(16. 9. 2007) Faik Miftari: A PO EVULON QËNDRIMI I BASHKËSISË EVROPIANE?

 


Me refuzimin e “pakos” së Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga ana e Rusisë, e cila ishte kategorikisht kundër zgjedhjes së statusit të Kosovës sipas planit Ahtisari, pasoi një moment i jashtëzakonshëm. Që nga ai moment i bllokimit të kalimit të Rezolutës sipas planit Ahtisari në KS të OKB-së, qëndrimi i Bashkësisë Evropiane filloi të zbrapset karshi qëndrimit të saj të mëparm të përkrahjes së pakosë Ahtisari, duke filluar të nënshtrohet presionit të Rusisë.
Ishte i pari kryetari francez, Sarkozy që apeloi për shtyerjen dhe për bisedime të reja 6 mujore të palëve negocuese Prishtinë-Beograd, duke insistuar në gjetjen e një kompromisi të mundshëm të dyanshëm në mes Beogradit dhe Prishtinës, e që ishte kjo edhe kërkesa kryesore e Rusisë për shtyerjen e afatit kohor të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe për gjetjen e një kompromisi të mundshëm të pranueshëm të dyanshëm.
Bashkimi Evropian, e sidomos Franca dhe Gjermania, u zmrapsën karshi shtimit në rritje e sipër të forcës së saj ekonomike, politike, ushtarake dhe posedimit të rezervave enorme të naftës, gasit si dhe rolit hegjemonist e pansllavist të liderit të Kremlinit, Vladimir Putin.
Bashkimi Evropian nga përkrahja e planit Ahtisari, tani insiston në gjetjen e ndonjë kompromisi të mundshëm, të pranueshëm për të dy palët, duke ditur qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve negocuese, në njerën anë pozicionin e palëkundër të palës shqiptare për pavarësinë e Kosovës, në anën tjetër pozicionin e betonuar të palës serbe për ruajtjen e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, a thua cili do të ishte ai kompromis i mundshëm shumë i përfolur?
Përsëri ishte i pari, ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner, njohës i mirë i gjendjes në Kosovë, pasi që ishte më parë përfaqësuesi special i parë i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së pas vendosjes së UNMIK-ut në Kosovë. Ai e hodhi idenë se Franca do të mbështes kompromisin eventual të mundshëm në relacionin Beograd-Prishtinë, qoftë kjo të jetë edhe te ndarja e Kosovës.Më tutje vazhdoi me gafin e tij politik, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në “treshen” e caktuar nga Grupi i Kontaktit për fazën e ashtuquajtur negocuese 120 ditore, Volfang Ishinger, i cili jo direkt por tërthorazi nuk e përjashtoi mundësin e ndarjes së Kosovës.
Më tej ishte ministri holandez i Punëve të Jashtme, Verhagen i cili gjatë vizitës së tij në Beograd e në Prishtinë deklaroi se për Holandën do të ishte i pranueshëm pajtimi i dyanshëm për ndarjen e Kosovës.
Në diplomaci është i njhur termi “nxehtë-ftohtë” i cili zbatohet në terminologjinë politike, sa herë që kemi të bëjmë me bisedimet apo negociatat e ndryshme gjatë zgjidhjeve të konflikteve në arenën botërore.
Pas deklarimeve pro ndarjes së Kosovës, pasuan deklarimet kundër ndarjes së Kosovës, për të balansuar dhe zbutur idenë e hedhur më parë, pasi që ndarja e Kosovës ishte në kundërshtim me 3 pikat kryesore të përcaktuara kohë më parë nga Grupi i Kontaktit, moskthimi në gjendjen e vitit 1999, mosndarja e Kosovës si dhe mosbashkimi i saj me ndonjë shtet tjetër. Pasi pushuan zërat në Bashkimin Evropian për ndarjen eventuale të Kosovës, pason goditja e fortë nga pala kundërshtuese ruse, nga ministri i jashtëm, Sergej Lavrov, i cili tha se edhe Rusia do të ishte e pajtimit edhe me ndarjen e Kosovës si kompromis i mundshën në mes Beogradit dhe Prishtinës.
Në Insitutin e marrdhënieve ndërkombtare, më 3 shtator, në Moskë, Sergej Lavrov përveç tjerash deklaroi:” duhet të kuptohet se në gjithë politikën e jashtme të Rusisë, për ne ekzistojnë vijat e kuqe, dhe kjo është kur krijohen kërcënime reale të sigurisë sonë kombëtare, në këtë çështje është edhe Kosova. Tani për Rusinë, pavarësia e Kosovës është vija e kuqe, që ajo nuk do ta tolerojë dhe që tashmë është e lidhur me sigurinë e saj kombëtare”.
Rusia ia arriti qëllimin e saj, që duke luajtur me politikën e saj të përkrahjes parezervë që i dha dhe po i jep Serbisë, krijoi huti dhe përçarje në unitetin edhe ashtu pa unitet të Bashkimit Evropian. Menjëherë pas këtij qëndrimi rus, minsitri francez i Punëve të Jashtme deklaroi se:” medoemos duhet të ruhet uniteti brenda bllokut evropian. Një gjë e tillë është më e vlefshme se sa fati i Kosovës kundrejt Serbisë”.
Kulminacion i këtij qëndrimi evolutiv të Bashkimit Evropian ishte deklarata e ambasadorit të Austrisë në OKB, Volfang Petriç, njohës i mirë i rrjedhave aktuale politike në Ballkan dhe ish përfaqësues i Bashkimit Evropian në bisedimet e Rambujes. Ai saktësoi se“ nga aspekti ndërkombtar Serbia ka të drejtë që insiston në ruajtjen e tërsisë territoriale të saj, e që do të thotë se nuk e di se si dhe në çfarë mënyre Serbia mund të ruajë këtë, që Kosovën dhe dy milion shqiptar ta mbajë në gjirin e saj”.
Në përfundim të këtij vështrimi mund të konkludohet se qëndrimi i Bashkimit Evropian nga përkrahja që fillimisht i dha “pakos” së Ahtisarit, dalëngadalë po evoluon, e do të shohim se ku do të përfundojë ky evoluim në fund të besedimeve të palëve të konfrontuara ne relacion Prishtinë-Beograd.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …