Brickos

Zafir Berisha: Remzi Ademaj ishte e do të mbetet njëri ndër patriotët, ideologët e luftëtarët më të shquar të UÇK-së

Zafir Berisha: Remzi Ademaj ishte e do të mbetet njëri ndër patriotët, ideologët e luftëtarët më të shquar të UÇK-së

Remzi Ademaj (3 Qershor 1952 – 15 Gusht 1998)  u lind në fshatin Zhur te Prizrenit. Remzi Ademaj ishte dhe do të mbetet njëri ndër patriotët ,ideologët, luftëtarët dhe komandantet më të shquar ne mbare Kosovën, është i njohur edhe me nofkën e luftës “Komandant Petrit Kodra”. Për të siguruar ekzistencën e familjes mori rrugën e mërgimit. Me veprimtari politike – patriotike aktivisht filloi të merret nga viti 1979. Në Shtutgard te Gjermanisë̈ bie në kontakt me vëllezërit Gërvalla dhe patriotin Kadri Zeka, nga të cilët edhe më shumë u brumos me ide patriotike – kombëtare. Por vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës do të jetë një ngjarje e errët për të, por ajo ngjarje do të jetë për Remziun shtim i urrejtjes së mëtutjeshme ndaj regjimit serb. Aktiviteti i tij patriotik u hetua nga bashkëpunëtoret e UDB-së jugosllave dhe ai me 11 dhjetor 1985 arrestohet nga policia italiane, e cila pastaj ia dorëzoi policisë jugosllave. Nga gjykata e instaluar serbe në Kosovë, ai dënohet me 6 vite burgim të rëndë̈, të cilin e vuajti në burgjet e Lepogllavës, Gospiqit dhe të Stara Gradishes në Kroaci. Pas vuajtjes së dënimit ai nuk e ndali aktivitetin e vet patriotikë – kombëtar, përkundrazi veproi edhe më me përkushtim. Ai përsëri burgoset dhe dënohet me 3 vite e gjysmë heqje lirie. Përkundër se ndjekej nga sigurimi shtetëror serb i kohës (1990 – 1998) ai ishte shumë aktiv në të mirë të çështjes kombëtare dhe ishte venë ne ballët e proceseve progresive te cilat po zhvilloheshin aso kohe siç̧ ishte formimi i partive politike shqiptarë në Kosovë, organizimi i strukturave paralele të shqiptareve të Kosovës e të ngjashme. Ishte nismëtari kryesor për formimin e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nena Terëzë” në Zhur.

Themeluesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Zhur, themelues i Shoqatës kundër Analfabetizmit në Zhur, Këshillit të Hipokratit në Zhur etj. Remzi Ademaj dha kontribut të çmuar edhe në mbijetesën e arsimit dhe shkollës shqipe në Zhur dhe lokalitet ne vitet 1990 – 1998, pikërisht në kohen kur Serbia u angazhua për zhbërjen e saj, ai nuk hezitonte që të ndihmonte Këshillin për Financim të Zhurit në mbledhjen (grumbullimin) e mjeteve materiale për kompensimin e pagave të punëtorëve arsimorë të Zhurit dhe lokalitetit. Remzi Ademaj ishte njeri i fjalës, i aksionit, humanist, i drejtë, arsimdashës dhe mbi të gjitha ishte vizionar, trim dhe sypatrembur. E deshi artin letrar, muzikor, sportin etj. Nën udhëheqjen e tij, u përgatit dhe u shfaq drama “Procesi” e Jusuf Gërvallës, ai gjithashtu shkroi edhe dramën „Hana“.

Remzi Ademaj forcave çlirimtare iu bashkua që në ditët e para të formimit të njësiteve të tyre. Më 26 qershor 1998 në Malsi të Vërrinit (shtëpinë e Seladin Kryeziut) në prezencë të anëtareve të njësitit “Petriti” Xhevat Berisha, Zafir Berisha, Selim Krasniqi, Selajdin Berisha, Ismajl Kryeziu, Naser Berisha, Xhemshit Krasniqi, Hajrim Qengaj, Mursel Osmani dhe Elbasan Shoshaj emërohet në detyrën e Komandantit të Shtabit Lokal të UÇK-së për Prizren. Nën udhëheqjen e Komandant Petritit njësitet e UÇK-së, në rajonin e Prizrenit arritën me sukses të plotë të zmbrapsin të gjitha sulmet e forcave serbe dhe të dalin fitimtarë në shumë beteja, njëra ndër këto beteja ishte ajo e datës 7 korrik 1998 tek vend i quajtur “Laku i Billushës” dhe beteja e zhvilluar më daten 16 korrik 1998 e zhvilluar ne tri pikat : Tusuz, te Kullla e Hoqes dhe Billushe. Me rastin e ristrukturimit te UÇK-se ai thirret nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së më 14 gusht 1998 në Kleçkë, për të marrë detyra të reja. Ai emërohet Komandant i parë i Zonës Operative të Pashtrikut.

Rrugës duke u kthyer nga Kleçka, gjatë një̈ lufte të pabarabartë por titanikë, në fshatin Nashec, ai bie heroikisht në altarin e lirisë ( 15 gusht 1998). Me nderime te larta ushtarake, trupi i tij varroset ne fshatin Lybeqevë (Malësi e Vërrinit) me 16 gusht 1998. Pas përfundimit te Luftës, ai rivarroset ne Varrezat e Dëshmorëve ne fshatin Landovice te Prizrenit. Lavdi Remzi Ademaj-Petriti dhe gjithë dëshmorëve të UÇK-së!.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …