leoni

( 6. 10. 2007) Mehmet Bislimi: TË NGADHNJESH MBI EGON

 


Koha e zhurmës për dhe kundër zgjidhjeve tashmë ka filluar të zbehet. Ndërkohë dolën edhe listat e kandidatëve për bartës të mandatit të deputetit, pastaj ato për kryetarë të komunave, për asamble, etj. Këto lista dolën pashmangshëm së bashku me pretendimet e bartëseve të tyre, duke fshehur thellë në vete edhe egon e pa mbulesë për të mos thënë “egon e tyre të sëmurë” për pushtet, me deklarata pro e kundër, me kërcenim dorëheqjesh e me pretendime pa mbulesë, me paraqitje deri qesharake si kandidatë të pavarur. Nga kjo fryrje nuk po mbante më dhe shumë individë të caktuar duke shprehur në të njëjtën kohë pakënaqësinë dhe ambiciet drejt majave më të larta për pushtet, u larguan nga subjekti i vet për të gjetur strehë nën sqetullat e dikujt tjetër, që ofron qoftë edhe një “prapanicë” që pret të zë diku ndonjë vend, në Kuvend. Shumë nga këta emra të njohur, por edhe anonimë, nuk gjetën forcën, burrërinë e as guxim që të ngadhënjejnë mbi egon e vet, ashtu siç ngadhënjeu, Azem Syla, Komandant i Përgjithshëm i Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare dhe ministër i Mbrojtjes në ish-Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, në verë të vitit 1999.
Personalitetet e vërteta, peshën e tyre reale e tregojnë vetëm atëherë kur vjen puna që të maten në kandarin e ndërgjegjes! Listat e të gjitha subjekteve politike në Kosovën e kapluar nga zjarrmia e zgjedhjeve, s’do mend se kishin dhe kanë edhe sot e gjithë ditën të metat e tyre. Ishin, madje mbesin të njëanshme si të tilla, diskriminuese, diskredituese e pa mbulesë, me anime e qëllim të caktuara. Për syrin e paanshëm të analistit, këto duken pa pasur nevojë që të lodhesh duke gërmuar në thellësinë e temës. Në këto lista shihet qartë, madje fare hapur se kush ishin servilet e liderëve të vegjël në vorbullën e Kosovës me halle të mëdha. Dëshirat e tyre, tani të mbytura me zhurmën e të qepurit për të qenë sa më afër kreut të listës e cila garanton vendin sipas radhitjes, por në të njëjtën kohë edhe ndonjërin nga postet e ëndërruar gjatë në Qeverisjen e ardhshme të vendit!
Në këtë mes ku matet burrnia me “dërhem” i zoti që dominon mbi egon e tij thotë, ashtu siç tha Azem Syla: “Jo, ju faleminderit, unë po tërhiqem nga lista për deputet të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës, më qëllimin e vetëm që t’i japim hapësirë kuadrove të reja politike!”… Dhe këtë nuk mund ta bëj çdo kush, këtë nuk pati guximin që ta bëj as kush (deri me sot), nga subjektet tjera politike që veprojnë në Kosovë e më gjerë! Sot në jetën politike (jo vetëm tek ne), janë vërsulur një armatë servilësh të tërë, intrigantësh, dallkaukësh, sahanlëpirës etj, të cilët për një vend në ministri apo diku aty pari, bëjnë gjithçka. Opinioni i gjerë, njeh me dhjetëra raste emra e figura që në jetën politike u hoqën zvarrë deri në grykë të varri duke u përjargur nga shqisat e shijes për një karrige! Nga kukudhë të tillë ka vuajtur e po vuan kaq gjatë populli ynë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, në Mal të Zi e më gjerë në rajon.
Këto pasoja, janë edhe produkt i ish shteteve të bllokut socialist, që në vetën e tyre, fshehur diku thellë, bartin pasionet e tyre për pushtet të pakufizuar si dikur. Madje “fatkeqësisht” që koha nuk i lejon, ata në vete mbysin ëndrrat e diktatorëve të vërtetë!…
Për derisa bartësit e dhunshëm të politikës së lodhur nga këta dhunues të demokracisë, nuk e kanë guximin dhe burrërinë e zotëriut, Azem Syla që të thonë publikisht: “Jo, unë jo, nuk dua që të ia zë frymën brezit të ri!”, atëherë populli ynë në këto zgjedhje, do të duhej që me votën e vet të lirë t’iu thotë uzurpatorëve të politikës në Kosovë: “ Jo, ju nuk do ta keni votën tonë!”… Pra, ju nuk do ta keni votën, ju që dhunuat ligjet e demokracisë dhe të politikës së mirëfilltë, ju që në kurrizin e Kosovës ngarkuat edhe të palarat tuaja, ju duhet të ikni, në mos, ne do të ju ndjekim e ndëshkojmë me anë të institucionit legjitim që quhet VOTA E LIRË! Kjo do duhej të ndodhet kësaj radhe.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj: AAK po rritet në Gjermani, jemi bashkë në përkushtimin tonë për ta orientuar vendin drejt zhvillimit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë e bashkatdhetarëve në çdo proces për të …