Nëna e viktimës së masakrës “Panda” sfidon Vuçiqin: Zbuloni kush dha urdhrin, Serbia po fsheh të vërtetën

Pas gati tri dekadash heshtjeje, Ljubica Trifoviq, nëna e Dragan Trifoviqit, njërit prej gjashtë të rinjve serbë të vrarë në masakrën e lokalit “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998, ka drejtuar akuza të rënda ndaj institucioneve të Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rastit. Në një intervistë për portalin serb Nova.rs, Trifoviq deklaroi se është e bindur se autorët e vrasjes nuk ishin shqiptarë, por struktura të sigurisë së shtetit serb. Sipas saj, përgjegjësia kryesore nuk qëndron vetëm te ekzekutorët, por te ata që urdhëruan kryerjen e krimit. “Deri në fund do ta padis shtetin. Le ta thonë të vërtetën. Vuçiq ka deklaruar se opinioni do të tronditet kur ta mësojë të vërtetën. Atëherë le ta tregojë kush i vrau fëmijët tanë”, është shprehur ajo. Trifoviq akuzoi presidentin serb se prej vitesh pretendon se e di të vërtetën për rastin “Panda”, por nuk ka pranuar asnjëherë familjarët e viktimave, pavarësisht premtimeve të përsëritura. Sipas saj, kabineti i Vuçiqit i ka kontaktuar familjet vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por jo për t’u dhënë përgjigje lidhur me vrasjen e gjashtë të rinjve. Ajo pretendon gjithashtu se masakra në lokalin “Panda” u shfrytëzua politikisht nga regjimi i atëhershëm serb, duke deklaruar se “po të mos kishte ndodhur ‘Panda’, nuk do të kishte ndodhur as Reçaku”, duke aluduar se ky krim u përdor për të ndërtuar narrativën që parapriu ngjarjet tragjike në Kosovë. “Nuk ka rëndësi kush e kreu aktin, por kush dha urdhrin. Kjo është pyetja kryesore. Ne e dimë të vërtetën prej kohësh, por shteti vazhdon të heshtë”, deklaroi ajo.

Kontrolloni gjithashtu

Rashit Qalaj

Rashit Qalaj: Policia e Kosovës po përballet me mungesë pajisjesh dhe paga të pamjaftueshme

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka deklaruar se policët në Kosovë vazhdojnë të …