Zëvendësministrat Gecaj e Sadiku, vizituan Komunën e Malishevës

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj, kanë vizituar Komunën e Malishevës, ku janë pritur dhe janë takuar me Kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, komandantin e stacionit policor, kapitenin Azem Krasniqi dhe drejtorin komunal për shëndetësi, Liridon Hoti. Qëllimi i takimit ishte, njoftimi me situatën aktuale me COVID-19 në Komunën e Malishevës dhe sfidat me të cilat është përballur Malisheva, në menaxhimin e pandemisë. Kryetari Begaj, i ka njoftuar zëvendësministrat Gecaj e Sadiku, me gjendjen aktuale, si dhe me menaxhimin e deritanishëm. “Që nga 12 marsi, jemi takuar dhe kemi formuar shtabin komunal emergjent dhe më pas edhe qendrën operative emergjente lokale, dhe kemi filluar me menaxhimin e situatës së krijuar. Jemi munduar që situatën ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe për këtë i falënderoj në rend të parë qytetarët, të cilët i kanë kuptuar dhe zbatuar masat, si dhe personelin shëndetësor dhe Policinë e Kosovës, për një punë të jashtëzakonshme në menaxhimin e situatës, përkundër vështirësive që kemi pasur”, tha Begaj, i cili më pas i informoi në detaje për të gjithë punën e bërë deri më tani. Edhe komandanti i stacionit policor, kapiteni Krasniqi, i informoi me punën e policisë, gjatë pandemisë dhe sidomos pas futjes në karantinë. Sipas tij, përkundër kontakteve të shumta me qytetarë, në asnjë rast nuk është regjistruar asnjë incident me qytetarët, si dhe gjatë tërë kësaj kohe, asnjë polic nuk është infektuar gjatë kryerjes së detyrës. Zëvendësministrat Sadiku dhe Gecaj, shprehën mirënjohje për punën e komunës gjatë kësaj kohe, përderisa pranuan se ka pasur vështirësi, sidomos në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për personelin shëndetësorë dhe zyrtarët policor. Të dy zëvendësministrat, thanë se duhet të vazhdojnë angazhimet e përbashkëta në menaxhimin e pandemisë, sidomos tani pasi janë lehtësuar masat dhe qytetarët në një far forme janë relaksuar.

Kontrolloni gjithashtu

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Komunës së Vitisë dhe organizatës “CNVP”

Sot, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim Xhevat Lushin – …