leoni

15 vjet zëri i lirisë, zëri i Radios-Kosova e Lirë

Kanë kaluar të gjitha këto vite dhe zëri i Radios-Kosova e Lirë ende flet për lirinë e Kosovës, për dëshmorët, për jetën dhe gjakun e tyre të derdhur për liri, flet për invalidët, veteranët, për plagët  e shumta, që iu kishte shkaktuar  shqiptarëve liridashës, Serbia sodomiste e Milosheviqit. Flet edhe sot e kësaj dite dhe as është pajtuar, as kurrë nuk do të pajtohet me pazaret e liga që janë bërë dhe po bëhen në kurriz të Kosovës, në radhë të parë nga presioni i disa qarqeve antishqiptare dhe nga lehtësia e disa krerëve politikë e institucionalë të vendit  për të pranuar  dhe për t’ iu bindur “partnerëve”  tanë strategjikë, të cilët na paskan ndihmuar aq shumë për çlirimin dhe pavarësimin e vendit, pa derdhur asnjë pikë gjaku dhe asnjë pikë djerse dhe si rezultat i ndihmesës së tyre, ne u dashka të lëshojmë pe në të gjitha kërkesat hegjemoniste dhe kolonialiste të Serbisë.

Me rastin e bombardimit të Selisë së Radios nga dy aeroplanë të Serbisë, më 27 mars të vitit 1999, kur serbët kishin hedhur tetë arka  me bomba të tipit kasetë, kriminelët shtetërorë të Beogradit, Sheshel dhe Ojdaniq paraprakisht ishin zotuar se do ta shkatërronin  dhe do ta shuanin zërin e “terroristëve” dhe në vendin, ku ata kanë transmetuar, do të pinin  kafe dhe do të ndërtonin në stadium futbolli. Po atë ditë një Hajrie spikerica e Radio-Televizionit të Serbisë kishte njoftuar dëgjuesit se ishte bombarduar dhe asgjësuar e ashtuquajtura, “Radio-Kosova e Lirë”. Po atë ditë, më 27 mars ne kemi transmetuar programin dhe i kemi bërë me dije opinionit se bombardimi nuk na kishte gjetur në gjumë,  por në detyrë dhe në istikame të luftës dhe pavarësisht të gjitha sulmeve  kurrë nuk do të ngulfatet, as do të ndërpritet zëri i lirisë, jehona e krismave të legjendarit,  Adem Jashari dhe të luftëtarëve të lirisë anë e kënd Kosovës.

Prej 27 marsit të vitit 1999, kur nga bombardimi i avionëve serbë  u martirizua, Elbasan Jakup Berisha, 16-vjeçar, vëllai i katër motrave, dhe morën plagë tetë anëtarë të tjerë të kësaj familjeje, nuk u ndërpre sulmi sistematik i forcave serbe kundër Radios, e cila identifikohej lehtë përmes antenave të saj. Disa ditë më vonë,  në përpjekje të forcave serbe për të depërtuar në Rrafshnaltë ku përveç Radios dhe Agjencisë ndodhej  edhe Pallati i Qeverisë së Përkohshme, një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, Spitali ushtarak dhe Shtabi i  Brigadës 121, Ismet Jashari Kumanova, në fshatin Tërpezë, më 3 prill kanë rënë duke luftuar përballë forcave armike, dëshmorët, Xhavit Kelmendi nga Karaçica dhe Vezir Kolshi nga Bainca.

Më 16 prill, në lagjen e Xhamisë, në fshatin Arllat, në mbrojtje të pozicioneve, popullatës civile dhe Radios e Agjencisë kanë rënë komandanti i togut, luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, Mehdi Bytyçi dhe Sylejman Bytyçi nga Arllati.  Vetëm dy ditë më vonë, në përpjekje të vazhdueshme të forcave serbe për të depërtuar me çdo kusht në Rrafshnaltë, në Termopilën e UÇK-së, te Shkëmbi i Grandinës, kanë rënë duke luftuar ballë për ballë forcave serbe: Ramadan Bytyçi, nga Gjergjica, Mentor Morina, nga Kamarani,  Halim Barjaktari, nga Drenasi, Islam Kastrati nga Kizhareka dhe Mentor Gashi nga Llapushniku të gjithë luftëtarë të Brigadës, 121 Ismet Jashari-Kumanova. Më 24 prill në Grykën e Gashit të fshati Nekovc ka rënë luftëtari, Shaqir Hoxha nga fshati Shalë (ish-Sedllar).   Më 2 maj 1999, në një pritë të organizuar nga forcat serbe, në fshatin Shirokë të Therandës, ka rënë duke luftuar për jetë a vdekje, Xhavit Bajraktari, nga Studençani i Therandës luftëtar emblematik i UÇK-së, reporter i luftës për Radion-Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress.  Po atë ditë, së bashku me të ka rënë dëshmorë edhe Fetah Gega,  luftëtar i radhëve të para në Zonën e Pashtrikut. Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka rënë dëshmore, luftëtarja e lirisë, profesoresha, Hyrë Emini,  nga Ferizaj e cila ka raportuar për RKL-në  gjatë luftës së UÇK-së dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në një aksion kundër bazave serbe, pas luftës, ka rënë tragjikisht edhe luftëtari i tri luftërave çlirimtare,  Islam Berisha, i cili me disa bashkëluftëtarë të tij në verë të vitit 1998, kishte sjellë nga Kumanova teknikën transmetuese të Radios, të cilën ia kishte dhuruar SHP të UÇK-së, veprimtari dhe këngëtari, Ismet Behxheti nga Kumanova.

Kjo është pjesa më heroike dhe më e dinjitetshme e historisë së Radios-Kosova e Lirë, të cilën nuk e kemi harruar as do ta harrojmë ndonjëherë. Akti heroik i rënies  së këtyre dëshmorëve tregon më së miri se, me sa përkushtim ruheshin pozicionet e luftës së UÇK-së, në kodrat dhe malet ku shpërndahej në eter zëri i lirisë, zëri i Radios-Kosova e Lirë, që nuk e asgjësuan dot sheshelet e Ojdaniqët, por as -elet dhe -iqet e pasluftës, të cilët kurrë nuk u pajtuan as po pajtohen, që në Kosovën e Lirë dhe të pavarur ende të transmetojë program një Radio e luftës, emri i së cilës  prek në ndërgjegjen e tradhtuar të një dyzine të gazetarëve të medieve, të cilëve gjatë luftës  u kishte rrëshqitur nën këmbë toka e përgjakur dhe e përflakur e Atdheut dhe ia kishin mbathur nga sytë këmbët, madje duke u vetëshpallur si të vdekur, nga frika që as sot nuk dihet prej kujt,  duke na akuzuar përse e kishim nisur luftën kundër Serbisë, përse ua kishin prishur rehatinë medieve të regjistruara në Beograd, pikërisht në kohën e regjimit të Milosheviqit, përse ia kishim prishur projeksionet paqësore Ibrahim Rugovës dhe e kishim futur në telashe tërë botën madje edhe NATO-n.  Po ja që ishim ne ata  që kishim marrë guxim për ta përhapur në eter zërin e lirisë së Kosovës, Zgalemin e UÇK-së, Feniksin e lirisë,  që rilind nga hiri i vet dhe jemi që ende e ndiejmë mbi supe barrën e rëndë të luftës dhe të pas luftës. Dhe nuk ishim  as jemi vetëm, përndryshe me të drejtë do të mund të na quanin edhe të çmenduar. Në mbrojtje të zërit të luftës së UÇK-së ishte tërë Ushtria jonë çlirimtare dhe fitimtare, ishin trimat e trimëreshat e Adem Jasharit që e mbronin zërin e tyre, zërin e lirisë, zërin e Radios-Kosova e Lirë.

Në këtë përvjetor jubilar, e do puna dhe detyra të përmendim përkushtimin, këmbënguljen dhe aktivitetin e pandashëm  të anëtarëve të stafit të Radios, të cilët i qëndruan besnikë zërit të lirisë dhe asnjëherë nuk e vunë në dilemë heqjen dorë nga transmetimi, me qëllim për të shpëtuar kokat.

Nuk harrohen dot komentet me frymën më të fuqishme realiste të mundshme, të shkruara  nën breshërinë e armëve armike  nga redaktori, dhe komentatori i luftës, Nezir Myrtaj,nuk harrohen ecejaket e përditshme nga një zonë në tjetrën të reporterit të luftës, Martin Çuni, i cili krahas diktafonit kishte edhe kallashin dhe jo vetëm njëherë u detyra të operojë me të dyja bashkë, në të njëjtën kohë. Nuk harrohet dot zëri shpërthyes  i militantit të lirisë, Nusret Pllana me zërin e tij kumbues e luftarak: Ju flet Kosova e Lirë. Nuk ka si të harrohet luftëtari dhe reporteri i Radios, Habib Zogaj, i cili po ashtu krahas kallashit kishte edhe penën e aparatin fotografik, dëshmitarin denoncues të krimeve serbe, i cili lirisë së Kosovë ia fali edhe një pjesë të gjymtyrëve dhe sot ka ardhur këtu duke u mbajtur me paterica. Nuk ka si të mos kujtohet luftëtari dhe operatori i teknikës së Radios, Valdet Hoti, që së bashku me Fatmir Dugollin kujdeseshin për teknikën, një pjesë e së  cilës përditë mbartej e montohej në vendin e caktuar. Të paharrueshme janë angazhimet dhe kujdesi që kishte treguar Rizah Berisha e Milaim Berisha, për Radion, në odën e të cilëve kemi qëndruar afër tre muaj dhe e cila u bë shënjestër e predhave të armës armike serbe. I paharrueshëm do të mbetet edhe kameramani i Radios dhe luftëtari i lirisë, Gazmend Elshani.  Janë të paharrueshëm për aktivitetin e tyre në shpërndarjen e lajmeve nga Agjencia Kosovapress, Ismet Sopi, Isa Krasniqi, Besnik Berisha, Metë Bytyçi, Berat Luzha, Fadil Bajraktari dhe Qemal Aliu. Është e rrugës të përmendet edhe një e dhënë shtesë. Nga 14 anëtarët e Radios dhe Agjencisë gjatë luftës, tetë prej tyre kanë qenë të burgosur politikë të vitit 1981, të dënuar prej një deri në 15 vjet burg dhe të cilët të gjithë tok kanë mbajtur afër  5o vjet burg.

Po ashtu janë të paharrueshëm edhe të gjithë ata gazetarë, luftëtarë e luftëtare të lirisë që u angazhuan herë pas herë në selinë e Radio në Berishë, si  Naim Bujupi, epror i UÇK-së për moral, Ajete Zogaj, Shefqet Buçaj, Arbanë Qeriqi,  dhe në Zonat Operative të luftës, në Drenicë, Murat Musliu, Gani Koci, Destan Bajraktari, në Dukagjin: Fetnete Ramosaj, Salih Lajçi, Hyre Emini, Ali Geci, Remzije Zeqiri, Pren Marashi. Faton Mehmetaj, në Shalë, Sabit Gashi, në Pashtrik: Xhavit Bajraktari, Besim Baraliu, Osman Voca, Selatin Qeriqi, Fadil Bajraktari, në Neredime: Ruzhdi Jashari, Hyrë Emini, Ali Uka, në Llap, Muharrem Mahmutaj, Ismet Cakiqi, në Karadak, Shemsi Syla, Ismet Sylejmani e të tjerë.

Për gazetarët e reporterët e Radios dhe të Agjencisë nuk harrohet dot edhe komandanti i pikës së Berishës, Fadil Berisha, i cili së bashku me disa ushtarë ka ndihmuar pandërprerë për ta siguruar bartjen e teknikës, pastrimin e rrugëve, dhe sigurinë me armë të stafit gjatë transmetimit. Anëtarët e stafit e të Radios, nuk e harrojnë dot as odën e bacit Osman, ku fillimisht jemi ushqyer së bashku me ushtarët e Togës të Berishës.

Janë qindra ushtare dhe ushtare të UÇK-së, të cilët gjatë luftës kanë frekuentuar në Radio, na kanë vizituar na kanë mbështetur. Është e pamundshme të përmendën të gjithë.

Radio-Kosova e Lirë, sot

Po sot Kosovë e Lirë më thuaj si je?  Kjo pyetje vetvetiu shtrohet në këtë përvjetor dhe nuk kemi ndërmend ta anashkalojmë.

Fati i kësaj Radioje është i lidhur ngushtë me fatin e luftëtarëve të lirisë, të atyre luftëtarëve të lirisë që nuk u kujtuan të bëjnë emër e nam, por luftuan dhe qëndruan nëpër istikame deri në ditën e çlirimit. Cili ka qenë dhe cili është fati i tyre sot, kjo dihet, shihet, preket. I tillë është edhe fati i Radios-Kosova e Lirë, e cila vazhdon të transmetojë program ditor për dëshmorët, për luftën e UÇK-së, vazhdon ta informojë opinionin në Kosovë e më gjerë në mënyrë realiste dhe objektive, vazhdon të denoncojë pazaret politike që po i luhen mbi kurriz të vendit tonë nga vasalët e poltronët e BE-së, vazhdon të trajtojë tema nga historia, kultura, letërsia, feja dhe nga lëmi të tjera, duke u mbështetur në sinkroninë e diakroninë e vrojtimit filozofik në zhvillimin dhe përparimin e kulturës kombëtare, duke mos injoruar aspektet zhvillimore pozitive të asnjë periudhe historike, dhe duke e trajtuar këtë realitet në kohë dhe hapësirë në rrafshin horizontal dhe vertikal, me qëllim për ta ruajtur origjinalitetin e kulturës së informimit në kohën e globalizimit kulturor, që shpërfillë vlerat specifike dhe që imponon uniformizmin e konformizmin e ngurtë.

RKL-ja me kohë ka krijuar individualitetin specifik, me kohë ka shpërndarë në nën qiellin e Kosovës, zërin e lirisë, zërin e fitores, zërin e së ardhmes së lirë, andaj ajo e ka ruajtur dinjitetin e luftëtarëve të lirisë dhe të shtresave militante të kombit, pavarësisht pengesave me të cilat është ballafaquar e ballafaqohet edhe sot. Radio-Kosova e Lirë nuk është marrë në mbrojtje institucionale sikur disa medie të tjera, madje as sikur ansambli “Shota” të cilin e ka krijuar LSPPJ, në kohën e bashkim vëllazërimit tashmë të perënduar si proces, por me nostalgji ende të pa konsumuar në mendjet njëdimensionale-titiste komuniste. Shotën multietnike e financon Kuvendi i Kosovës. RKL-ja ka leje transmetimi për ta mbuluar me valë vetëm një pjesë të Kosovës, meqë statusi i saj me insistimin e një segmenti vendimmarrës të kreut të luftës është reduktuar si medium lokal, edhe pse familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë ka në të gjitha pjesët e Kosovës, por shumica dërrmuese e tyre janë të privuar nga e drejta ta dëgjojnë këtë Radio që transmeton emisione dokumentare e tematike për dëshmorët.

Duke qenë se ka qëndruar e paanshme dhe e paepur karshi mujsharëve të politikave të grupeve, ajo është atakuar nga të dyja palët, sikur cungu i farkëtarit, por i ka përballuar rrebeshet, sepse duhej t’ i përballonte meqë kishte përballuar me sukses edhe predhat e armëve vrastare të Milosheviqit.

Radio-Kosova e lirë, sot ndihet me faqe të bardhë, me programin e saj të veçantë, me profilin e ndërtuar mbi parimin e origjinalitetit, me qëllim jo vetëm për t’ i përballuar globalizmit, por edhe për të mbijetuar si koncept i veçantë mediatik, në shërbim të dëgjuesve që kanë jo vetëm nostalgji për historinë kombëtare për kulturën popullore, për vlerat dhe krijimtarinë e mirëfilltë kombëtare, por edhe nevojë shpirtërore.

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmorët e rënë prej 27 mars deri më 2 maj të vitit 1999 në mbrojtje të pozicioneve nga ku emetonte RKL

Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të instititucioneve informative të luftës …