leoni

Jakup Krasniqi: Çështjen e veteranëve Kuvendi i Kosovës duhet ta kthejë nga fillimi

Jakup Krasniqi: Politikanët dhe analistët shqiptarë janë “të aftë” në interpretimin e njëanshëm të deklaratave

Ne, shqiptarët e mijëvjeçarit të tretë, gjithnjë e më tepër po e bëjmë praktikë që edhe deklaratat e thëna shqip t’i interpretojmë apo t’i përkthejmë nga shqipja në shqip, ashtu siç dëshirojmë, pra jo ashtu siç janë thënë. Kur këtë e bëjmë pa u skuqur kur flasim a shkruajmë shqip, pse të mos e bëjmë edhe kur folësi flet një gjuhë tjetër, p.sh. anglisht!

A nuk i dëgjuam tri lloj të interpretimeve të deklaratave të nënpresidentit Joe Biden, ku një interpretim ia bëjnë qeveritarët dhe disa media, një interpretim tjetër analistë e një pjesë e mediave dhe natyrisht një interpretim mjaft të balancuar nga opozita e ndonjë analist tjetër. Kuptohet secili dëshiron të çojë ujë në mullirin e vet. Në raste të tilla, secila kategori vrapon të duket më amerikane se tjetra, e, sidomos kjo vlen për qeveritarët, që shikuar realisht, ishin më të goditur nga deklaratat e nënpresidentit Biden, sidomos ajo që e tha për korrupsionin. Madje secili e di që korrupsioni shpërfaqet në shumë forma, jo vetëm në atë financiare. Dhe aty ku ka krim e korrupsion, qeverisja është për toke. Këtu nuk është problemi se disa janë jo vetëm tepër servilë (pasi robëria e gjatë na e ka mbjellë servilizmin deri në neveri), të pariparueshëm, por, tek ne ka edhe jo pak mashtrues që ndryshe flasin e veprojnë ashtu siç mendojnë (dhe zakonisht mendojnë mbrapsht).

Se çka mendojnë qeveritarët, ose më saktë një pjesë e vogël e atyre “mendimeve”, patëm rast t’i dëgjojmë këtyre ditëve – në përgjimet telefonike.  Por, këtu edhe nuk është problemi, problemi është se këta i shpallin për antiamerikanë apo antievropianë të gjithë ata që i denoncojnë qeveritarët e korruptuar dhe i denoncojnë e i kundërshtojnë marrëveshjet e dëmshme për vendin. Nuk mendoj se në politikën nacionale (nuk po them në atë fetare), jam më shumë se i bindur se nuk ka as antiamerikanë e as antievropianë. Me këto akuza frikësuese për opozitën ata (Kryetari e Kryeministri) pretendojnë që t’i përjetësojnë pushtetet e tyre të degjeneruara e të korruptuara skajshmërisht. Fillimisht këtë e kanë bërë në partitë e tyre politike dhe tani atë praktikë të mbrapshtë e kanë instaluar në institucionet e shtetit.

Njeriu edhe mund t’i kuptojë, Kryetarin e Kryeministrin e vendit, të cilët kanë akuza të hapura, i pari Rezolutën e KE-së e i dyti 70 paditë e dorëzuara në prokurori, por si t’i kuptojmë opinionistët e mediave të “pavarura” që rreshtohen përkrah krimit e korrupsionit të qeveritarëve (nëse edhe ata nuk e marrin hisen e tyre) dhe vihen në mbrojtje të marrëveshjeve tepër të dëmshme për vendin?! Çka pritën ata që të thoshte nënpresidenti Biden? A mos ka pritur dikush që miku nga Amerika të thoshte të kundërtën e asaj që po e thonë për marrëveshjet: Kryetari, Kryeparlaamentari dhe Kryeministri i vendit?!

Nënpresidenti Biden tha: Është në interesin e Kosovës që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit dhe ajo e asociacionit te komunave serbe. As opozita, as ekspertët e as kundërshtarët e tjerë të ratifikimit të demarkacionit nuk janë kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Por, këta nuk janë për ratifikimin e demarkacionit kështu siç është. Përse ju mungon gatishmëria Kryetarit Thaçi e Kryeministrit Mustafa që të rishikohet marrëveshja e demarkacionit? Përse këtyre njerëzve ju mungon gatishmëria për të rishikuar punën e Komisionit të Qeverisë? Çfarë fshihet pas gjithë kësaj këmbëngulësie për të mbrojtur këtë marrëveshje që kundërshtohet edhe nga njerëzit e koalicionit qeverisës? Kujtoj se pas kësaj këmbëngulësie, diçka e madhe dhe e dëmshme për vendin është duke u fshehur!

