Fjala e drejtorit të Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi në shënim të 15-vjetorit të Radios

Ju përshëndes dhe ju falënderoj nga zemra që keni ardhur për të marrë pjesë në shënim të 15-vjetorit të Radios-Kosova e Lirë. Kjo datë shënon edhe fillimin nga puna   të Agjencisë së lajmeve Kosovapress

Kaluan 15 vjet, të gjitha vite të rënda, por edhe vite krenarie e rritjeje, vite që kurrë nuk do të harrohen për ne dhe për liridashësit shqiptarë, sepse 4 janari i  vitit 1999, ka një rëndësi të veçantë për luftën e UÇK-së, për historinë e informimit në Kosovë, ka një rëndësi të veçantë për rrugën e gjatë në realizimin e aspiratave tona kombëtare për liri, drejtësi, barazi dhe bashkim kombëtar.

Radio-Kosova e Lirë, qysh prej ditës së parë të fillimit të transmetimit e deri sot i ka mbetur besnike idesë së bashkimit kombëtar dhe ka krijuar një program shumëdimensional, duke u mbështetur pikërisht në këtë koncept.

Ju përkujtoj se 10 vjet më parë, në 5-vjetorin e Radios, po këtu nga kjo sallë, Bacë Adem Demaçi pati  thonë;

Fjala e Kosovës së lirë, fjala për Kosovën e lirë,  mendimi dhe veprimi i pareshtur për Kosovën e lirë ka qenë i kamotshëm, shumë para se të lindin këto radiot me  tela e pa tela. Fjala e Kosovës së lirë nuk do të ndalet kurrë, derisa Kosova të bëhet plotësisht e lirë…

Gjatë këtyre 15 viteve të ekzistencës,  në garën marramendëse për të ekzistuar, në rrugëtimin e gjatë nëpër hipodromin e mujsharëve të prejardhjeve të ndryshme, ideologjike dhe politike  nga e kaluara dhe e sotmja, nga ato ndërkombëtare e vendore, ne kemi rendur me hapin tonë, edhe pse të shtyrë, të nëpërkëmbur, krejt pak të përkrahur dhe jo pak herë të sulmuar e të injoruar, jo pak herë të atakuar nga një pjesë prej atyre që dikur, në kohën e luftës, punën, djersën dhe gjakun tonë i kishin përvetësuar për t’u lavdëruar lidhur me të arriturat e mëdha të UÇK-së, të SHP dhe të institucioneve të para, të luftës. Natyrisht se një pjesë e lavdir iu përket edhe atyre…

Me të mbaruar lufta, Radio-Kosova e lirë, jo vetëm që nuk mori kurrfarë përkrahje financiare, sikur morën institucionet e tjera, por u bënë përpjekje për të na  nënshtruar politikisht. Kur u pa se ajo nuk do të arrihej, atëherë u bënë përpjekje që të mbyllej zëri emblematik i lirisë. Kur u pa se nuk e kishte ndërmend të mbyllej, atëherë iu caktua një status i një radioje lokale, duke rrudhur dëgjueshmërinë dhe duke i ndarë një frekuencë në të njëjtën valë me një frekuencë të Radio-Maqedonisë, 10 herë më të fortë se RKL-ja, me qëllim që të ngulfatej dhe të nxirrej nga radhët. Duke parë se ne nuk po shuheshim, se vazhdonim avazin tonë, se nuk po e ndalonim  kritikën në asnjë drejtim, se po emetonim për ditë emisione për dëshmorët, martirët, për kombin, historinë, gjuhën, letërsinë, folklorin, traditën, shkencën, kulturën, artin, fenë, informimin dhe të gjitha këto në shërbim të popullit, atëherë disa nga bashkëluftëtarët tanë, u kujtuan se u dashka të trajtohet  edhe ky medium, i cili në kushte dhe rrethana ndër më të vështirat mbijetoi në rrugën e gjatë dhe të mundimshme, që nga dita e parë e transmetimit e deri në ditën e sotme.

Dikush mbase me të drejtë do të pyes, përse u bë tërë ai mund, kur në Kosovë ka 100 radio e televizione dhe çka do të kishte mbetur keq Kosova pa zërin e Kosovës së lirë. Na është drejtuar kjo pyetje, jo vetëm njëherë.

Kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm se Kosova ka 100 radio e televizione, ka dhjetëra gazeta e qindra portale, por doemos duhej ta kishte dhe ka edhe zërin tonë, zërin e Kosovës së lirë, faqen tonë në internet, redaksinë e botimeve dhe një numër shumë të madh të dëgjuesve në valët tokësore. Është i vetmi medium, me Kosovapresssin, për të cilët  është derdhur gjaku i dëshmorëve, në mbrojtje të fjalës së lirë, në mbrojtje të të vetmit medium elektronik të Kosovës gjatë kohës së luftës, prej 4 janarit e deri më 21 qershor të vitit 1999.

Kjo është arsyeja pse Radio-Kosova e Lirë, medium i themeluar nga SHP i UÇK-së,  jehona e krismave të pushkës së legjendarit Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UÇK-së, nuk u ndal gjatë luftës, edhe pse u bombardua ditë për ditë nga arma armike serbe. Nuk ndaloi as pas luftës edhe pse u sulmua dhe sulmohet nga rojet e territ të së kaluarës, nga mujsharët e kapitalizmit të xhunglës, nga ish-ishët që ka lënë trashëgim robëria shekullore.

Radi0-Kosova e Lirë nuk iu ka përshtatur idesë së multietnicitetit, as idesë së globalizmit evropian, as idesë së rikthimit të bashkim-vëllazërimit, as përpjekjeve për shpërlarje të trurit. Ajo tashmë është  bërë zëdhënëse e trashëgimisë pozitive  dhe afirmative të kulturës, informimit dhe trashëgimisë kombëtare dhe një rrugë të tillë do ta ndjek edhe në të ardhmen, duke prezantuar faqe lavdie të historisë e të rezistencës sonë kombëtare në rrugën historike dhe të gjatë të zhvillimit të kombit, në kushte dhe rrethana të garës gjithnjë e më të pamëshirshme të kapitalizmit vulgar që po mbretëron kudo në Kosovë dhe në rajon. Në këtë rrugë nuk jemi të vetëm. Janë shumë mediume dhe institucione shqiptare, të cilat  ditë e më tepër po i kthehen trashëgimisë dhe mësimeve të pamësuara mirë të historisë… Kjo na jep shpresë dhe na trimëron…

RKL15vjet_4

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmorët e rënë prej 27 mars deri më 2 maj të vitit 1999 në mbrojtje të pozicioneve nga ku emetonte RKL

Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të instititucioneve informative të luftës …