driloni com
muqa 900
mbpzhr
vala – old
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Arben Sadri Bytyçi (26.2.1979 – 4.9.1998)
Arben Sadri Bytyçi (26.2.1979 – 4.9.1998)

Arben Sadri Bytyçi (26.2.1979 – 4.9.1998)

Pas aksioneve guerile të ilegales së fuqishme të Anadrinit që shtrihej në fshatrat Malësi e Vogël, Gexhë, Drinas, Dejë, Çifllak, Kromnik, Bardhatin e Franjakë, rënies së Jahë Hotit të Drinasit e të Shkëlzen Hashim Krasniqit nga Hoça e Vogël, e pas luftimeve dhe betejave që filluan në Rrafshin e Anadrinit më 26 prill të vitit 1998 te “Ura e Krushës së Vogël”, në Lugun e Bardhatinit më 12 maj, në “Qafën e Gardhishtit” më 14 maj, në Drinas më 6 qershor, në Kromnik më 19 qershor, në Fortesë më 18 korrik e në Rahavec më 17-25 korrik, në fshatrat e Anadrinit shënohet një retardim i aktiviteteve luftarake për shkak të dobësimit logjistik në njërën anë dhe depërtimit të elementëve pacifistë dështakë, defetistë e përçarës në këtë areale luftarake, në anën tjetër.
Mirëpo, dinamika e ngjarjeve të gushtit në fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit; Irzniq, Shaptej, Bitesh, Gramaçel, Baballoç, Shqiponjë, Gërgoc, Cermjan, Stubëll, Rosishtë, Qafë të Milishecit, Junik, Kallavajë, Hereç, Qarrabreg, Vraniq të Dushkajës, Loxhë, Bogaj, e në fshatrat e Anadrinit e të Llapushës e të Vërrinit; Apterrush, Bllacë, Lluzhnicë, Jezerc, Budakovë, Lez e Jeshkovë, veçanërisht në arealen luftarake të Rrafshit të Anadrinit, ndikoi në ndryshimin e situates dhe të terrenit operativ. Forcat serboçetnike, veçanërisht policia speciale e mbështetur prej ushtrisë e paramilitarëve të armatosur, sërish pretendojnë për ta marrë “Majën e Zezë” të Anadrinit, përkatësisht fshatin Zatriq, prej nga do të breshërohej i tërë Anadrinit, ose “Sukën e Cermjanit” prej nga do të derdheshin kanonada mbi tërë Dushkajën, luftëtari i lirisë Arben Sadri Bytyçi, së bashku me motrën Leonorë, mbetet pa tezakun Sadri Shaban Lokajn, të përjetësuar më 27 shtator të vitit 1998 rrëzë “Sukës së Cermjanit”, aty ku dushkajasit për të satën herë thyenin ofensivat e bandave serboçetnike që pretendonin rrënimin e forcave të Shkëlzen Haradinajt.
Kështu duke mbrojtur bastionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zatriq, gjatë luftimeve të zjarrta përjetësohen dëshmorët: Esat Kastrati, Xhafer Vehapi e Mazllum Kastrati nga Zatriqi, në Frontin e Cermjanit përjetësohen Ali Kalimashi e Halil Alija, në Palushë të Anadrinit, Afrim Bajraktari e Shani Hoti, ndërsa në Lugmir Mark Sopjani e në Dejë të Anadrinit, nga “Shtëpia e Vreshtarëve të Rrezinës”, jo larg Palushës e Dejës breshërohet mbi çdo gjë shqiptare kah Lugmiri, Deja e Palusha dhe përjetësohet luftëtari, Arben Sadri Bytyçi së bashku me motrën Leonorë, kështu të dy motrat Kaja, Mukadzi dhe Ajnishahi, nga Rahaveci i Tonit e i Micit, njëra e martuar në Gjakovë e tjetra në Dejë, i falën Kosovës nga një djalë Sadri Shaban Lokajn dhe Arben Sadri Bytyçin, të përjetësuar pranë motrës Leonorë.
Dëshmori i Kombit Arben Bytyçi, djali i parë i Sadriut e i Mukadezit, bijë e Kajëve të Rahavecit, i vëlli i Astritit dhe i Jetonit, është i lindur më 26 shkurt të vitit 1979 në fshatin Dejë të Anadrinit. Doli prej një familje bujqësore e cila me ekonominë modeste familjare shumantarëshe, përherë e ndjekur dhe e persekutuar për shkak të veprimtarisë patriotike të të parëve të Arbenit, përpiqej që me punën e anëtarëve të familjes të rritë bijë e bija, t’i shkollojë e t’i bëjë krah pune, e transformatorë të një bujqësie tradicionale të Anadrinit. Shkollën fillore, katër klasët e para, Arbeni i mbaroi në vendlindje, ndërsa katër të tjerat në filloren e fshatit Drinas. I ati Sadriu, trashëgimtar i Muhamet Bytyçit, njërit prej luftëtarëve të Ballit Kombëtar, kishte dëshirë që Arbenin ta dërgojë në shkollë të mesme dhe ëndërronte që t’ia mundësojë studimet në Prishtinë, mirëpo ngjarjet e vitit 1981; ndjekjet dhe persekutimet që u bëheshin familjeve të shquara, Bytyçëve të Dejës, e lodhën Sadri Bytyçin e ndjekur dhe të dënuar sipas kutit të atëhershëm “për veprimtari armiqësore”, grupi për pamflete, afishe dhe parulla kundër regjimit sllavokomunist. Arbenit i mbeti që t’i ndihmojë familjes në punët bujqësore, veçanërisht në perimtari e kopshtari.
Veprimtaria e të rinjve të Anadrinit, sidomos e rinisë së organizuar në LPK dhe në LKÇK, drejtuar nga veprimtari Smjal Latifi i Drinasit, u bjen në sy “Rojeve të mjegullës” që operonin në fshatrat e Lugut të Drinit, prandaj edhe Arbeni që herët u detyrua që t’u shmanget shtigjeve nga mund të zbuloheshin anëtarët e ilegales së Anadrinit e veçanërisht e tronditi rënia e Jahë Hotit prej Drinasit dhe e Shkëlzen Hashim Krasniqit nga Hoça e Vogël ndërsa truponin rrëzave të Pashtrikut më 1992. Veprimtaria e rinisë patriotike të Anadrinit, manifestimet kundër dhunës dhe gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare, fjalimet e profsor Ukshin Hotit gjatë përcjelljeve të fundit të viktimave të terrorit serb mbi shqiptarët, e forcuan vullnetin e shumë djelmoshave të fshatrave të Anadrinit, prandaj edhe të Arben Sadri Bytyçit, të Leonorë Bytyçit, të tezakut Sadri Shaban Lokaj nga Gjakova, Bekim Bytyçit, Xhevdet Krasniqit, Ramiz Krasniqit e Milaim Morinës, sot të gjithë dëshmorë të kombit.
Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit më 26 prill të vitit 1998 në fshatin Drenaj u bë tregues i qartë i orientimit të rinisë së fshatrave rrëzë Zatriqit dhe Arbeni nga Deja e Anadrinit niset me Manushin dhe Bedrushin drejt Drenajve, dhe kështu fillon jeta në fshatin-kazermë të Anadrinit. Këtu, në Drenaj, në shtëpinë e Mensur Zyberajt, Arbeni është në stërvitje pranë Grupit të Nasimi Zyberajt dhe ushtrimet e para i bëri te Bedrush Gashi e Mensur Zyberaj, sot të dytë dëshmorë të kombit. Për ushtrime të mëtejme, Grupi i Dejës dërgohet në Stërvitoren e fshatit Zatriq ku ushtroheshin të rinjtë jo vetëm të Anadrinit por edhe të rajoneve të tjera. Për instruktor, këtu në Zatriq, ka Xhemë Gashin – Gjermanin dhe Mahir Hasanin, komandantë të parë të formacionit të Drenajt, më vonë Brigada 124 “Gani Paçarizi” e Zonës Operative të Pashtrikut e veçanërisht profesorin e Universitetit të Prishtinës, dr. Idriz Vehapin, shembulli i të cilit ndikoi në masovizimiin dhe shtrirjen e shpejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit.
Me të mbaruar stërvitjet Arbeni është bashkëveprimtar i luftëtarëve emblematikë të formacionit të parë të Anadrinit. Këtu, përveç Bedrushit e Feim Gashit, Mensur Zyberajt, Jusuf Gashit, Islam Gashit, Gani Paçarizit, Selim Krasniqit, Arbeni takohet edhe me Xhelal Hajdën – Tonin e Selajdin Mullabazin –Micin, të cilët i kishte dajallarë. Sipas planit të Shtabit Operativ Rajonal në Drenaj, Arben Bytyçi, së bashku me Manushin dhe Bedrush Bytyçin, rikthehet në vendlindje dhe të tretë fillojnë veprimtarinë luftarake në Togun e fshatit Dejë, së bashku me motrën, tog ky të cilin e drejtonte luftëtari Ali Rasim Berisha, arsimtar i shquar i Rrafshit të Anadrinit e më vonë edhe në kompaninë e Drinasit te eprorët Mustafë Krasniqi e Smajl Latifaj. Togu i fshatit Dejë tashmë ishte i konsoliduar dhe planifikonte veprime në harmoni me situatën në terren dhe me dinamikën e shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e Anadrinit, veçanërisht në fshatrat buzë Drinit të Bardhë, prej Gexhe e deri në Kromnik ku funksiononte lidhja me Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, nëpërmjet Smajl Latifajt, Sahit Krasniqit dhe Xhelal Hajdës – Tonit.
Por më 12 maj të vitit 1998, serbët vendas të fshatit Bardhatin të Anadrinit zënë një pritë dhe përpiqen që me zjarr ta shkatërrojnë patrullën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo si serbët lokalë, ashtu edhe forcat policore të Rahavecit që depërtuan në fshatin Bardhatin, shpartallohen tërësisht e në altarin e lirisë përjetësohet dëshmori i parë i formacionit të Drenajt, Milaim Isaj Krasniqi, ndërsa plagoset Osman Zyberaj, personaliteti më i rëndësishëm për themelimin e formacionit të Drenajt. Togu i Dejës në kuadër të Kompanisë së Drinasit, dita më ditë shtohet dhe forcohet prandaj edhe shkëlqen në luftimet e qershorit dhe të korrikut të vitit 1998 anembanë fshatrave të Anadrinit. Arbeni është së bashku me Manushin, Bedrushin, Leonorën, Sadriun, Halimin, Qerimin, Pajazitin, Monin, Kasumi, Mentorin dhe Abedinin, është së bashku me të rinjtë e armatosur të fshatit Dejë të cilët pretendonin për t’u riarmatosur disa here deri sa u kompletuan dhe u bënë ndër luftëtarët më të pathyeshëm të Brigadës 124 “Gani Paçarizi”.
Por, pas luftimeve të Malësisë së Vërrinit: Lez e Jeshkovë, forcat e mëdha të hordhive të egra barbare pretendojnë që të shtrihen në fshatrat buzë Drinit të Bardhë, ta vënë nën kontroll aksin rrugor që fillon te “Ura e Fshajt” dhe mbaron te “Ura e Rakavinës”. Brigada 124 “Gani Paçarizi”, veçanërisht Batalioni i Tretë i Drinasit, i komanduar nga Smajl Latifaj, dhe Togu i Zatriqit, me të cilin komandonte prof. dr. Idriz Vehapi, përqëndrohen për të mos i lëshuar pozicionet. Por nga “Ura e Rakavinës” e Bokat e Kromnikut forcat serbe depërtojnë në afërsi të fshatit Çifllak e së andejmi marrin kurrizin vreshtar “Rrezinat”, kodër kjo në të cilën vendosin njësitin e motorizuar dhe tentojnë marrjen e Zatriqit; breshërojnë mbi popullatën civile të fshatrave Palushë, Rudinë, Dejë e Boboc. Këmbësoria përpiqej që Zatriqin ta marrë prej dy drejtimeve; kah “Rrasdoli” dhe kah “Dushkajat” dhe kështu në luftimet te “Qafa e Dëshmorëve” përjetësohen zatriqasit Esat Kastrati, Xhafer Vehapi dhe Mazllum Kastrati e bri një rruge kah Guri i Kuq, në Palushë përjetësohen Afrim Bajraktari e Shani Hoti, buzë Drinit të Bardhë, në Lugmir edhe dëshmori Mark Sopjani e në afërsi të Boboceve, te “Livadhi i Linohut”, më 4 shtator përjetësohet edhe Arben Sadri Bytyçi, së bashku me motrën Leonorë jo larg të et Sadriut, jo larg Manushit e Bedrushit. I ati së bashku me luftëtarët e fshatit Dejë arrin për t’i tërhequr trupat e pajetë të bijëve dhe i varros në “Lëndinën e Linohut”, kurse luftën e vazhdon me pëprjekje për shpëtimin e të plagosurve Bytyçi: Manushit, Bedrushit, Astritit, Mukadezit, Jetonit, Nasimit, Ekremit, Mirjetës, Alberatit dhe Albertit e me dy krasniqas të Kromnikut; Rexhep Krasniqin me të birin Bekimin. Pas ndërprerjes së aktiviteteve luftarake të Zonës Operative të Pashtrikut, bashkëluftëtarët e Arbenit organizojnë rivarrimin e dëshmorit dhe nën përcjelljen e ushtarëve rivendoset në shtëpinë e amshueshme, sot “Kopshti i Dëshmorëve” të fshatit Dejë pranë dëshmorëve: Xhevdet Krasniqi, Milaim Morina e Ramiz Krasniqi ndërsa Bekim Bytyçi, i përjetësuar gjatë operacioneve të komandant Mujë Krasniqit nëpër “Lugun e Zi” të Pashtrikut, së bashku me dyzetë dëshmorë, dejasve të Anadrinit u pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Palac të Skënderajt. Pranë dëshmorëve të Dejës është edhe motra e Arben Bytyçin, Leonora me vetëm 18 pranvera të cilës i pushoi zemra vetëm pasi dëgjoi rrënkimet e fundit të Arbenit të breshëruar dhe nuk arriti t’ia bëjë vajin e motrës së Sulejman Brahimit të vrarë në Breg të Drinit. Sot, në vendin e rënies së Arbenit e të Leonorës shkëlqen një pllakë mermeri që ruan kujtimin për rënien bijëve të Sadri Bytyçit, ndërsa në qendër të fshatit Dejë lapidari i madh ruan emrat e dëshmorëve Arben e Bekim Bytyçi, Xhevdet e Milaim Krasniqi dhe të Miliam Morinës të përjetësuar në Rrezina, në Koshare, në Pashtrik e te Pajata e Mullabazëve, në afërsi të fshatrave Celinë e Fortesë, sot të gjithë dëshmorëve të këtij fshati – legjendën e të cilit dëshmitarët do t’ua tregojnë pasardhësve, sidomos Leonorës së Vogël e cila mban emrin e Leonorës dhe krenarinë për Arbenin që lundron në parajsë ende pa i mbushur nëntëmbëdhjetë pranvera. (S. C.)