Marrëveshja për asociacionin e komunave serbe, që më drejt do të ishte të quhej Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave Serbe. Formimi i këtij asociacioni kundërshtohet nga opozita përse nuk është si asociacioni ekzistues i komunave që e kemi në Kushtetutë e ligje. Sikur të ishte i barasvlershëm me asociacionin ekzistues, përse u desh që të pritet kaq gjatë formimi i tij? Përse u desh të bisedohet në Bruksel kur për të ekzistonte ligji që lejonte formimin e tij? Përse u kontestua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës? A ka në ndonjë vend evropian të BE-së një shembull i tillë i asociacionit? A njeh diçka të tillë Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale? Përse kjo shkëputje nga koncepti qytetar i shtetit, në konceptin etnik për “një shoqatë civile”? Pra, opozita nuk është kundër asociacionit të komunave serbe ashtu siç është në legjislacionin tonë, është kundër Bashkësisësë komunave serbe të arritur në marrëveshjen e Brukselit të 19 prillit 2013 dhe të 25 gushtit 2015. Por termi Bashkësi e Komunave Serbe tregon se pas emrit të vogël fshihet diçka e madhe? Më së paku fshihet një nivel i pushtetit që nuk mund të jetë më pak sesa një autonomi, mbase dhe republikë serbe në Kosovë!

Një gjë që i bashkon gjithë perëndimorët, nga SHBA-të e BE-ja, janë krimi, korrupsioni dhe nepotizmi, që janë duke e brejtur si gangrenë të sotmen dhe të ardhmen e shtetit. Po kush mund të jenë, fajtorë më të mëdhenj të këtij fenomeni shkatërrues për vendin, sesa vetë krerët e koalicionit qeverisës? Është shumë interesante, përse mu këta njerëz, që kanë akuza të rënda për krimin e korrupsionin, e që po e “shkatërrojnë” shtetin, mbështeten fort në arritjen e marrëveshjeve të dëmshme për shtetin! Qytetarët e Kosovës, në protesta dhe më forma të tjera demokratike, duhet t’ua marrin të drejtën këtyre njerëzve që të qeverisin e ta përfaqësojnë shtetin në emrin e tyre.

Në shkrim bëra shumë pyetje jo se nuk kam përgjigje. Përgjigjet le t’i japin të gjithë ata që e duan shtetin e tyre dhe të sotmen e të ardhmen e fëmijëve të vet! Jam i bindur se vendit tonë nuk i mungojnë njerëzit që dinë dhe duan të qeverisin me përgjegjësi ndryshe nga këta që i kemi në krye të vendit.

Qeveritarët e mjerë po thonë:”Mos ratifikimi i demarkacionit do të ishte fatal për Kosovën”1?! Konsideroj që nuk ka gjë më fatale për Kosovën dhe qytetarët e saj, sesa nga kush janë duke u përfaqësuar e qeverisur! Ndërsa tjetri thotë: “Deputetët duke votuar në kuvend do ta shpëtojnë Kosovën, do t’i hapin perspektivë Kosovës, integrimin e vendit, në vend për të qenë i izoluar apo i vetmuar”2. Vërtetë është në duart e deputetëve që vendit t’ia hapin rrugën e perspektivës, që mos ta votojnë demarkacionin ashtu si votuan për Kryetarin e vendit dhe vendin ta çojnë në zgjedhje të reja. Qytetarët po qeverisen e përfaqësohen nga mashtrues patologjik e ordiner të “nivelit të lartë”!. A ka më mashtrim sesa të thuhet: “Kam diskutuar me shumicën e liderëve politikë të Kosovës. Disa edhe prej opozitës me kanë deklaruar se e dimë se nuk qëndron ajo që po themi, por jemi futur dhe duhet ta shpëtojmë fytyrën”3. Se paku kësaj deklarate nuk i beson asnjëri që e ka përcjellë debatin për demarkacionin që një vit e sa! Ndërsa ka shumë deputetë të pozitës që po i kontestojnë hapur dhe fuqishëm, ketë që po e thonë liderët e tyre. Ketë po e shohim dhe dëgjojmë që sa kohë. Po, jo atë që po e thotë i pari i vendit?!

Është keq kur njeriu gënjen e nuk skuqet fare?!

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …