Franca rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, por anëtarësimi në KiE mbetet sfidë diplomatike

Ministri i Deleguar për Evropën i Republikës së Francës, Benjamin Haddad, ka rikonfirmuar mbështetjen e Francës për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE), duke theksuar se Parisi do të vazhdojë të jetë partner i afërt i Prishtinës në proceset integruese. Në konferencën për media pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Haddad e cilësoi vizitën e tij në Prishtinë si dëshmi të miqësisë së kahershme ndërmjet dy vendeve dhe të angazhimit të vazhdueshëm francez ndaj Kosovës. “Kam kënaqësinë që jam sot në Prishtinë si mik personal i Kosovës dhe si përfaqësues i presidentit Emmanuel Macron. Përtej miqësisë sonë, marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës janë të kahershme. Mbështetja jonë ka qenë gjithmonë e qëndrueshme dhe unë e konsideroj veten mik të Kosovës prej shumë vitesh”, deklaroi Haddad. Deklarata e zyrtarit francez vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të synojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, një proces që mbetet i ndërlikuar për shkak të kundërshtimeve të disa shteteve anëtare dhe zhvillimeve në dialogun Kosovë–Serbi. Megjithëse mbështetja e Francës përbën një sinjal pozitiv politik, vendimmarrja për anëtarësimin kërkon konsensus më të gjerë ndërmjet vendeve anëtare të organizatës.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti: Pres një verdikt të drejtë, lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin e vendit

Lideri politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë se edhe ai, …