë të gatshme ta hedhin përsëri globin në një kacafytje të madhe me përmasa tragjedie deri në apokaliptike janë të gatshëm të lëshojnë gjithë arsenalin bërthamor dhe për këtë qëllim kërcënojnë njëra, tjetrën.

E çfarë po bën më shumë Rusia nga çka bërë Amerika në Kubë, Nikaragua, Kore, Vietnam Kamboxhia Laos Kongo Irak Afganistan? Franca imperialiste e kolonialiste është po ajo e kolonive. Edhe sot kjo Francë që merr rolin e ndërmjetësit me carin Putin u merr “taksën e pavarësisë” 14 vendeve afrikane, thjeshte ngelet një Francë neokolonialiste.

Evropa hiqet humanitare dhe po zëvendëson Selinë e shenjtë duke u lutur çdo ditë për paqe teksa kërkon të ndezë luftën. Nuk ka imperializëm të mirë, më pak të mirë apo imperializëm agresiv. Tiparet që ka përcaktuar Lenini për natyrën e tij janë e ngelen postulate të pa lëvizshme të vërtetuara katërcipërisht nga historia e zhvillimit të shoqërisë njerëzore ne fazën kur sundues është imperializmi, veçse duhet nënvizuar se këto tipare shfaqen në periudha të caktuara dhe në kohë krizash.

Imperializmi kudo që të jetë dhe në pikën më të largët të Globit është një rrezik i madh, është e ngelet burim i luftërave agresive. Po kush mund ta bëjë zap dorën gjakatare të imperializmit?

Atë mund ta bëjnë vetëm popujt.

Në vendet ku imperializmi ndërhyn me luftë pushtuese duhet që të gjithë popujt ta presin me luftë çlirimtare dhe këtë luftë ta kthejnë dhe në revolucion proletar e me këtë rast të zhdukin një herë e përgjithmonë shtypjen e njeriut. nga njeriu dmth, pa barazinë shoqërore.

Ky akt do të frymëzonte popujt dhe flaket e revolucionit do të përpinin jo vetëm një imperializëm por gjithë imperializmin botëror. Por popujt nuk duhet të presin të ketë luftëra imperialiste dhe pastaj të ngrihen. Ky do të ishte një gabim i rëndë. Brenda për brenda vendeve kapitaliste dhe imperialiste atje ku janë pjekur kushtet dhe Partitë Komuniste janë në rolin e luftëtarit pararojë duhet të nisin e ta kërkojnë lirinë e vërtetë të tyre nëpërmjet revolucionit proletar, i cili shërben për të hequr një herë e përgjithmonë skllavërinë ekonomike të njeriut-nga njeriu. Shkurt ky është revolucioni proletar i analizuar me aq principialitet nga Enver Hoxha në veprën e vet madhore “Imperializmi dhe Revolucioni”.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …