Frank Shkreli

Frank Shkreli: Senatorja amerikane, Joni Ernst nga shteti Ajova, jep alarmin për rrezikun rus ndaj Kosovës

Senatorja e Shteteve të Bashkuara e shtetit Ajova (Iowa), ç’prej vitit 2015 republikanja Joni Ernst, pas takimit të nivelit të lartë pak më heret këtë muaj, midis Presidentit amerikan, Donald Trump dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, lëshoi një deklaratë për shtyp me të cilën reagoi duke thënë se, “Rusia nuk ka qenë kurrë dhe nuk është mike e Shteteve të Bashkuara” dhe se Moska vazhdon të, “Jetë një kërcënim për Amerikën dhe për aleatët e saj.”  Ndër këta aleatë, Senatorja e shtetit Ajova — shteti si motër i Republikës së Kosovës – ka përmendur drejt për drejt Kosovën si vendin që ajo thotë se, “Vazhdon të kërcënohet nga taktikat e luftës hibride të Rusisë, nepërmjet Serbisë.”

Senatorja e Partisë Republikane, Joni Ernst nga shteti Ajova ka shërbyer në radhët e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara për më shumë se 23 vjetë dhe është veteranja e parë femër e zgjedhur në Senatin Amerikan.  Ndërda nga viti 1993 deri në vitin 2015, ajo ka shërbyer në Gardën Kombëtare të Ushtrisë së shtetit Ajova. Në Washington, ajo është anëtare në tre komisione me rëndësi të Senatit: Në Komisionin që merret me Punët e Forcave të Armatosura, në Komisionin për Sigurinë e Atdheut dhe në Komisionin për Punët Qeveritare.

Në deklaratën e saj mbi takimin Trump-Putin, ligjvensja e lartë amerikane, Joni Ernst ka kritikuar qëndrimin e Presidentit Trump ndaj Rusisë duke u shprehur se, “Duhet të jemi tepër të kujdesshëm për mënyrën se si i zhvillojmë marrëdhëniet tona me Rusinë. Shpresoj që Presidenti Trump të ketë dhënë një mesazh të fortë pas dyerve të mbyllura, se Rusia do të vazhdojë të ndëshkohet për aneksimin ilegal të Ukrainës në vitin 2014, për mbështetjen e neveritshme që Kremlini i jep regjimit vrasës të Bashar al-Assad-it në Siri, si dhe për veprimet dhe ndërhyrjet agresive ruse në politikën e mbrendëshme të Shteteve të Bashkuara.” Në një intervistë, më heret, në programin e rrjetit të telelvizionit amerikan, “Face the Nation”, Senatorja e shtetit Ajova ka deklaruar shprehimisht besimin e saj se “Rusia nuk mund të jetë kurrë as mike dhe as aleate e Shteteve të Bashkuara”.

Ndryshe nga Presidenti Trump, i cili është shprehur fillimisht si i dyshimtë ndaj zbulimeve të enteve amerikane të inteligjencës në lidhje me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, Senatorja Ernst ka theksuar mbështetjen e saj të fortë për entet amerikane të zbulimit të fsheht, duke u shprehur në deklaratën e saj për medien se ajo, “Ka besim të plotë në komunitetin e fshehtë të Shteteve të Bashkuara, si dhe në vlerësimin e arritur të këtij komuniteti se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane tëvitit 2016.” Në vazhdim të deklaratës së saj për medien amerikane, pas takimit Trump-Putin në Finlandë më heret këtë muaj, Senatorja republikane ka theksuar shpresën e saj se, në takimin e tij me udhëheqësin rus Vladimir Putin, Presidenti Trump të ketë biseduar edhe për rolin e Rusisë në Ballkan, në përgjithësi dhe në Republikën e Kosovës, në veçanti.

Ndoshta dikush mund të pyes se pse një senatore nga një shtet amerikan si Ajova, ku mund të ketë shumë pak ose aspak shqiptaro-amerikanë, të jap alarmin për rolin dhe influencën e Rusisë në Kosovë dhe njëkohësisht të jetë e interesuar për Republikën e Kosovës dhe për ndërhyrjet ruse në atë vend dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndoshta nuk dihet gjerësisht, por disa mund të kenë dijeni se Republika e Kosovës ka marrëdhënie të veçanta shtetesh motra me shtetin Ajova, ç’prej vitit 2013. Si përfundim i kësaj lidhjeje, Senatorja Joni Ernst ka vizituar Kosovën më 2016 dhe njihet si një nga politikanet amerikane me qëndrimet më miqësore ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti.

Marrëdhëniet e veçanta midis Republikës së Kosovës dhe shtetit amerikan Ajova kanë filluar ç’prej vitit 2003, kur në Kosovë janë dërguar më shumë se 700- ushtarakë të Gardës Kombëtare të Ajovës, si pjesë e misjonit ushtarak të Aleancës Perëndimore, NATO në mbështetje të një Kosove stabile, demokratike dhe në paqë.

Këto marrëdhënie midis shtetit Ajova dhe Republikës së Kosovës kanë ardhur e shtuar gjithnjë gjatë viteve, sidomos marrëdhëniet midis Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë të Republikës së Kosovës.  Përveç lidhjeve në fushën ushtarake, janë shtuar kontaktet edhe në fusha të tjera, me prëfitime reciproke midis Kosovës dhe Ajovës, sidomos në bujqësi — pjesë e të cilave janë edhe vizitat e shpeshta dhe të ndërsjellta të zyrtarëve të lartë të dy shteteve.  Ish-governatori i shtetit Ajova (tani ambasador i Shteteve të Bashkuara në Pekin), Terry Branstad është shprehur se bashkpunimi ushtarak dhe marrëdhëniet për zhvillimin bujqësor të Kosovës – si pjesë e partneritetit të shteteve motra Kosovë-Ajova – do të hapë dyer të reja edhe në fusha të tjera bashkpunimi, jo vetëm shtet-me-shtet, por edhe në baza të ndryshme individuale.  E gjithë kjo ka të bëjë me miqësinë midis dy popujve, është shprehur ish-governatori i Ajovës, Branstad dhe ka shtuar se “Nepërmjet forcës së kësaj miqësie është venë themeli për të ardhmen e marrëdhënieve të mrekullueshme midis Ajovës dhe Kosovës.”

Ndërsa gjatë një vizite të një delegacioni të shtetit Ajova në Prishtinë kohët e fundit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se vizitat e ndërsjellta janë shumë të rëndësishme për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, në të gjitha fushat. Duke shtuar se, “Raportet tona me SHBA-në përjetësisht do të jenë të veçanta. Bashkëpunimi jonë me Iowa është vetëm reflektim i këtyre raporteve. Ky bashkëpunim është duke forcuar shtetin tonë”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Prishtinë, 29 qershor Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim një delegacion të Shtetit të Iowa-s në SHBA, të udhëhequr nga Sekretari i Bujqësisë, Bill Northey, bashkë me gjeneralmajorin Timothy Orr i Gardës Kombëtare Amerikane të Iowas.

Në balancë është pra fati i kësaj miqësie të veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe të lidhjeve të shteteve motra të Ajovës e Kosovë në veçanti, ajo që ka alarmuar Senatoren amerikane të shtetit Ajova, Joni Ernst. Çfarë shqetëson Senatoren Ernst është pikërisht influenca ruse dhe masat destabilizuese që ka ndërmarrë Moska vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë sidomos Kosovën, nepërmjet mbështetjes së Moskës ndaj Serbisë dhe politikave të saja kundër Republikës së Kosovës — në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, si pjesë e politikave të saja pan-sllaviste.  Është ky një shqetësim që Senatorja Ernst, së bashku me disa zëra të tjerë, po përpiqen të japin alarmin, para se të jetë tepër vonë, mbi rrezikun që paraqet influenca ruse, jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin Perëndimor.  Është një alarm që i drejtohet klasës politike të rajonit që më në fund të rregullojnë punët e shtëpisë së vet, por është edhe një thirrje Washingtonit zyrtar dhe Evropës Perëndimore që të merren masat e nevojshme për mbylljen e derës së strategjisë ruse dhe të kërcënimit të Moskës për të inflitruar vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën — politikisht dhe ekonomikisht – para se të jetë tepër vonë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …