(31. 7. 2007) SMAJL LATIFI: BRAKTISJA E POLITIKËS SË “PAVARËSISË” SHËNON NJË FILLIM TË MBARË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT

 


Nuk është e vërtetë se është i paarritshëm çlirimi dhe bashkimi kombëtar. Kështu kanë thënë e thonë ata që nuk besojnë në veten e tyre dhe në forcën e popullit shqiptar, ata që nuk i njohin rrethanat apo ata që duan të ruajnë pozitat e tyre në skenë, duke i dëmtuar interesat dhe të drejtat legjitime të popullit shqiptar. Po t`i referohemi politikës së sotme, atëherë as pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës nuk është i arritshëm. Sigurisht se jo. E drejta e një kombi nuk ka ndodhur që të bëhet realitet asnjëherë me politikën çfarë e kemi ne shqiptarët. Dhe, mjerisht, degjenerimi politik nuk ka të ndalur. Është shkuar deri aty sa të vihet në lojë fati i një populli. Rruga që e përqafuan këta politikanë është mënyra për t’i vënë në rrezik të gjitha.
Në përditshmërinë tonë shohim të shfaqen elemente të rrezikshme. Është meritë e kësaj politike poshtëruese dhe të papërgjegjshme, që sot të shohim me dhimbje: se si njerëzit janë lodhur; se si janë dëshpëruar; se si iu është ngjallur ndjenja, se ne shqiptarët nuk jemi të zot të bëjmë diçka; se si ne nuk meritojmë të jemi të lirë dhe të kemi shtetin tonë; se si u dashka ta kemi barrë gjithnjë të huajin për t’u kujdesur për ne; se si të gjendet një rrugë për ta braktisur këtë vend në mungesë të perspektivës etj.
Si pasojë e kësaj politike të degjeneruar në palcë dhe në të gjitha pikëpamjet e tjera, të dështuar, strategjia e armiqve tanë po lëshon shtat në qenien e njerëzve tanë dhe po e turbullon ndërgjegjen e tyre. Ky është mesazhi më i mirë, se popujt e robëruar nuk duhet që ta marrin shembullin e partive politike shqiptare, por ta mbysin që në embrion përpjekjen për të lindur një politikë si kjo e jona, e cila i bëhet pengesë reale realizimit të lirisë së popullit të vet.
Shqiptarët e kanë kohën kritike për të shmangur të keqen më të madhe: t’i japin goditje kësaj politike, në mënyrë që të shpëtojnë veten e vet. Sepse vargu i gabimeve të politikës së ‘pavarësisë’ është i gjatë. Ai nuk ka të ndalur. Se si erdhi deri këtu, duhet të na shërbejë vetëm si një përvojë e hidhur, por dhe një detyrim i qartë, për të dëshmuar praktikisht, se sa i domosdoshëm është të shohim fundin e një politike që nuk është dashur të lindte fare. ‘Pavarësia’ e Kosovës ka rrezikuar shumë procese, para së gjithash ato procese që bëjnë të pamundur realizimin e saj të plotë. Përballë kësaj është bërë domosdoshmëri ri-pozicionimi në bazë të gjerë i njerëzve tanë.

Pyetjet që duhet t’ia bëjë sot vetes çdo shqiptar janë: Ku jemi ne shqiptarët? Pse qenka kaq e vështirë të jemi kundër një politike të tillë, që e ka mbushur kupën? Pse duhet të presim që të derdhet kupa dhe nga kjo llavë të fusin hundët të tjerët? Pse është e lehtë të orientohemi drejt forcimit të politikës në interes të shqiptarëve? Deri kur do të presim që për ne dhe me ne të merren të tjerët? Deri kur do t`i japim mundësi mashtrimeve dhe lajkave të përsëritura çdo ditë? Ta bëjmë sot, që e nesërmja të na gjejë të rreshtuar në punë dhe jo duke pyetur njëri-tjetrin, çka po ndodh me ne, ku jemi, ku po shkojmë etj.
Është shkurtpamësi politike, të mos shohim diçka shumë të thjeshtë që duket ditën për diell. Politika e ashtuquajtur e pavarësisë ka ndërtuar realitetin e copëtimeve të reja, për shkak se nuk është e fuqishme dhe e organizuar politika e çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Pse nuk është e fuqishme një politikë e tillë, është gabimi më i rëndë që është bërë. Kanë gabuar rëndë të gjithë ata që autoritetin dhe ndikimin e tyre e kanë përdorur duke mashtruar veten dhe për ta mashtruar popullin.
Prandaj, t’i japësh besim ende një politike e cila me gabimet e saj noton me të keqen, është rrezik që ta humbin përgjithmonë rastin për të jetësuar aspiratat dhe qëllimet tona kombëtare. Pa dashur të merremi me fyerje, politikanët e ngjitur në emër të pavarësisë janë shndërruar në deformatorët dhe aventurierët më të mëdhenjë. Ata për më keq, kanë hequr dorë dhe kanë legjitimuar në praktikë politikën që mohon dhe shkelë të drejtën që i takon popullit shqiptar.
Të gjithë duhet ta ndjejmë sepse secili nga ne jemi përgjegjës që kemi pranuar të ecim në procese të cilat nuk mundësojnë realizimin e të drejtave tona kombëtare. A nuk është e vërtetë, se në një mënyrë ose tjetër kemi lejuar që politikanët e stilit ‘edhe lypës edhe krenar’, përhapësit dhe aktorët e mjerimit politik, prodhuesit e njohur të premtimeve të papërmbushura asnjëherë, protagonistët e dëshmive të shumta të nënshtrimit, kapitulluesit në gjendje luftë dhe paqeje, të vijnë deri aty, sa ende të marrin guximin që të duan dhe të kërkojnë besim? A nuk e shihni se si ata pa kurrfarë turpi dhe pa e parë peshën e gabimeve të tyre, tani përpiqen t`i fajësojmë të tjerët-ndërkombëtarët që po duan të na tradhtojnë, ani pse të gjitha shpresat e tyre dhe fatin e popullit e lanë vetë në duar të tyre dhe nuk kanë lënë gur pa lëvizur që ta ‘bindin’ edhe popoullin tonë, se bashkësia ndërkombëtare është me ne dhe ajo do t’na njohë të drejtat tona legjitime? Ata duan të harrojnë, se është politika e pasluftës, ajo që i atribuohet pikërisht atyre që kanë zgjedhur rrugën e cila ka krijuar hapësirë që me sjelljet e tyre ta shpërdorojnë gjakun e derdhur dhe vlerat e arritura kombëtare, ato historike, kulturore dhe të trashëgimisë sonë të pasur. Duke i dhënë mbështetje kësaj politike, brenda kombit shqiptar janë krijuar faktorë të organizuar për ta penguar bashkimin, për ta ndrydhur dhe mbajtur diku shumë larg detyrën për ta bërë realitet atë. Shqiptarët nuk e kanë merituar këtë politikë. Edhe kur e kanë mbështetur kanë shpresuar se do të bëhet mirë. Fatkeqësisht, vetë shqiptarëve po i kushton kjo politikë, e cila duket se po ua humb besimin në të. Shpresojmë në fundin e kësaj poltiike, sepse besojmë thellë se populli ynë e do lirinë dhe atdheun. Nga politika e tam-tameve të pavarësisë, gjendja në të gjitha pikëpamjet vazhdon të rëndohet përditë.

Prandaj, mbështetja e organizimit dhe bashkimi rreth opsionit të krijimit të shtetit të plotë shqiptar në kufijtë e tij natyrorë dhe real, shënon hapin vendimtar në drejtim të fillimit të realizimit të suksesshëm të tij. Politika e trumpetimit të pavarësisë është barra më e rëndë që po i kushton kombit shqiptar. Mbështetja e kësaj politike i ka dhënë dhe po i jep argumente Serbisë dhe aleatëve të saj brenda bashkësisë ndërkombëtare që të ruajnë dhe forcojnë pozicionet e sulmit ndaj Kosovës. Kjo po vërtetohet si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtmin.
LKÇK-ja është e bindur thellë, se tashmë jemi në shekullin ku mund të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që të sillemi të fuqishëm si komb, të sillemi plotësisht si faktor i organizuar në këto procese historike. Por, kjo fuqi nuk mund të shihet dhe as që mund të krijohet ndonjëherë duke mbajtur të gjallë politikën që nuk beson në forcat e veta. Prandaj, ngritja e gatishmërisë dhe vendosmërisë për të rrugëtuar drejt çlirimit të trojeve shqiptare dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë, është sfida kryesore që përmbushë qartësinë e një vizioni shumë të domosdoshëm për shqiptarëtc sot, për një të ardhme të begatshme.
Duke mbështetur dhe fuqizuar politikën e shfrytëzimit të rrethanave të sotme, kemi shansin për të mbledhë dhe organizuar energjitë e kombit gjatë ecjes sonë të përditshme ku të gjithë do ta shohim ndryshimin e gjendjes shpirtërore dhe materiale brenda nesh. A nuk e shihni se politika e parcializimit është kërcënim serioz për shqiptarë? MUnd ta shohim se si vazhdimi i saj ruan agoninë tonë si komb. Prandaj, kthejani shpinën politikës së dështimeve zingjirore. Është e natyrshme të bëjmë këtë veprim kaq të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm dhe vendimtar, pikërisht për ta qartësuar dhe ndërtuar të ardhmen tonë. Shqiptarët janë në pozitën ku duhet ta lënë në muze, ta shkruajnë këtë periudhë historike si një histori e hidhur, që pati në ballë përfaqësues të një rryme politike që nuk na çojë përpara, si një e kaluar, e cila kurrë më nuk duhet të përsëritet. Së fundi : t’i bashkohemi opsionit të çlirimit të truallit tonë dhe të shtegtojmë pa u ndalur në ndërtimin e realitetit të bashkimit kombëtar e territorial.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar heroin e kombit, Sali Çekaj në 25-vjetorin e rënies

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar heroin e kombit, Sali …