leoni

Fatmir Limaj

RKL: Fatmir Limaj gjatë tërë pasluftës ka qenë në shënjestër të gjyqeve të UNMIK-ut, EULEX-it dhe Gjykatës së Hagës

Pas një procedure gjyqësore që ka zgjatur për tetë vjet, sot Gjykata në Prishtinë shpalli të pafajshëm ish-ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limajn, në katër pikat e para të aktakuzës. Të akuzuarit, Fatmir Limaj, Endrit Shala e Nexhat Krasniqi u liruan nga katër pikat kyçe të aktakuzës. Florim Zuka akuzohet për dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, ndërkaq u lirua nga pika e pestë e akuzës.  Aktakuza lidhej me asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Gjilanit.

Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015, e cilësoi të ngritur me urdhër politik. Fatmir Limaj është zëvendës-kryeministër i Kosovës. Ai ka thënë me këtë rast  se iu ka bërë një gjyq publik dhe se njerëz të caktuar dhe disa medie nuk kanë lënë asgjë pa bërë në tendencë për të shkatërruar personalitetin e tij.

Fatmir Limaj gjatë tërë periudhës së pasluftës ka qenë në shënjestër të gjyqeve të UNMIK-ut, EULEX-it dhe gjykatës së Hagës, por në të gjitha gjykimet e deritanishme është shpallur i pafajshëm. Një ndikim morbid kundër tij kanë ushtruar qarqe të caktuara politike vendore e ndërkombëtare dhe sidomos disa medie në Kosovë që aktualisht po luajnë rolin e prokurorëve dhe inspektorëve të EULEX-it me paraqitjen e dëshmive të tyre të rrejshme dhe pa fakte të qëndrueshme, sidomos në rastin Limaj.

Rasti i tij  është i paprecedent në tërë praktikën gjyqësore të Kosovës qysh prej mbarimit të luftës e deri tani.

Duke qenë njëri ndër komandantët më të suksesshëm të UÇK-së dhe kuadër ndër më meritorët në luftë, Limaj u ballafaqua me sulme të grupeve e klaneve që luftën e UÇK-së e kishin përdorur për qëllime karrieriste.

Ai u gjet në shënjestër të Gjykatës së Hagës, e cila ishte  bazuar në dosjet e regjimit të Milosheviqit dhe të disa dëshmitarëve të mbrojtur të UNMIK-ut, të cilët fabrikuan gënjeshtra me qëllim të devalvimit të luftës së UÇK-së dhe gjakut të derdhur për çlirimin e Kosovës.

Një segment terrori në këtë drejtim kundër luftës dhe sidomos kundër UÇK-së bëri një pjesë e shtypit me jugo-prejardhje, të cilët jo vetëm që kanë bashkëpunuar por edhe bashkëpunojnë me segmente të shërbimeve sekrete, duke afishuar nëpër mediet e tyre dosjet sekrete të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë të kohës së Milosheviqit.

Duke i përsëritur këto gënjeshtra nga dhjetë e më shumë herë në ditë, sidomos kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Azem Sylës e shumë të tjerëve, të përkrahur nga qarqe politike antishqiptare, por edhe nga një segment i politikës vendore, vasale, dosjet e trilluara filluan të merren për të vërteta dhe me to u mor e po merren prokurorët e huaj dhe ata vendorë, gjyqtarët dhe tërë segmenti i drejtësisë, të cilin e kontrollon EULEX-i në vendin tonë.

Në dështimet e tyre për ta gjunjëzuar Fatmir Limanj me akuza për krime lufte, ata filluan të qepin dosje për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për korrupsion me qëllim për ta devalvuar si personalitet dhe për ta nxjerrë jashtë angazhimeve të tij politike në shtet-ndërtimin e Kosovës.

Nuk thuhet kot “se e drejta mënon por nuk harron”.  Që kjo është drejtësi e EULEX-it këtë nuk e beson askush, por që brenda këtij misioni ka pasur dhe ka prokurorë e gjykatës të drejtë e profesionistë kjo u dëshmua edhe sot dhe të shpresojnë se pas tronditjeve që mori ky mision nga brenda, madje nga zyrtarët më të lartë, të dalë në dritë krejt e vërteta, sepse po del se me të drejtë kemi konstatuar se një segment i EULEX-it ka qenë e po mbetet filiale e Prokurorisë së Serbisë.

Sot kanë mbetur me gishta në gojë, kanë mbetur si qyqe në rremba, të gjithë ata që iu kanë gëzuar çdo gjykimi kundër luftëtarëve të lirisë, të gjithë ata që po i brohorasin, asaj që e quajnë “ Epope e Gjykatës Speciale”, të gjithë bijtë e bijat e ish inspektorëve, prokurorëve, ambasadorëve të Titos e të Rankoviqit, të gjithë ata që  kanë pritur dhe po presion me entuziazëm  kur do të fillojë, sikur  thonë ata, tronditja  e madhe që do ta shkatërrojë luftën e UÇK-së dhe do t’ ia luajë themelet pavarësisë së Kosovës.

Fitorja e fundit e Fatmir Limajt nuk është vetëm fitore për të e familjen e tij, nuk është as vetëm fitore për Nismën, por në radhë të parë është fitore për të gjithë liridashësit e Kosovës dhe për të gjithë ata që i kanë besuar dhe i besojnë luftës së pastër të UÇK-së, politikanëve  shembullorë të dalë nga ajo luftë, të cilën po bëjnë përpjekje ta njollosin, ata që mundohen ta mbulojnë diellin me shoshë, por nuk po arrijnë dhe kurrë nuk do të arrijnë.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …