Fatmir Humolli: Kuvendi i Kosovës t’i jap fund presionit, servilizmit dhe naivitetit politik

Me Marrëveshjen e Rambujesë të marsit 1999, Fuqitë e Mëdha imponuan një zgjidhje të dëmshme për shqiptarët e Kosovës, kjo marrëveshje e konstruktuar për të legjitimuar dhunën serbe ndaj shqiptarëve, Serbisë ia njohu legjitimitetin në Kosovë. Marrëveshja e Rambujesë parashihte një autonomi për Kosovën dhe oferta që bashkësia ndërkombëtare u bëri me këtë marrëveshje, shqiptarëve të Kosovës, dallonte shumë pak nga oferta e Millosheviqit për autonomi të Kosovës. Ishte urrejtja patologjike e regjimit të Serbisë kundër shqiptarëve ajo që bëri Serbinë të mos pranoj as ato pak të drejta që bashkësia ndërkombëtare ofronte për shqiptarët dhe rrjedhimisht ky mospranim i marrëveshjes solli intervenimin ushtarak të forcave përparimtare perëndimore. Fushata ajrore e forcave të NATO-s solli ndërprerjen e luftimeve në Kosovë e më të edhe Rezolutën 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara (10 Qershor 1999), rezolutë kjo që i mohon të drejtën për të jetuar i lirë popullit të Kosovës dhe legjitimon pushtimin serb të Kosovës. Kjo rezolutë ishte dhe është në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe zbatimi i mëtejshëm i saj, përbënë rrezik për të ardhmen më konkretisht për shpërthimin e dhunës në tërë Ballkanin.

Edhe pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga më shumë se 107 shtete sovrane, Kosova vazhdon të mbetet e izoluar për hir të tekave dhe interesave të qarqeve të caktuara. Çdo lloj imponimi i së ardhmes së Kosovës duhet të merr fund tani. “E drejta e kompromisit”, si taktikë për “zgjidhjen e konfliktit” sipas ekuilibrit të forcave midis fuqive të mëdha kundërshtare në nivel botëror dhe midis xhelatit – Serbia dhe viktimës – shqiptarët e Kosovës, do të krijojë tensione të reja në këtë zonë, sepse populli i Kosovës nuk duron më të jetë plaçkë tregu. 

Negociatat Prishtinë – Beograd janë shprehje të mungesës së dëshirës së bashkësisë ndërkombëtare për të sjellë paqe të qëndrueshme në Ballkan nëpërmjet respektimit të së drejtës së shumicës pra popullit shqiptar të Kosovës.

Nga sinteza deritanishme të bisedimeve rezultojnë gjëra tepër shqetësuese:

Decentralizimi, autonomia e enklavave serbe, koncepti i “ndërlidhjes horizontale”e institucionale”: la një derë të hapur për një Republikë Srbska brenda Kosovës përderisa shqiptarët në Luginë të Preshevës që jetojnë në kuadër të Serbisë e që janë popullatë autokton diskriminohen egërsisht për çdo ditë nga Serbia. Decentralizimi është duke u zbatuar përmes autonomisë kulturore, financiare dhe ekonomike, në politikën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale e deri në rregullimin”multietnik” të drejtësisë dhe policisë. Është për të dënuar mënyra “e së negociuarit” së negociatorëve të cilët kanë pranuar dy herë në radhë më shumë “komuna me shumicë serbe”, nga 3+1, 5+1. Të gjitha “komunat më shumicë serbe” kanë si qëllim të kenë “lidhshmëri” me komunat e tjera serbe të “decentralizuara”. Qëllimi i Serbisë përmes këtyre komunave si Parteshi, Kllokoti dhe komuna e zgjeruar e Novo Bërdës është që ta ndajnë Gjilanin, Dardanën dhe komplet Luginën e Presheves nga Kosova, sepse krijohet nje zinxhir e pashkëputshëm të komunave serbe në këtë zonë. Kjo tregon se këto “ide” të dala nga kuzhinat eksperimentale të ekuilibrit e balancës së forcave midis fuqive të mëdha aktuale, si gjatë tërë historisë së pushtimit sllavo-grek ndaj trojeve shqiptare, s’kanë aspak të bëjnë me drejtësinë e ligjin. Ka të bëjë vetëm me një makineri për kolonizim të ri të Kosovës, që Grupi Negociator e pranon me shumë lehtësi, duke qenë dakord me krijimin, zgjerimin e përforcimin e një entiteti serb brenda Kosovës. Konceptet të “lidhjes horizontale midis komunave” dhe “vertikale” me Beogradin shpërfillen çdo dyshim se “Grupi Negociator” po ndihmon në ndarjen e Kosovës, janë koncepte të domosdoshme për përfytyrimin e një mini-Bosnje të shtypur nga Serbia, në vend të një Kosove vërtetë të lirë dhe të pa varur nga pushtuesi dhe kolonizatori ekspansionist serb. Nga kjo del se serbët do të kenë një status të privilegjuar, bile vendimmarrës në qeverisjen e Kosovës “së pavarur”.

Nëse për pjesën veri-lindore të Kosovës, ku ka minoritet serb përdoret decentralizimi, në zonat e tjera përdoret “eksterritorialiteti” i kishave dhe manastirave ortodokse. “Grupi Negociator ka pranuar pa asnjë bazë historike se ata gjoja janë “serbe”. Realiteti nuk është i tillë. Kishat dhe manastirat kanë qenë te shqiptarëve. Kjo dëshmohet nëpërmjet freskave, që përfytyrojnë edhe besimtarë shqiptarë dhe të elementeve të tjera të ndryshme. Koncepti i “ekstraterritorialitetit” legjitimoi jo vetëm falsifikimet historike të serbizimit artificial të trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe tendencën për kolonizim e një pjesë që kurrë nuk ka qenë e populluar nga Serbia. Tërë popullin shqiptar në zonat ku përdoret “ekstraterritorialitetin” është i prekur nga kjo murtaje. Nuk kanë të drejtë të hyjnë në këto “zona të veçanta”, nuk kanë të drejtë të sjellin kafshet e tyre për të kullosur, nuk kanë të drejtë më të jetojnë në trojet e veta. Sepse aty parashihet të “kthehen” kolonë serbë për të kolonizuar edhe zonën veriperëndimore të Kosovës.

 

Së fundmi synimi i bashkësisë ndërkombëtare për krijimin e një Tribunali apo Gjykate speciale për UÇK-në nuk është gjë tjetër veç vazhdimësi e mohimit të të drejtave legjitime të shqiptarëve të Kosovë dhe shprehje e mosbesimit ndaj institucioneve dhe popullit të Kosovës. Luftëtarët e UÇK-së për 15 vite me rradhë u gjykuan dhe dënuan nga Tribunali i Hagës, Gjykatat e UNMIKU-t dhe Gjykatat e dirigjuara nga EULEX-i përderisa për ta akuzuarit nga shtetet e tjera të dala nga ish-Jugosllavia nuk u aplikua kjo metodë. Tentativa për kriminalizimin e popullit shqiptar të Kosovës nuk është gjë tjetër veç vazhdimësi e aplikimit të standardeve të dyfishta dhe tentativë për të mbajtur nën izolim gjeografik, ekonomik, politik e moral popullin e Kosovës nga pjesa tjetër e Evropës. Kjo tentativë për ta paraqitur viktimën si xhelat e kriminelë paraqet rast të pa precedentë në historinë e njerëzimit. Insistimi që me çdo kusht lufta e popullit shqiptar të Kosovës të kriminalizohet ndërkombëtarisht nuk ka tjetër shpjegim përpos asaj që përmes kësaj qarqe të caktuara ndërkombëtare dëshirojnë:

 

              Të relaksojnë forcat e caktuara regresive evropiane e që thellësisht janë kundër vlerave univerzale të lirisë njerëzore.

              Të mbajnë nën përkëdhelje politikën e Serbisë në mëyrë që ajo të mos thelloj edhe më tej marrëdhëniet me Rusinë. 

 

Kosova dhe populli i saj nuk mund dhe nuk do të shërbej si vegël e fuqive të mëdha për të rregulluar kontestet dhe interesat e fuqive të mëdha sepse gjaku i derdhur i popullit shqiptar pati vetëm një synim çlirimin e vendit nga agresori.

 

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e popullit të Kosovës për liri, UÇK lindi nga populli, u rrit nga populli dhe populli ishte ai që mbajti atë dhe frymën e saj të gjallë deri në ditët e sotme. UÇK nuk kishte kurrë te brumosur në idetë e saj urrejtjen kundër popullit serb e as të ndonjë populli tjetër. UÇK nuk synoi vrasjen e serbëve por luftën për çlirimin e Kosovës dhe këtë luftë do ta bënte kundër çdo lloj okupatori që do të guxonte të mbante nën okupim Kosovën. UÇK nuk u krijua nga asnjë regjim apo qeveri ajo lindi nga populli dhe rrjedhimisht tendenca për të kriminalizuar atë është tendencë për të kriminalizuar një popull të tërë. Përkundër pengesave, presionit politik dhe diplomatik ndërkombëtar si dhe embargove në armatim, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u vuri themelet e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe vuri në sprovë botën përparimtare ndërkombëtare. Gatishmëria e popullit tone për të çuar deri në fund luftën për liri i dha avantazhin dhe vuri në lëvizje forcat progresiste perëndimore.

 

Demilitarizimi i parakohshëm i UÇK-së ende pa përfunduar misionin e saj i dha hapësirë një riorganizimi të forcave të caktuara regresive antishqiptare. Pasojat e kësaj Kosova dhe populli i saj po i vuajnë ende edhe në ditët e sotme. Kosova edhe sot 15 vite pas luftës mbetet e izoluar nga pjesa tjetër e Evropës. Ky izolim është duke penguar seriozisht zhvillimin e saj e veçanërisht atë ekonomik. Mos liberalizimi i vizave dhe gjendja e rëndë  ekonomike në Kosovë është duke detyruar shumë qytetar të Kosovës që përmes rrugëve të ndryshme ilegalisht të kalojnë në shtetet e Bashkimit Evropian. Shumë familjeve kosovare tentativa për kalimin në këto shtete i’u ka kushtuar me humbje të jetëve siç janë rastet e mbytjes gjatë kalimit të lumenjve dhe liqeneve të ndryshme nëpër Hungari. Shumë qytetar të Kosovës që arrijnë të kalojnë gjallë në Shtetet e BE të shtyrë nga gjendja e rëndë ekonomike gjejnë lloje të ndryshme të justifikimeve në mënyrë që të fitojnë leje qëndrimi në shtetet e BE e ndër këto justifikime është shpesh edhe ai që janë të ndjekur ga UÇK edhe 10-15 vite pas demobilizimit të saj. Mundësia që u jep Tribunali për të dhënë dëshmitë e tyre në shtetet e BE do të u jap shumë “dëshmitarëve të rremë” mundësinë për të jetuar në ato shtete prandaj nuk do të jetë çudi nëse do gjenden dëshmitarë që të japin deklarata të tilla që edhe skenaristët e filmave horror të Holivudit do t’ua kishin zili. Neglizhimi i liberalizimit të vizave dhe izolimi i Kosovës me apo pa qëllim inkurajon dëshmitarë mjeranë e të pa perspektivë në vendin tyre që të deklarojnë gjëra të paqena të pavetëdijshëm që kështu i bëjnë një dëm vendit të tyre dhe drejtësisë ndërkombëtare por dhe të pavetëdijshëm që përmes kësaj i bëjnë një shërbesë interesave të qarqeve të caktuara. Manipulimi me njerëz që vuajnë për bukën e gojës dhe që janë në prag të ekzistencës ekonomike është jo etik, jo human dhe nuk përkon me vlerat e promovuara evropiane.

 

Edhe manipulimi në emër të minoritetit serb është vazhdimësi e politikës së Millosheviqit për të krijuar një hasmëri sa më afatgjate mes popullit shqiptar dhe atij serb.

 

Zotërinjtë përfaqësues të qendrave të vendosjes duhet ta kenë parasysh që populli i Kosovës është më i interesuar se ju në zbardhjen e krimeve e kundër njerëzimit. Populli ynë thellë në kulturën e tij e ka të brumosur humanizmin dhe kultura e jonë e trashëguar ndër shekuj nuk toleron që në mesin tonë të mbeten të pandëshkuar njerëz që bëjnë krime kundër të pafajshmve, fëmijëve e grave. Traditat dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit ndër shekuj kanë formësuar në kulturën tonë vlerat etike dhe morale, vlera këto që sanksionojnë në mënyrë strikte sjelljen në raport me të pafajshmit.

 

Prandaj fuqishëm kërkojmë që të hiqet dorë nga krijimi i Tribunalit apo të çfarëdo Gjykate tjetër kundër UÇK-së. Në vend të kësaj kërkojmë nga ju që të mbështesni një qeverisje të mirë dhe me integritet, të heqni dorë nga mbështetja e individëve dhe klasave politike të cilat për interesa të tyre të ngushta pranojnë vasalitetin ndaj jush dhe në këtë mënyrë dëmtojnë interesat e popullit të Kosovës. Populli i Kosovës është i interesuar të ndërtoj raporte partneriteti dhe jo vasaliteti me ju. Në vend të krijimit të këtij Tribunali, kërkojmë nga ju të mbështesni dhe këshilloni organet vendore të drejtësisë në zbardhjen e krimeve të pretenduara, organe këto të krijuara dhe monitoruara nga ju vite me rradhë. Kërkojmë nga ju që të mos reflektoni interesat dhe problemet e juaja në dëm të popullit të Kosovës. Kërkojmë drejtësi të vërtet jo drejtësi të bazuar në zhvillimet ditore politike e diplomatike ndërkombëtare. Kërkojmë që në emër të drejtësisë të mos bëhet një padrejtësi kundër historisë së një populli. Populli ynë është dëmtuar territorialisht, materialisht dhe në aspektin njerëzor si rezultat i vendimeve të padrejta të diplomacisë ndërkombëtare. Ne nuk dëshirojmë  që vendimet e juaja tani të  turpërojnë pasardhësit tuaj dhe të komprometojnë seriozisht drejtësinë evropiane. Prandaj, si shqiptar dhe evropian që jemi ju këshillojmë që të reflektoni thellë para se të merrni vendime që mund të reflektojnë thellë në të ardhmen tonë të përbashkët.

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës është koha që të reflektojnë dhe ti japin fund pranimit të presionit politik nga kushdo qoftë. Deputetë duhet ti japin fund naivitetit dhe servilizmit politik, dhe të jenë në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit. Vetëm përmes kësaj rruge Kosova i jep hapësirë dhe mundësi forcave përparimtare ndërkombëtare e që është në interes të popullit tonë.

(Fatmir Humolli – ish epror i UÇK-së)

Kontrolloni gjithashtu

Hisen Berisha

Deputeti, Hisen Berisha, kërkon ndërprerjen e mandatit të Kryeministrit Kurti për shqetësimin e ekzistencës së Kosovës

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka bërë thirrje për ndërprerjen e mandatit të kryeministrit Albin …