Isuf Ismaili: Atdhedashuria është çelësi i çështjes shqiptare

Të flasësh a të shkruash për çështjen shqiptare nuk është sikur ke folur a ke shkruar për një çështje sociale, për një problem letrar a artistik, sikur ke përshkruar një ambient apo sikur prekur çështje e probleme të arsimit etj.

Të gjithë e dinë se çështja shqiptare është hapur dhe kërkon të zgjidhet, por janë disa sinjale tepër negative që na e zvarrisin shumë zgjidhjen e saj të drejtë.

Moszgjidhja drejt e çështjes së Mitrovicës është sinjali më i vrazhdët, është pamja më e dallueshme e favoreve evropiane për serbët dhe njëkohësisht është shëmtia më e çoroditur e kompromiseve në kurriz të shqiptarëve të Kosovës dhe tani kjo po ndodh me kohën kur thuhet se demokracia ka një nivel shumë të lartë të zhvillimit të saj në Evropë.

Se ç`demokraci është kur shpërblehet shteti që i mbron kriminelët, kjo nuk do ndonjë koment, por këtë më mirë le të na thotë politika evropiane, por edhe politika mjerane shqiptare!!!

Kur trajtohet çështja e Mitrovicës dhe kur kemi parasysh përkëdheljen evropiane që i bëhet Serbisë, nuk mund të mos themi se lojërat politike dhe segmentet e caktuara politike evropiane lojën e kanë çuar në të favor të Serbisë duke dërrmuar interesat shqiptare në Kosovë.

Si mund të shpjegohet fakti që serbët në Mitrovicën veriore bëjnë barrikada, bëjnë trysni mbi shqiptarët, i ndjekin prej andej jua bëjnë jetën të pamundur në shtëpitë e pronat e tyre dhe nuk i përfillin fare urdhrat e ushtrisë ndërkombëtare KFOR, madje komandanti i kësaj ushtrie në mënyrë tragjike e komike i çonte duart lartë?!

Tanimë shihet qartë se qarqet politike që mbajnë anën e serbëve jo vetëm kanë ndikim brenda Bashkësisë Evropiane, por edhe arrijnë të imponojnë një zgjidhje në të mirë të serbëve dhe të Serbisë. Kushdo mund të thotë ç`të dojë,  gjoja për Mitrovicën po bëhen bisedime të suksesshme, po merren veshë shqiptarët me serbë. Por e vërteta qëndron në faktin se Serbisë jo vetëm po i bëhen lëshime dhe favore, por Bashkësia Evropiane po do me çdo kusht ta fusë Serbinë në gjirin e saj. Për ta arritur këtë i duhen negociatat, marrëveshjet,  sa për sy e faqe, se gjoja u arritën zgjidhje të përshtatshme etj.

Kjo ngjet si në kirurgji: të bëhet operimi, të mos shërohet sëmundja dhe të bëhet qepja.

Po a mund të arrihet një zgjidhje e tillë në politikë apo në një vend?!

Së pari kjo nuk është zgjidhje, së dyti ky është imponim mbi strukturat mjerane politike të një vendi dhe së treti ky është një potencial i fuqishëm për të shpërthyer pakënaqësitë shqiptare në një gjendje të padurueshme për jetën dhe ardhmërinë e tyre.

Po t`i vërejmë me kujdes deklaratat dhe pohimet e ndryshme të një pjese të politikanëve evropianë, shikohet se për Mitrovicën, ata shprehin si të arritur të madhe gënjeshtrën e falsitetin të kamufluar si të “vërtetë” se gjoja Serbia po do t`i shuajë strukturat paralele, ndërsa bandat e krimit dhe korrupsionit nuk kanë të ndalur. Këto struktura janë të mbështetura dhe të dala nga mekanizmat ushtarako-policore serbe të vetë Serbisë si shtet.

Të bisedohet me Serbinë për shuarjen e këtyre strukturave, për rregullimin e gjendjes në Kosovë është jo vetëm hipokrizi, por edhe mashtrim, edhe përulje edhe pa dinjitet, edhe kompromise të turpshme, edhe dhembje e madhe për çdo shqiptarë të ndershëm e liridashës.

Si mund të bisedohet me armiqtë, të cilët si dje edhe sot duan të na shuajnë fare si shqiptarë, të na pushtojnë tokat dhe të na i zhvatin pasuritë?!

Si mund të bisedohet me Serbinë, kur ajo edhe sot dhe pandërprerë fare, Kosovën e konsideron si Serbi dhe se krimet, barbaritë, luftën çnjerëzore kundër shqiptarëve e mbi shqiptarët që e ka bërë Millosheviçi dhe regjimet e së kaluarës, i quan të ligjshme?! 

Si mund të bisedohet me armiqtë,  që janë shkaktari i të gjitha të këqijave dhe mosmarrëveshjes në mes të dy popujve tanë.

Një përulje e tillë para armikut, kur i zgjatet dora atij, edhe kur ai thotë, se unë jam ai që ju sjell vërdallë dhe lozi me ju si të ma ketë qejfi, është mos dinjitet, është kompromis me të për ta zgjatur kohën në një post, për të zgjatur kohen e përfitimeve politike dhe materiale, është një shëmti, e cila ka pasoja negative e të dëmshme për popullin dhe vendin, për të ardhmen e tij tërësisht të pasigurt, që shkon drejt hullisë dhe mjegullës së dendur, për të mos parë qartë e për të topitur mendjen ose për të vazhduar gjendjen pështjellimeve dhe mossukseseve për moszgjidhjen e çështjes shqiptare.

Armiqtë e përbetuar me njëri – tjetrin është e pamundur të ulen në një tavolinë, t`i zgjatin dorën njëri – tjetrit, të kuptohen dhe të arrijnë marrëveshje, përveç rasteve kur përfitimi i popullit dhe atdheut është detyra parësore dhe mbi çdo gjë tjetër.

Por të ndalemi dhe të analizojmë këtu: kush po përfiton dhe kush po humbet?

Po përfiton Serbia dhe madje jo vetëm në veriun e Mitrovcës, jo vetëm se do të futët në gjirin e Bashkimit Evropian, por ajo me këtë, përfiton edhe për enklavat, sepse në mos tërësisht si në veriun Mitrovicës, pjesërisht a ngjashëm mund të përfitojnë pikërisht edhe këto enklava. Ndërsa Kosova, ç`do të përfitojë, kur edhe ndërmjetësuesja e Bashkimit Evropian zonja Catherine Ashton, deklaron se do të ketë lëshime të dhembshme?!!

Por, a është kjo një zgjidhje për Kosovën, apo është zjarri që do ta përfshijë në një të ardhme jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë, madje edhe Ballkanin përplot e pakënaqësi e me trazira?! Çfarë zgjidhje për Kosovën po ofrohet nga Bashkimi Evropian, kur kemi parasysh Ballkanin e trazuar e të pasuksesshëm  pasi që edhe nuk ka as ulje  tensionesh, kur është fjala edhe për shtete që janë brenda Bashkimit Evropian, siç është Greqia dhe kur bëhen zgjidhje gjysmake e të dëmshme, siç është rasti me shqiptarët kur i pushtohen tokat e tij dhe masakrohen bijtë e bijat e tyre ?!

Serbia e cila  si e përkëdhelur nga një pjesë e madhe e Bashkimit Evropian, ka gjetur terren të përshtatshëm për të manifestuar dhe të imponuar vullnetin e saj me një këmbëngulje edhe si rezultat, merret veshë lehtë fare, i politikës mjerane, e pjesës më të madhe  të politikës shqiptare e cila ka ngelur në llumin  e shëmtuar të batakut kudo në trojet tona.

Kur është fjala te mjerimi i kësaj politike, qoftë në Republikën e Shqipërisë, qoftë në Republikën e Kosovës, por edhe në trojet të tjera shqiptare,  nuk mund të mos i ngarkohet  barra e përgjegjësisë e dhënies llogari dhe dënimit që do t`ia japë historia për Preshevën, Bujanocin, Medvegjen dhe trojet të tjera shqiptare që lëngojnë nën Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Greqinë.

Çfarë zgjidhje mund të ketë në Kosovë, duke ju bërë lëshime të pallogaritshme minoriteteve, e sidomos serbëve,  duke i dëmtuar interesat e shqiptarëve e trojet e tyre, kur në të njëjtën kohë shqiptarët nën Malin e Zi dënohen edhe për ngritjen flamurit shqiptar, kur lëngojnë nën çizmen e pushtimit policor ushtarak politik të malazezëve, kur  shqiptarët në Kosovën Lindore nën Serbinë, vuajnë dhe masakrohen pse i kërkojnë të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare, kur në Maqedoni shqiptarët janë të diskriminuar, kur maqedonasit duan t`i përpijnë, kur çamët dhe arvanitasit nën Greqi jo vetëm nuk kanë shkolla në gjuhën shqipe, jo vetëm s`kanë liri nacionale, por i manipulojnë kisha dhe politika greke e madje as gjuhën shqipe nuk jua lejojnë ta flasin publikisht.  

 

Me aq sa mund të kuptojë njeriu me logjikën e shëndoshë, të qartë, duke e analizuar historinë e së largët dhe të afërt shqiptare e serbo – sllave në Ballkan por edhe historinë greke, duke pasur parasysh armiqësinë shekullore sidomos me  Serbinë, sa herë janë bërë bisedime, pala shqiptare ka dalë e humbur dhe shqiptarët liridashës e të sakrificës nuk janë pajtuar kurrë me këto “zgjidhje” meqë janë dëmtuar rënd interesat shqiptare, pra nuk janë pajtuar kurrë me gjendjen nën pushtim dhe për pasojë gjithnjë ka pasur lëvizje, përpjekje, luftëra për liri, çlirim dhe bashkim të atdheut.

Në këto përpjekje, në këto luftëra kemi derdhur gjak, kanë humbur jetë njerëzish, janë bërë dëme të pallogaritshme materiale e shpirtërore,  prandaj edhe kemi ngecur mbrapa si në pikëpamje ekonomike, arsimore, infrastrukturore etj.

Megjithëkëtë, ne kemi ruajtur gjuhën, përkatësinë tonë, kemi ruajtur shpirtin e shqiptarit në shekuj, jemi formuar si komb dhe i kemi ruajtur pjesën më të madhe trojeve etnike shqiptare si rezultat i gjakut të derdhur i përpjekjeve dhe sakrificave për çlirim, liri e bashkim kombëtar.

Prandaj zgjidhja e vetme e drejtë është bashkimi i trojeve të gjuhës shqipe ku kanë gjallëruar historikisht e gjallërojnë edhe sot e kësaj dite shqiptarët .

Më kot është bërë zhurmë për lapidarin në UÇPMB-ës në Preshevë, zhurma nuk na i zgjidh nyjat dhe problemet. Vetëm pluhuri i zhurmës nuk e pengon dot Serbinë për t`i shembur lapidaret, që simbolizojnë luftën kundër saj. Por, këmbëngulja, përkushtimi, sakrificat, dashuria dhe bashkimi i forcave të shëndosha shqiptare është çelësi për lirimin nga zgjedha  të trojeve shqiptare që lëngojnë nën  pushtimet serbo – maqedonase, malazeze e greke, dhe bashkimi i tyre me dy shtetet shqiptare, jetësimi i Shqipërisë së Natyrshme është mbarëvajtja e popullit shqiptar dhe trojeve të tij stërgjyshore.

Kur të arrijnë shqiptarët të flasin e të veprojnë njëzëshëm si në Prishtinë, si në Tiranë, si në Ulqin, si në Preshevë e Tetovë dhe kur me këmbëngulje e pa hezitim veprojnë, punojnë për bashkimin e Atdheut atëherë do të përfillet çështja shqiptare nga Bashkimi Evropian dhe politika ndërkombëtare përgjithësisht.

22.2.2013

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …