MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË SESIONIN INFORMUES PËR PROGRAMIN “HORIZON 2020”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në hapjen e sesionit informues për mënyrën dhe mundësitë e aplikimit me projekte shkencore në programin “Horizon 2020”, i cili është organizuar nga Komisioni Evropian. Me këtë rast, ministri Bytyqi ka thënë se, shpreson se ky sesion informues për programin më të madh hulumtues në Evropë, t’iu shërbejë hulumtuesve tanë për të mësuar se si mund të përfitojnë dhe të bëhen pjesë e këtij programi. Ministri theksoi se MAShT, përkundër vështirësive që kanë ekzistuar, ka ndërmarrë hapa konkret lidhur me avancimin dhe zhvillimin e hulumtimit dhe kërkimit në Kosovë. Në këtë drejtim, theksoi se janë bërë hapa pozitiv lidhur me infrastrukturën ligjore dhe përmendi Ligjin për inovacion dhe transfer të dijes, i cili pritet të dalë në lexim të dytë në Kuvend, si dhe Ligjin për arsimin e lartë, për të cilin tha se sot do të aprovohet në mbledhjen e Qeverisë. “Ne Ministria, ju të nderuar profesorë, hulumtues, kemi obligim që jo vetëm të fillojmë një epokë të re të hulumtimit, por që të fillojmë t’iu japim një mësim dhe të krijojmë një traditë për të rinjtë tanë që të fillojnë të merren me hulumtim dhe shkencë”, theksoi Ministri. Ministri Bytyqi theksoi se, MAShT gjithashtu ka krijuar disa mekanizma institucionalë në përkrahje të hulumtimit dhe shkencës dhe përmendi faktin se Ministria financon disa projekte të vogla lidhur me hulumtimet. “Jam i vetëdijshëm që ky është një hap shumë i vogël, por duhet të na shërbejë si një hap, i cili pastaj të krijojë një mundësi të bashkëpunimit mes përfituesve të këtyre projekteve që ta krijojmë idenë se si t’u qasemi programeve të mëdha siç është ‘Horizon 2020”. Ndër të tjera, Ministri përmendi edhe miratimin e Rregullores për Pikat Kombëtare të Kontaktit dhe theksoi se tashmë janë emëruar personat në këto pika, ndërsa përmendi edhe anëtarësimin në COST si anëtarë fqinj të parë. Ministri shprehu besimin e tij se Kosova ka kapacitete për hulumtim dhe kërkim shkencor, por tha se duhet t’i bashkojmë forcat kur flasim për projekte të mëdha dhe në këtë mënyrë të bëhemi pjesë e “Horizon 2020”, por edhe e programeve tjera. Ministri Bytyqi konfirmoi se tashmë është bërë kërkesa zyrtare nga ana e MAShT për anëtarësim të plotë në “Horizon 2020”, pasi që tha se në takimin që ka pasur me Komisionerin për Shkencë dhe Teknologji të Komisionit Evropian, është shprehur gatishmëria që të përkrahet Kosova në mënyrën që fee-ja e “Horizon 2020” (që është një fee e madhe), të paguhet në bazën e përqindjes që ne do t’i fitojmë projektet.

Kontrolloni gjithashtu

44 mësimdhënës të arsimit fillor (niveli 1-5) ndjekin trajnimin për karrierë

Nën organizim të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, të mërkurën ka …