muqa 900
mbpzhr
vipa
driloni com
vala – old
Fillimi / Dëshmorët / Xhevat Muharrem Sejfijaj (8.5.1972 – 11.9.1998)
Xhevat Muharrem Sejfijaj (8.5.1972 – 11.9.1998)

Xhevat Muharrem Sejfijaj (8.5.1972 – 11.9.1998)

Dëshmori i kombit Xhevat Sejfijaj është njëri ndër luftëtarët e dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili që nga dita e parë e mobilizimit në radhët e saj e deri në rënien heroike, u shqua për guxim e trimëri. Bashkëluftëtarët e kujtojnë si djalë të vyeshëm, të zellshëm, të papërtueshëm e, mbi të gjitha, si ushtar që luftën për liri e kishte përjetuar shpirtërisht dhe ishte i gatshëm për çdo sakrificë.
Xhevati u lind më 8 maj të vitit 1972, në fshatin Gllogjan të Deçanit. Ishte djali më i madh i prindërve, Muharrem e Ajne Sejfijaj, të cilët lindën e rritën nëntë fëmijë, katër djem e pesë vajza. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin Rezar (ish-Irzniq), ndërkaq shkollimin e mesëm nuk mundi ta vazhdojë, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, por u mor me punët e bujqësisë, duke iu bërë krah babait të tij.
Ishte aktiv në protestat dhe demonstratat që u organizuan në Deçan e më gjerë, pas vitit 1989. Pas ofensivës së 24 marsit 1998 në Gllogjan, Xhevati ishte ndër të parët djem të këtij fshati, që doli publikisht dhe me tërë qenien u vu në shërbim të luftës për liri, si njëri ndër luftëtarët e dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pos tij, këso kohe në radhët e UÇK-së hynë edhe vëllezërit e tij, Xhaferi e Mentori dhe babai Muharremi.
Mori pjesë kudo në fronte e beteja, bashkë me grupin e luftëtarëve të tjerë të dalluar të Gllogjanit. Ishte në frontin e luftës në Baballoç, Gramaçel, Shaptej, Prejlep, Rastavicë, Carrabreg, Gllogjan etj. Dallohet në luftimet e zhvilluara në vijën e parë të frontit në Baballoç, ku edhe përkundër luftimeve të ashpra e të pandërprera, ku forcat serbe sulmonin edhe me artileri të rëndë nuk mundën ta thyejnë asnjëherë me luftë këtë vijë të frontit. Dallohet në luftimet e zhvilluara në vijën e parë të frontit në Carrabreg të Poshtëm, që ishte njëra ndër vijat më të pathyeshme e të rrahura nga lufta. Aty Xhevati qëndroi një kohë të gjatë, ndërkaq kushëriri i tij, Sokol Sejfijaj, ra dëshmor në këtë vijë të frontit.
Luftoi heroikisht gjatë ofensivës së muajit gusht 1998, në frontin e luftës në Gramaçel, Shaptej e Gllogjan. Edhe gjatë betejës së shtatorit të vitit 1998, Xhevat Sejfijaj, i njohur me nofkën “Snajperisti”, luftoi heroikisht në betejën e zhvilluar në Gllogjan, ku edhe pse ekzistonte rreziku që luftëtarët e UÇK-së të futeshin në rrethim, edhe kësaj radhe aty u zhvilluan luftime të rrepta ku u dalluan sërish luftëtarët e kalitur në përballje të vështira, si Shkëlzen Haradinaj, Luan Qerimaj, Lulzim Morina, Xhevat Sejfijaj, Besim Bishtazhini, Satedin Shehu etj., që më vonë të gjithë e fituan statusin e shenjtë – dëshmorë të kombit. Ata iu kundërvunë me sukses sulmit të forcave serbe që e kishin filluar njëkohësisht nga disa drejtime: i Gramaçelit, Dubravës, Prokollukut e Irzniqit.
Pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998, Xhevati ishte në mesin e atyre luftëtarëve që ngarkohen për transferimin e të plagosurve për në Shqipëri. Por, në kufi forcat serbe kishin zënë pusi dhe rreziku ishte tepër i madh për t’i masakruar mbi 6000 shqiptarë të shpërngulur e të izoluar në bjeshkë. Ai, si gjithnjë i gatshëm të flijohet për mbrojtjen e popullit të vet, së bashku me katër bashkëluftëtarë të tjerë u del përballë forcave serbe. 11 shtatori i vitit 1998 shënon betejën vendimtare të dëshmorit Xhevat Sejfijaj dhe hyrjen në përjetësi. Atë ditë luftime të rrepta u zhvilluan në trekëndëshin e kobshëm kufitar Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi, në Bjeshkën e Belegut. Aty bien për të mos vdekur kurrë dëshmori Xhevat Sejfijaj së bashku me dëshmorët Sadri Vishaj nga Belegu dhe Shpëtim Bobi nga Lybeniqi i Pejës. Trupat e tyre mbetën në fushëbetejë. Në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan, në mesin e shumë varreve të heronjve e dëshmorëve të kombit, meritorë për lirinë e Kosovës, ndodhet edhe një varr i veçantë, me një arkivol të zbrazët, me lule të freskëta përmbi, – varri i dëshmorit Xhevat Sejfijaj.
Familja Sejfijaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dëshmor. Heroizmi i tij është përjetësuar në këngë e shkrime të shumta. Më 18 gusht 2010, në Bjeshkën e Belegut, në vendin e rënies së dëshmorëve Xhevat Sejfijaj, Sadri Vishaj e Shpëtim Bobi, është ngritur pllaka përkujtimore në shenjë kujtimi e nderimi të këtyre tre dëshmorëve. (F. R.)