Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Një ftesë partive politike për t’ i rikthyer vlerat kombëtare

Nuk do të  zgjatem shumë. Po hyj drejt e në temë. Nga viti 2000 e këtej janë kryer disa palë zgjedhje për dy nivelet e pushtetit në Kosovë. Qëllim i vetëm nga atëherë e deri me sot ka qenë pushteti! Pushteti jo për të qeverisur me pasuritë e vendit e të kombit, por për të sunduar duke plaçkitur pasurinë publike për vete, për familjen dhe jo pak edhe për ndonjë servil pranë vetes. Për të qëndruar në pushtet, partitë që ishin në pushtet (në të dy nivelet), luftën me të gjitha mjetet e bënin për të grumbulluar sa më shumë vota. Deri te vota vinin në çdo mënyrë, vetëm jo në mënyrë të ndershme. Rruga e ndjekur deri tani nga partitë e “vjetra” politike na ka sjellë këtu ku jemi. Ecja në këtë rrugë nuk ka destinacion tjetër veç këtij që e jetuam dhe këtë fat nuk ia kisha dëshiruar asnjë lloji njerëzor. Prandaj, si domosdoshmëri imediate na imponohet të kërkojmë rrugë tjetër, një rrugë njerëzore, rrugë që na jep më shumë shpresë e besim për ndryshim. Nuk ka dyshim, çlirimi i Kosovës dhe Pavarësia kanë krijuar mundësi të shumta të cilat mundësi nuk i shfrytëzuam si e sa duhet.

Për të ecur tashmë një rruge tjetër, për të kthyer shpresën dhe besimin, na duhet një marrëveshje BESA-BESË (një Besëlidhje!) në mes njerëzve të politikës, besë skënderbegiane, besë për të mos mashtruar, por edhe besë për të ndryshuar për të mirën e kombit e të shtetit. Besën për t’u liruar nga kajtja (lakmia) për të rrëmbyer për vete atë që është e kombit dhe që i përket vetë atij, e që është pronari legjitim i pasurisë e quajtur jo rastësisht PASURI KOMBËTARE! Besën për të kërkuar votën qytetare për të qeverisur mirë, e jo si deri më sot për të grabitur atë që nuk të takon, atë që është e huaja! Por, i gjithë problemi është a thua na ka mbetur ndonjë fije bese e njerëzve të motit, që kishin besë e trimëri njerëzish fisnikë? Nuk dyshoj, kishim njerëz fisnik e të besës, por sot ku u tretën ata, ç’u bë më ta, ku u tretën ato ideale e tradita të njerëzve të fisëm? Që e dhanë gjithçka kishin për Lirinë! Diku e diçka është gabuar shumë gjatë këtij rrugëtimi kombëtar thuaja tridhjetë vjeçar e po të kemi parasysh vitet pas 99-tës, njëzet vjeçar me një ngarendje mbase edhe absurde. Kjo rrugë gjithsesi duhet ndryshuar, por, a kemi vullnet politik, intelektual e kombëtar për atë ndryshim, ndryshim që na kthen vlerat tradicionale shqiptare, vlera që i nëpërkëmbëm gjatë këtyre njëzet-tridhjetë viteve të fundit.

Sot e gjithë ditën na duhet një Besë për t’ia ndërprerë rrugën e krizës morale që na ka qitur jashtë binarëve të vlerave kombëtare dhe nuk jemi duke e ditur se cilat vlera duhet t’i përqafojmë e cilat t’i shqelmojmë!Tonat apo ato që na lidhin me shekujt e robërisë e skllavërisë e që na janë ngjitur si ferrë murrizi në shumë pore të jetës? Të atyre ferrave që Migjeni i quante simbole të mjerimit e të errësirës. Shkurt, gjatë këtyre tri dekadave kemi një shkëputje të madhe nga vlerat tona kombëtare shqiptare dhe sorollatemi shumë pas vlerave të huaja, që jo pak herë na i kanë imponuar armiqtë e kombit ndër shekuj. Kthimi në origjinë na është bërë domosdoshmëri. Vlerat tona kombëtare të kultivuara nga fryma luftarake skënderbegiane nuk mund të ruhen e më pak të avancohen nga mashtrues, servilë, injorantë, frikacakë e sehirxhinj të çdo ngjyre.

Mjaft e sunduan të huajt popullin e kombin tonë! Vendi dhe kombi duhet të qeverisen nga njerëzit që duan dhe dinë ta orientojnë atë në rrethanat e reja të krijuara pas shekujsh robërie. Adem Demaçi dhe Adem Legjendari na kanë mundësuar shumë që ta korrim fitoren e madhe të qershorit 1999 dhe të 17 shkurtit 2008!

Shkëputja nga mashtruesit e viteve të pas 99-të, të luftës a të pritjes çfarëdo qofshin, duhet të na ndajë me gjitha rrugët e mjetet! Popullit tonë nuk i mungojnë njerëzit që dinë e duan të qeverisin mirë me vendin e shqipeve. Mashtruesit, me gjithë makineritë e vëra në shërbim të mashtrimit për sundim (përfshirë edhe mediet lehtësisht të shitura), duhet t’i dërgojmë në muzeun e vjetërsirave dhe kjo nuk arrihet dot pa vullnetin e shumicës qytetare! Aty ku duhet t’i dërgojmë çdo formë joshje financiare, mashtrimi apo kërcënimi që i zgjatë jetën gjendjes ekzistuese.

Është kohë zgjimi për sistemimin e vlerave fisnike të kombit! Kështu siç jemi katandisur, jemi larg, madje shumë larg vlerave të konsoliduara të kombit shqiptar! Le të nisë ndryshimi, nëse jo nga politika, le ta fillojnë qytetarët, sovrani i ndryshimeve të deritashme!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …