Festat kanë kuptim të plotë, atëherë kur populli shqiptar do të bashkohet në Tiranë


Në kohën kur po festojmë përvjetorin e katërmbëdhjetë të ndërhyrjes së Forcave Ajrore të NATO-s, gjatë kohës së Luftës Çlirimtare të Kosovës, kundër pushtuesve serbë, përveç euforive të institucioneve shqiptare, në të dyja anët e ,,kufirit”, asnjë analizë bindëse nga këto  institucione shtetërore nuk jepet për opinionin, për të vlerësuar drejt dhe siç duhet luftën e UÇK, – ës, por kemi vetëm shfaqje euforie për ndërhyrjen ndërkombëtare. Falënderimet adresohen kryesisht tek faktori i jashtëm, dhe qëllimisht anashkalohen shkaqet, qëllimet dhe pasojat afatgjata të këtij intervenimi.


Ndërhyrja ajrore e Forcave të NATO-s ishte një ndihmesë e mirëseardhur dhe vështirë se do të mund të kompensohej në momente të mëvonshme. Por, është e paimagjinueshme fitorja e ndërkombëtarëve (madje dhe ndërhyrja) pa forcën dhe faktorin kryesor të asaj lufte: Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast duhet të rikujtojmë edhe vetveten edhe faktorët e jashtëm, meqë ndërhyrja ndodhi kur organizimi ushtarak i shqiptarëve kishte marrë tashmë dimensionet reale gjithëkombëtare, dhe dita- ditës, nga çasti në çast, pritej kur do ta përfshihej gjithë Ballkani nga zjarri, ku jetojnë e do të jetojnë rreth 10 milionë shqiptarë.


Kjo luftë nuk do të mund të kontrollohej, nëse vonohej ndërhyrja ushtarake e forcave të NATO-s, madje do të ndodhte një luftë ballkanike.


Pse do të ndodhte lufta ballkanike?


Duke marrë për bazë numrin e madh të vullnetarëve shqiptarë që zbarkonin në Portin e Durrësit nga të katër anët e globit dhe duke marrë për bazë interesat e shtetit turk në rajon dhe deklaratat e pushtetarëve turq të kohës, Lufta Ballkanike ishte e pashmangshme. Por, në këtë luftë gjithkush mund të humbte, përveç shqiptarëve.


Në rastin e dytë, ashtu siç edhe ndodhi, fituan Fuqitë e Mëdha: rrëzuan Millosheviqin nga pushteti me gjakun e shqiptarëve, dhe krijuan Principatat Shqiptare lehtë të kontrollueshme.


Duhet të rikujtojmë vetveten dhe faktorët e jashtëm, se trupat e NATO-s, përpara se të ,,shpëtojnë” shqiptarët, morën nënshkrimet e ,,përfaqësueseve” të UÇK-së, për ndërprerjen e menjëhershme dhe pa asnjë kusht të përgatitjeve ushtarake të atyre zonave, që sot gëzohen me pak ëndrra e që u lanë në mëshirën e fatit shumë pjesë të Kosovës shqiptare, nga Manastiri gjer në Tivar.


Megjithatë, lufta ndodhi pak më vonë, në ato vise shqiptare, që janë edhe sot të pushtuara. Por, nuk ndodhi  ajo që duhej: lufta çlirimtare, por u bë një luftë ,,spahillëqesh”, e kontrolluar dhe e dirigjuar nga faktorë joshqiptarë. Për këto flasin faktet, prandaj pasojat mund t`i shohë ai që ka sy në ballë.


Pas ,,fitoreve ” të spahinjve ndodhi Brodeci, u mbush ,,Idrizova” me ish kryengritës, u shkel gjaku i heronjve në qendër të Preshevës,  ndërsa po afrohen serbët, përmes të ashtuquajturit ,,asociacion komunash etnike” gjer në kufirin e Republikës së Shqipërisë, dhe nuk mbetet tjetër, pos të festojmë e të eksitohemi se ,,e morëm ” Kërçovën. Në Kërçovë, ku ndodhet njëra prej kazermave më të mëdha në atë ,,shtet”, fituam një spahi dhe asgjë më shumë. Dhe kush duhet të besojë se me hyrjen e ,,Maqedonoisë” në NATO shqiptarët do bashkohen në Bruksel!


Kërçova  dhe shqiptarët do të festojnë fitoren, kur populli shqiptar të bashkohet në Tiranë, kur popullin shqiptar do ta mbrojë ushtria e vet, do ta mbrojë Kushtetuta e tij dhe jo spahinjtë e shitur që luajnë pakufishëm me ndjenjat e shqiptarëve.


Rroftë Shqipëria!


 


26.03.13


Lebit Murtishi


Drejtues i Unionit Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


Tetovë


Republika e Shqipërisë


 


 


Letër e hapur Kryeministrit të Britanisë së Madhe z. David Cameron!


 


I nderuar Shkëlqesi!


 


Në fund të muajit korrik 2013 mbushen plot 100 vite nga vendimi famëkeq i Konferencës së Ambasadorëve , të quajtur si ,,Konferenca e Paqes në Londër “, e cila , nën drejtimin e Sir Edward Grey-t tuaj, mbylli punimet më 29 korrik 1913, duke varrosur Paqen e proklamuar, për një shekull të plotë.


Është detyrë dhe borxh i rëndë për autoritetin e vendit dhe të personit tuaj, në këtë vit jubilar, që rëndon padrejtësisht mbi kurrizin e popullit shqiptar, të merrni një vendim historik për hapjen e dokumenteve të kohës dhe të zhvlerësoni vendimet e marra në kohë luftërash e të shpërbërjeve të perandorive, siç ishte Perandoria Osmane dhe Perandoria Austro-hungareze.


Jam përfaqësues i një grupi të vogël shqiptarësh, por njëkohësisht përfaqësoj një zë të madh kushtrimi, një zë të madh të popullit tim, që mijëra vite po kalon nëpër golgota tej-izraelite, pa i shtrirë dorën askush, pa ia përfillur dhimbjen e tij askush.


Ballkani është i trazuar nga fanatikët sllavo-ortodoksë – greko – serbë dhe pa hezitim i përpiqen t`i hidhen në kurriz Republikës së Shqipërisë dhe trojeve të tjera shqiptare për t`i pushtuar, apo më së paku për t `i destabilizuar  edhe më shumë nga ç`janë tani, prandaj janë të natyrshme përpjekjet titanike të popullit shqiptar për të fituar lirinë e plotë dhe për të ruajtur paqen, të cilën miqtë ia kërkojnë. Por, populli ynë nuk mund të durojë pafundësisht udhëtimin e përbashkët të dy paradokseve: ruajtjen e paqes në njërën anë dhe anën tjetër gjendjen e rëndë të imponimeve dhe të shtypjes për të bërë lëshime në kurriz të atdheut të tij, të trojeve të tij. Paradokse këto krejtësisht të kundërta dhe gjithsesi  armiqësore .


Lumit, që i bëhet një digë e pakapërcyeshme, detyrimisht devijon udhët, por me pasoja të pakontrollueshme.


Ju kujtojmë fillimin e Luftës së Dytë Botërore, kur populli trim britanik, në vend të Neville Chamberlain-it të përkulur përpara stuhive të kohës, solli në krye birin e tij triumfalist,Winston Churchill-in.


Nuk dua të heq paralelizma kaq të largëta historike që ndryshuan pozitivisht rrjedhën e historive, por vetëm dua t`Ju rikujtoj se edhe në gjirin e popullit shqiptar, siç gjenden lehtë,,Chemberlain-ët”, po aq lehtë gjenden e shfaqen edhe ,,Churchill-ët”.


Ndërprisni bisedimet teatrale të Brukselit, ndërprisni investimet e pafrytshme që thellojnë hendekun e paqes dhe që afrojnë shpërthimin e krizave!


Përse kaq të pafuqishëm jeni përballë një grushti ekstremistësh që po i ushqen “paria” serbe me mina e bomba në një skutë të Kosovës! Ndërsa nga ana tjetër, reagoni shumë shpejt  dhe “shpërtheni”  kundër çdo zëri paqësor shqiptar që ju përmend fjalën BASHKIM!


E duam paqen më shumë se bukën Shkëlqesi, vlerësojmë miqësinë më shumë se sytë Shkëlqesi, ndaj kërkojmë të mbrojmë paqen duke i dhënë secilit hakun.


Askush e asnjëherë s`do mund të fshijë nga ndërgjegjja jonë, ta quajmë atdheun tonë Shqipëri në secilin kënd të viseve shqiptare, disa të pushtuara nga serbo- maqedono- malazezo- grekët e disa të tjera të lira . Askush e asnjëherë nuk mund ta pengojë rrugën  drejt bashkimit të këtyre viseve, në të cilat kanë gjallëruar shqiptarët historikisht. Të gjitha pengesat eventuale janë kundër rrjedhave të natyrshme historike, dhe patjetër do t`i dënojë vetë historia një ditë!


  Paqja që paqëson rajonin gjendet e kyçur në një arkiv Shkëlqesi!..


 


Me shumë respekt: Lebit Murtishi


Drejtues i Unionit Gjithëshqiptar,,Vëllazërimi Ynë”


20.02.2013


Tetovë


Republika e Shqipërisë


 


 


Ç`mu kujtove president Lincolni!


 


   Amerikës Tuaj, Lufta Civile, për katër vjet i mori 620000 mijë jetë njerëzish. Dhe sigurisht që krahu fitues, në këtë rast Veriu Juaj, po të mungonte personi, mençuria, autoriteti dhe drejtësia e një burri të madh si Ju, mund të thellonte hendekun e vdekjeve, dhe mund ta shndërronte të gjithë Amerikën Tuaj të dashur në një varr të madh pa fund…Ju i shpallët heronj ushtarët, gjeneralët, humbësit, fituesit, të veriut edhe të jugut…Për Ju ishin amerikanë, ishin ushtarë të Amerikës, ishin vëllezër bindjesh të ndryshme. Dhe sigurisht që njëra ide, më e mira a më e keqja, historikisht mund të ngadhënjejë, historikisht mund të fitojë, por vetëm vdekjet edhe varret s`mund të ngadhënjejnë, s`mund të fitojnë…Ju i dërguat lule mbi varre të gjithë dëshmorëve, të gjithë ushtarëve , të fajshëm e të pafajshëm…Për Ju fitoi Atdheu Juaj, fitoi liria, fitoi progresi; për Ju s`kishte veri as jug, për Ju kishte një Amerikë…


    Atdheu im vuan akoma, vritet akoma për hasmëritë e para një shekulli, për hasmëritë e para shumë shekujve, për hasmëritë ideologjike, për hasmëritë politike, për hasmëritë farefisnore; Atdheu im vritet përditë…Jam shumë i vogël të flas me Ju, jam i pamundur të bëj si Ju, por jam i madh të ulërij, kur shoh Atdheun si ulërinë për një Tribun të Madh si Ju!..Kisha dhe unë dikur një Pirro, kisha Agronë, Lekë e Teutë, por m`i helmuan e m`i varrosën netët pa hënë,  që të humb rrugët mbi dymijë vjet, që të rrugëtoj mbi dymijë vjet…Po kam një shpresë o mik i largët, kam miliona fidanë të ri që vijnë ngadalë si uragane, dhe do ngadhënjejnë një ditë të afërt, dhe do fitojnë një ditë të afërt mbi hasmëritë e hasmërive që më kanë mbetur si varr në derë…Do të kem dhe unë Atdhe një ditë, siç e kam pasur me Skënderbenë…


 


12.02.13

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …