28 vjet nga rënia e Ismet Jasharit dhe Habib Zogajt në Luzhnicë

25 gusht 1998, në vendin e quajtur Bajrak, në Luzhnicë, ranë në luftime me forcat serbe komandanti i Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, Ismet Jashari – Komandant Kumanova, dhe luftëtari i UÇK-së, Habib Zogaj. Ismet Jashari kishte ndërmarrë kundërsulmin në orët e hershme të 25 gushtit, me synimin për të tërhequr trupat e luftëtarëve Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, të cilët kishin mbetur në pozicionet e luftimit një ditë më parë. Pas disa orësh përleshjesh në distancë të afërt, Jashari ra në luftime së bashku me Nuhi Mazrekun dhe Habib Zogajn. Ismet Jashari kishte lindur në vitin 1967 në Orizare të Kumanovës. Pas Epopesë së Prekazit, ai u nis drejt Kosovës dhe më 11 mars 1998, së bashku me luftëtarë të tjerë, arriti në Likoc të Drenicës. Në mars 1998, Jashari, së bashku me Fatmir Limajn, Haxhi Shalën, Sadik Shalën dhe bashkëluftëtarë të tjerë, mori pjesë në formimin e njësitit “Çeliku”, me bazë në Kleçkë. Gjatë muajit prill, ndërsa ishte në detyrë ushtarake në Dukagjin, ai u plagos në të dyja këmbët. Një ditë para rënies së tij, më 24 gusht 1998, forcat serbe kishin intensifikuar sulmet në zonën e Luzhnicës, duke përdorur artileri të rëndë dhe raketa tokë-tokë. Luftëtarët e UÇK-së kishin depërtuar në pozicionet kundërshtare, por gjatë luftimeve Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj nuk kishin arritur të tërhiqeshin. Rënia e Ismet Jasharit, Nuhi Mazrekut dhe Habib Zogajt më 25 gusht 1998 mbetet e lidhur me përpjekjet e luftëtarëve të UÇK-së për të nxjerrë trupat e bashkëluftëtarëve të rënë në betejat e Luzhnicës.

Kontrolloni gjithashtu

Eman Rrahmani

Eman Rrahmani reagon pas rastit të Trainkos dhe paralajmëron pushtetin

Deputeti Eman Rrahmani, ka reaguar lidhur me rastin e Trainkos, pas raportimeve se ndërmarrja ka …