Frank Shkreli

Frank Shkreli: Riatdhesimi i eshtrave të Mid-hat Frashërit një përcjellje dinjitoze nga Nju Jorku

Të shtunën që kaloi, më 10 Nëntor, 2018, në Nju Jork, më saktësisht në Qendrën Nënë Tereza, pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, u zhillua ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit.  Ishte ky një organizim, që u bë i mundur nga një vendim, marrë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë korrikun që kaloi.  http://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-vone-por-me-mire-vone-se-kurre-kthehen-ne-atdhe-eshtrat-e-midhat-frasherit.

Qeveria shqiptare kishte vendosur që eshtrat e Midhat Frashërit, njërit prej nenshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe njërit prej figurave më të dalluara të kulturës dhe letrave shqipe, të kthehen në Atdhe këtë muaj, me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe në kuadër të viti mbarëkombëtar, në kujtim të 550-vjetorit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.   Qeveria e Kryeminstrit Edi Rama kishte marrë vendimin për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, bazuar në kërkesën e Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo” dhe kryetarit të këtij instituti, Z. Uran Butka.  Vet Z. Butka — me një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga qeveria dhe të Institutit të Studimeve Historike në Tiranë, Lumo Skëndo, të cilin ai e drejton – mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Qëndrën Nënë Tereza, së bashku me shumë personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe anëtarë të familjes Frashëri. Z. Butka dhe folës të tjerë nënvijuan kontributin e madh të Mid’hat Frashërit në shumë fusha kulturore dhe politike, duke e quajtur atë shumë-dimensional në aktivitetin e tij, përfshirë kontributin e madh historik si– ndër të tjera — njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë dhe si Kryetar i Komisionit të Alfabetit shqip në vitin 1908, ku së bashku me At Gjergj Fishtën e të tjerë, ai mbështeti alfabetin me germa latine për shqiptarët.

Organizimi i ceremonisë dhe realizimi i të gjitha miratimeve të këtij procesi nga autoritetet vendore dhe shtetërore të Shteteve të Bashkuara ishte i gjatë dhe aspak i lehtë. Gjithë këtë aktivitet prej disa muajsh e kryesoi kryediplomatja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zonja Floreta Luli-Faber, ambasadore e Shqipërisë në Washington. Ajo u shpreh për Zërin e Amerikës se realizimin e rikthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit në Atdhe e bënë të mundur shumë aktorë e pjesëmarrës nga komuniteti shqiptaro-amerikan, e deri tek nivelet e larta zyrtare amerikane:  “Ka qenë një punë e gjatë, ka qenë një punë bashkëpunuese me qeverinë, me institucionet amerikane, me të gjithë komunitetin shqiptar. Kemi kontaktuar një numër të madh individësh, organizatash në Nju Jork, në Uashington, në Detroit, në Boston, në mënyrë që të gjenim të gjithë informacionin e duhur për ta këthyer Mid’hatin, jo thjesht në një moment të caktuar, por ta kthenim atëherë kur festonim një nga ngjarjet më të rëndësishme, 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe menduam që kjo të ishte një nga pikat kulminante të vitit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.”

 Ambasadorja shqiptare falënderoi të gjithë për ndihmën dhe bashkpunimin e saj, përfshirë edhe mbesën e Mid’hat Frashërit, Zonjën Najada Petrela, e cila përshëndeti të pranishmit në emër të familjes Frashëri, ashtu siç bëri edhe Thomas Frashëri, përfaqsuesi i qeverisë shqiptare, njëherazi edhe kryetari i Sekretariatit për Organizimin e Vitit të Skënderbeut, cili gjithashtu falënderoi pjesëmarrësit në këtë ceremoni në emër të qeverisë por edhe në emër të familjes Frashëri.

Folësit kryesorë në ceremoninë solemne theksuan gjithashtu edhe rolin politik të Mid’hat Frasherit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, si Kryetar i Partisë Balli Kombëtar dhe si Kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë, me qëndër në Nju Jork.   Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo i tha korrespondentit të Zërit të Amerikës, Z. Ilir Ikonomi se: “Kthimi i Mid’hat Frashërit ka rëndësi historike, jo vetëm për vlerën e tij historike dhe kulturore, por edhe për faktin se është anatemuar, është përbaltur, është quajtur kriminel, bashkëpunëtor me pushtuesit. Instituti ynë jo vetëm që e boton veprën e tij të plotë, në 14 vëllime, por u bë edhe nismëtar për kthimin e eshtrave.   Kam qenë shumë i emocionuar mbrëmë, kur u ndodha përpara varrit të Mid’hatit, bashkëpunëtorit të ngushtë edhe të tim eti, Safet Butkës, sepse kanë qenë bashkëpunëtorë dhe luftëtarë të një ideje të madhe.”

Ashtu si shumë shqiptarë, këtu dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, edhe unë e kam mirëpritur dhe e kam përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për të riatdhesuar eshtërat e Mid’hat Frashërit, një vendim i cili më në fund do të bëhet realitet ditën e mërkurë më 14 Nëntor, dita kur eshtrat e tija do të prehen për gjithmonë në tokën e Shqipërisë, Shërbestar i të cilës ishte.

Pjesë e delegacionit të ardhur nga Shqipëria për të marrë pjesë në ceremoninë, që u mbajtë të shtunën në Qendrën Nënë Tereza në Nju Jork, për rikthimin e eshtërave të Mid’hat Frashërit në Atdhe, gjëndej edhe Thomas Frashëri, si përfaqsues i qeverisë shqiptare, njëherazi edhe kryetar i Sekretariatit për Organizimin e Vitit të Skënderbeut, dhe pinjoll i fisit Frashëri.   “Në Tiranë do të ketë banesën e fundit një nga shtetarët e mëdhenj shqiptarë”, u tha ai të pranishëmve. “Kthehet, dhe këmbëngul këtu, jo vetëm Kryetari i Kongresit të Manastirit, por edhe shpirti i Lëvizjes nacionaliste shqiptare, Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë dhe ideatori i Ballit Kombëtar. Kthehet publicisti, historiani, poeti, filantropi dhe albanologu, kthehet një shërbestar i Kombit”, u shpreh zyrtari shqiptar në vlerësimin e figurës shumë dimensionale të Mid’hat Frashërit, gjatë ceremonisë në Nju Jork për përcjelljen e eshtrave të tij në Atdhe.

Unë falënderoj Ambasadën e Shqipërisë në Washington për ftesën, për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Si shumë të tjerë, mora pjesë me kënaqësinë më të madhe dhe me shumë emocione dhe kujtime. Por, për më shumë se për veten, u ndodha aty në emër të disa bashkombasve të mi, dikur bashkpuntorë të ngushtë të Mid’hat Frashërit, “djemtë e tij” i kishte quajtur ai – të cilët nuk janë më – por që i kam njohur dhe me disa prej tyre kam pas fatin e mirë që në rininë time të punoja me ta tek Zëri i Amerikës, gjatë 1970-ave dhe në fillim të ’80-ave.  Besoj se po të ishin gjallë, do kishin qenë të pranishëm aty në Qendrën Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork për të përshëndetur riatdhesimin e eshtrave të udhëheqsit të tyre shpirirtëror dhe politik dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit udhëheqsit të tyre, aty në frymë shpirtërore me Nënë Terezën dhe para portretit të madh në atë sallë të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skenderbe, në këtë 550-vjetor të vdekjes.

 Besoj se ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Qendrën Nënë Tereza pranë Kishës Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës — ku morën pjesë udhëheqsit e të gjitha feve të shqiptarëve si dhe përfaqsues politikë dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallim – mund të konsiderohet si e jashtzakonshme, deri diku, për komunitetin tonë këtu.  Ndoshta është heret të thuhet nëse kjo ceremoni në Qendrën Nënë Tereza mund të ketë përbërë hapin e parë drejtë një pajtimi kombëtar, sado pak simbolik, në radhët e shqiptarëve këtu dhe në trojet shqiptare. Besoj se ai vet sot, po të mund të fliste, Mid’hat Frashëri do t’i këshillonte shqiptarët se ka ardhur koha tanimë për të “ përfunduar betejën e fundit ndërmjet tyre”, ashtuqë më fund shqiptarët të bashkpunojnë për të zgjidhur sfidat dhe për të fituar betejat që e presin kombin për realizimin e një jetë më të mirë për brezat e ardhshëm.

 Ka ardhur koha që t’u themi mjaftë propagandës dhe sjelljeve anti-kombëtare që u janë bërë gjatë komunizmit dhe vazhdohet t’u bëhet patriotëve si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta! Fatkeqsisht, regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte shlyer madje edhe imazhet e tyre nga fotografitë historike, në përpjekje për t’i zhdukur ata përgjithmonë nga kujtesa e historisë. Por megjithëkëtë, veprat e tyre do të mbeten gjithnjë të paharrueshme, sepse të tilla ishin! Përveç se lutemi që riatdhesimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit të mërkurën në Tiranë, shpresojmë gjithashtu që vendimi i qeverisë shqiptare të shënojë njëherazi edhe fillimin e një rishikimi të historisë dhe rivelerësimin serioz të kontributit që kanë dhënë për Kombin e vet patriotët shqiptarë si Midhat Frashëri dhe At Gjergj Fishta. Është një vendim i mirëpritur për të gjithë shqiptarët vullnet mirë kudo, për të gjithë ata shqiptarë pa dallim feje, krahine ose rrymash politike, ideali i të cilëve, sipas Mid’hat Frasherit duhej të ishte, “Madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.” Pushoftë në paqe!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …