Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar marrëveshjen për huanë direkte prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një “dëshmi konkrete të besimit” që Uashingtoni ka ndaj Tiranës, duke e paraqitur atë si një sukses të madh politik dhe strategjik. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla e quajti marrëveshjen historike, duke theksuar se financimi amerikan do të shërbejë ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në përputhje me standardet e NATO-s. Sipas tij, fondet do të disbursohen gradualisht sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa çdo përdorim i tyre do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes, me qëllim garantimin e transparencës. Megjithatë, pavarësisht retorikës së mazhorancës, marrëveshja mbetet një hua që do të duhet të shlyhet nga shteti shqiptar brenda afateve të përcaktuara, deri në 12 vjet, ndërsa aktivizimi i fondeve parashihet të bëhet brenda 48 muajve. Për rrjedhojë, marrëveshja nuk përbën grant apo ndihmë financiare pa kthim, por një detyrim financiar afatgjatë për buxhetin e vendit. Balla deklaroi se Shqipëria ka rritur angazhimin për shpenzimet në mbrojtje dhe mbështet objektivin e ri të NATO-s për arritjen e nivelit prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, duke e cilësuar sigurinë kombëtare si prioritet strategjik të shtetit shqiptar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
