Zamira Çavo: 25 vjet jetojmë me ëndrrën e lirisë, pa e ditur realisht çfarë është ajo në të vërtetë

Zamira Çavo: 25 vjet jetojmë me ëndrrën e lirisë, pa e ditur realisht çfarë është ajo në të vërtetë

 

Ne jemi skllevër. Na trajtojnë si skllevër. 25 vite më parë, kur kërkuam lirinë duke përmbysur diktaturën, ishim të ngazëllyer që “fituam lirinë”. Por që këtu u gabuam. Liria mbeti një iluzion, mbeti një fjalë e bukur për t’u thënë dhe një mashtrim e vetëmashtrim historik. Në 25 vite ne jetojmë me ëndrrën e lirisë, pa e ditur realisht çfarë është ajo në të vërtetë. Populli është skllav dhe politika e trajton atë si të tillë. Te ne, media është e skllavëruar, sepse gazetari vetë është i tillë dhe ne presim lirinë prej medias… Parlamenti është i skllavëruar, sepse krimi nuk e lejon të veprojë në vullnetin e lirë. Partitë janë të skllavëruara nga politika e “njëshit”. Të gjithë i kemi sytë nga jashtë dhe harrojmë se, edhe në këtë rast, sërish shfaqim mungesën tonë të lirisë. Jemi skllevër të një vetëmashtrimi gjigant.

Por le ta analizojmë më me qetësi.

 

Dikush mund të thotë:

– po ja, ti që flet kështu a nuk je e lirë?

– Fjala e lirë a nuk është arritje e demokracisë?

– A mund të flisje kështu në kohën e Enverit?

Mua dhe disa të tjerëve si unë na ka mbetur vetëm fjala e “lirë”, të cilën po mundohemi (nuk e di dhe për sa kohë) ta themi aty ku gjejmë pak mundësi.

– Por ç’të bëj unë me fjalën e “lirë”?

– Çfarë mund të ndreq unë me këtë “liri”?

 

Të jesh i lirë do të thotë të kesh mundësi të shprehësh vullnetin tënd, pa asnjë trysni. Por në një shoqëri, ku rreth 37% janë në kufijtë e mbijetesës, as që mund të bëhet fjalë për të shprehur lirisht vullnetin tënd. Varfëria nuk shkon dot me demokracinë dhe të gjitha qeveritë, përfshirë dhe Rilindjen, nuk kanë lëvizur as majën e gishtit për të zbutur këtë varfëri. Përkundrazi, e kanë shtyrë vit pas viti edhe më shumë thikën në plagën e mbijetesës. Është e dukshme që qeverisjet në vendin tonë nuk e kanë pasur asnjëherë në axhendën e tyre luftën kundër varfërisë. Kjo dëshmon se këto qeverisje nuk janë demokratike. Sot, teksa mburremi se po bëjmë shtet, harrojmë se në vend që të bëjmë më shumë për të zbutur varfërinë, shtojmë forcën për të nënshtruar njerëzit.

 

Varfëria është rreth vicioz. Ajo pjell vetëm varfëri. Dhe kur fjala është për bukën e gojës, nuk ka vend për lirinë. Dhe le të më thotë lexuesi se sa për qind e popullsisë sot është në zgripin e bukës së gojës, për të kuptuar se sa të skllavëruar jemi. Por kjo nuk do të thotë se jemi budallenj. Politika vërtet na ka skllavëruar dhe na trajton si skllevër, por besoj dhe shpresoj se ka ardhur koha që të mos na konsiderojë edhe si budallenj.

 

Rusoi, në kohën e tij teksa hidhte bazat e një të ardhmeje të re, thoshte: ”Populli nuk mund të korruptohet, por mund të mashtrohet dhe atëherë duket sikur ai është bërë palë me të keqen”. Sot, Shqipëria duket sikur është zhytur në një hon të madh korrupsioni sa asnjë reformë drejtësie nuk shpresohet, asnjë politikan dhe institucion nuk besohet, madje edhe ndërhyrjet e ndërkombëtarëve shihen me dyshim dëshpërues.

 

Nga një sondazh me 350 studentë në vend, 97% e tyre nuk besojnë se do ketë një reformë në drejtësi. Sepse, sipas tyre, ata që do duhet të miratojnë reformën janë skllevër të krimit. Ata nuk janë të lirë të vendosin për të mirën publike. Për rrjedhojë, edhe nëse do ketë një “vullnet politik” për një reformë, produkti do jetë një meta-reformë, e cila më pas do të degradojë vetëm në fjalë të bukura për lirinë dhe barazinë e qytetarëve. Liria dhe drejtësia shkojnë krahas njëra-tjetrës. Në mendimin tim, aty ku nuk ka liri as që bëhet fjalë për drejtësi. Ndaj e kuptoj drejt ambasadorin amerikan, kur thotë se SHBA-ja nuk do gjejë paqe pa bërë reformën në drejtësi dhe se do propozojë një këshill (ose komision) ndërkombëtar që ta ndjekë zbatimin e saj në vend. E kuptoj, por nuk arrij të besoj si jemi katandisur deri në këtë pikë. Si jemi kthyer në vitin 1912, atëherë kur nuk dinim të bënim shtetin që sapo e kishim krijuar dhe ndërkombëtarët na drejtuan me të tilla forma. Por sot, pas 104 vitesh, të kthehemi sërish në pikën e nisjes më duket një katastrofë që më bind se ne nuk kemi liri.

 

Përvojat botërore në kohëra të tilla kanë treguar se i vetmi ilaç për të shpëtuar veten dhe vendin është Populli! Shqipëria ka nevojë të ndihet e lirë e të sillet si e tillë.

 

Liria është përgjegjësi. Dhe unë besoj në forcën dhe mendimin e popullit. Ndaj, nëse i drejtohemi popullit për të zgjedhur Presidentin, për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm, madje të krijojmë edhe gjykatat popullore, nëse ngremë në këmbë komisionet qytetare për të bërë transparencën e pasurive të politikanëve (që duan të na konsiderojnë si budallenj, teksa rreken të na shpjegojnë se u ka rënë fati të martohen me gra të pasura), atëherë do të ndihemi të lirë. Nëse presim që të zgjidhim problemin e varfërisë me këto specie qeverisjeje që kemi, them se duhet të jemi optimistë aq sa dikur Pashko Vasa: “Lum kush të rronjë, ta shohë zonjë”. Popujt edhe gabojnë. Dhe në këto 25 vjet ne kemi gabuar, por besoj shumë që tashmë kemi fituar aq përvojë sa të kuptojmë që lirinë nuk ta fal kush. Besoj kemi kuptuar që nuk duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë më për liri, por ta realizojmë këtë. Populli është forca dhe te populli buron dhe liria.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …