Zeqir Bekolli: Ligji i Pagave Thikë me dy tehe apo bombë e kurdisur?!

Zeqir Bekolli: Hajde Murat Jashari është koha e jote – formo parti!

Prof.Ass. Dr. Murat Jashari është doktor i shkencave juridike, i Programit Kushtetues – Administrativ, pranë Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Njohës i mirë i të drejtës administrative, parlamentare, të punës, të menduarit dhe të shkruarit juridik, të komunave, të mediave, të elektoratit, të rendit, të sigurisë publike dhe të organizatave joqeveritare. Me një fjalë, njohës i shumë fushave të rëndësishme për shtet ndërtimin e Kosovës. Kur kësaj i shtojmë edhe bagazhin njerëzor e kombëtar, Dr. Murat Jashari na del një personalitet komplet, që në këto momente i duhet skenës politike të Kosovës, për ta ndihmuar vendin të del nga moçalishtja në të cilën e kanë futur grupet dhe strukturat e ndryshme të cilat pos interesit vetjak, nuk panë gjë tjetër.

Rrjedhat dhe rrethanat e reja të krijuara në vendin tonë, por edhe nevoja për ndryshime rrënjësore shtrojnë domosdonë e lindjes së një subjekti të ri politik, në të cilin do të rreshtoheshin intelektualë të pa komprometuar, të pa korruptuar, idealistë dhe të përcaktuar për ta nxjerrë vendin nga pozita në të cilën ndodhet, por edhe për ta quar për para krahas shteteve e popujve tjerë të zhvilluara dhe të civilizuar. Aktualisht përbërja e tashme e dalë nga zgjedhjet e fundit, siç po shihet, nuk do të jetë në gjendje të bëjë kthesa të mëdha, për faktin se aty është një përbërje ndërmjet atyre që për herë të parë marrin pushtetin dhe atyre që kanë ngjyer bukur gjatë në pushtet, gjë që nuk garanton ndonjë kthesë spektakulare çfarë populli e pret.

Ndaj, spektrit politik në vend i nevojitet një subjekt i ri me njerëz të pa korruptuar dhe të gatshëm që t’i shtyjnë për para proceset. E kuptohet se në krye të këtij subjekti duhet zgjedh një njeri komplet si nga ana profesionale ashtu edhe nga ajo njerëzore e kombëtare për t’i prirë subjektit të ri. Konsideroj se në ballë të një subjekti çfarë po mendoj duhet të vihet niveli i Dr. Murat Jasharit, i cili nuk duhet të hezitojë por t’i përvishet punës në këtë drejtim. Edhe më herët, sikur edhe tash, pati propozime për avancim të Muratit. Këtë e bënë edhe ata të cilët deshën dhe dëshirojnë të përfitojnë nga kapitali i tij njerëzor edhe kombëtar.

Konsideroj se rruga e vetme në këto rrethana është që ai t’i prijë “valles”, të formojë një subjekt të shëndoshë dhe ta ndihmojë vendin të dal nga hendeku. Sa më parë që do ta ndërmerr këtë veprim, do të ishte më mirë për vendin. Nëse dje Jasharëve iu ra “hise” të sakrifikojnë deri në ekstrem për vendin dhe prej tyre të lindin kthesat, pse sot të mos u takojë ajo e drejtë edhe për ta udhëhequr vendin drejt kthesave më se të nevojshme. Jasharët nuk qëndruan neutral në rrethanat kur populli dhe vendi ynë ishte para zhdukjes dhe nuk duhet të qëndrojnë as tash kur mbi orbitën e Kosovës po sillen lloj-lloj skenarësh. Hajde Murat Jashari, hidhe hapin e parë!

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …