Fjalimi i kryetarit të komunës, Smajl Latifi i mbajtur në akademinë përkujtimore për Dëshmorët e Kombit të rënë Pashtrik

Fjalimi i kryetarit të komunës, Smajl Latifi i mbajtur në akademinë përkujtimore për Dëshmorët e Kombit të rënë Pashtrik

Të respektuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar invalidë e veteranë të luftës, qytetarë të Krushës së Madhe dhe ju të pranishëm, vitet ndjekin njëri-tjetrin dhe asnjë vit nuk i ngjan tjetrit, por vitet e lavdisë e krenarisë do të mbeten gjatë në kujtesën tonë kombëtare. Ishte periudha e viteve 1998/99 kur kombi shqiptar u ngrit si një i tërë për çlirimin e trojeve të pushtuara nga sllavët. Kësaj thirrje ju përgjigjën edhe bijtë e bijat e Krushës së Madhe me rrethinë. Ky vend e kishte traditë mikpritjen e bujarinë, e kishte të kultivuar burrërinë e qëndresën dhe e kishte të qartë idealin e çlirimit dhe bashkimit të shqiptarëve. Pra, këtu nuk kanë munguar mendjet e ndritura dhe gatishmëria e banorëve për të qëndruar karshi stuhive e rrebesheve të pushtuesit. Në këtë linjë ishin edhe djemtë që po i kujtojmë sot, në 20-vjetorin e rënies në fushë të nderit; Muhamet Malsori, Hysni Duraku, Skender Hameli, dhe studentët-luftëtarë Sinan, Isak, Sedat, Ismet dhe Hida Hoti. Këta burra e djem të rinj nuk patën nevojë të dëgjojnë thirrjet për qëndresë, sepse me kohë ishin brumosur e kalitur me idenë e luftës për liri. Epoka e errët e robërisë serbe kishte lënduar rëndë shpirtin liridashës dhe dëshirën për të jetuar të lirë e kishte shndërruar në revoltë. Muhamet Malsori në shpirt e kishte mbjellë farën e atdhedashurisë, prandaj me afsh atdhetar ju këndoi heronjve të kësaj toke, bëmave të tyre dhe e ngazëllente dashuria për atdheun. Pra, ai e kishte nsiur luftën për çlirim shumë më herët, ngase kishte kaluar shumë kohë me ideologun e çështjes shqiptare, profesorin famëmadh Ukshin Hoti. Familja Duraku ka shumë për të treguar sa shtrenjtë e pagoi çmimin e lirisë pasi që burrat e këtij fisi i bënë ballë dhunës e torturave të pushtuesit sllav. Donin ta bënin vdekjen aty ku kishin lindur gjysh e stërgjysh, qoftë edhe duke e paguar me jetën e vet. Hysni Duraku kishte dëgjuar rrëfimet e pleqve në oda burrash për vuajtjet e persekutimet barbare të pushtuesit serb dhe urrejtja për armiqtë sa vinte e shtohej. Ai e dinte se jetë nën robëri nuk mund të kishte, prandaj edhe ju rrek maleve të Pashtrikut me amë në krah. Udhërrëfyes më të mirë se Skënder Hamelin e fshatit Mazrrek nuk mund të gjenin, pasi që ai ishte rritur e burrëruar në ato zona të ashpra malore. Dashuria për tokën e babës ishte më e fortë se çdo pritë e armikut gjakatar, prandaj Skënderi dëshironte që edhe disa pushkë t’ju shtohen radhëve të çlirimtarëve. Në kohën kur djemtë si Sinani, Isaku, Sedati, Ismeti dhe Hida Hoti thurin plane e ëndërrojnë të ndërtojnë ardhmërinë, ata i lanë librat dhe i hynë rrugës së lavdisë e krenarisë. E dinin se shumë të rinj para tyre kishin përjetuar dhunë e persekutime nga më të rëndat dhe nuk dëshironin që ta përjetonin të njëjtin fat-fatkeqësi. Në gjokset e tyre gufonte gjaku dhe zemrat djaloshare rrahin fort për vendin e lirinë. Ndonëse ai dimër i acartë ishte i ashpër e i ftohtë, por edhe më acartë do të bëhej jeta jonë nëse pushtuesit serb do të ishin zot të këtij vendi. Prandaj, sfiduan vështirësitë e rreziqet dhe kaptuan male e bjeshkë të thepisura me borë e akull për të ngrohur zemrat në trojet e tyre stërgjyshore. Ata e dinin se armiku ishte i egër e gjakatar, sepse breza të tjerë para tyre e kishin përjetuar dhunën mbi kurrizin e tyre dhe plagët e të parëve ende kullonin. Historia i kishte mësuar këta luftëtarë lirie se deri tek liria vetëm një rrugë ka dhe ajo ishte lufta e qëndresa dhe jo pritja e durimi i pakufishëm, me shpresën e rreme se lirinë do t’na e sillnin të tjerët. Pushtuesi kishte mbjellë frikë e pasiguri dhe sundonte mbi gjakun dhe mjerimet e shqiptarëve. Kishte ardhur koha kur duhej thënë: NDAL! Ata i vunë gjoksin furtunës dhe me gjakun e tyre skuqën borën e bardhë të Pashtrikut. Ai gjak vërshoi nëpër damarët e tokës dhe sot ushqen filizat e rinj që rriten e burrërohen në liri. E gjaku ujë nuk bëhet, por forcon e lartëson përmendoren e ardhmërisë. Kjo sakrificë madhore e bijve të Krushës së Madhe dhe gjithë atyre luftëtarëve që me guxim i dolën të keqes përpara, rezultoi me fitoren përfundimtare. Na mbetet që të kultivojmë këto vlera të shtrenjta dhe të punojmë pa u lodhur e me nder, sepse dikush pagoi çmim të lartë për agun e lirisë. E ardhmja ndërtohet çdo ditë dhe përkushtimi ynë duhet të bazohet mbi këto flijime të mëdha. Dëshmorët që po i kujtojmë sot na tregojnë se përjetësia ju takon atyre, ndërsa neve na mbetet të punojmë pa u ankuar e pa u ligështuar, ngase jeta nuk ka çmim. I vetmi ngushëllim mbetet arritja e lirisë, ndërsa bashkimi e forcimi i shteteve tona shqiptare mbetet aspiratë që duhet të përmbushet. Zaten ky ishte ideali i dëshmorëve e luftëtarëve të lirisë dhe ky do të jetë amaneti i dëshmorëve brez pas brezi. Projektet dhe veprat që po realizohen janë pjesë e përkushtimeve e zotimeve tona dhe në të ardhmen do të kemi më shumë për të treguar, ngase jehona e thirrjes së dëshmorëve ushton edhe përtej kohës tonë. Jehona e zërit të tyre është jehonë lirie që nuk do të na lejojë të devijojmë nga rruga drejt ardhmërisë më të mirë të brezave të do t’na pasojnë. Lavdi e nderim për dëshmorët Muhamet Malsori, Hysni Duraku, Skender Hameli, Sinanin, Isakun, Sedatin, Ismetin e Hidanë! Lavdi dëshmorëve të kombit në të gjitha epokat, kurdo dhe kudo që ranë!

Kontrolloni gjithashtu

Institucionet komunale të Skenderajt me homazhe përkujtuan heroin, Malush Ahmeti

Në nderim të rënies heroike të komandantit Malush Ahmeti, 26 vjetë më parë, kryetari i …