Sheradin Berisha: Java e Ukshin Hotit, 11-16 maj 2013. Ukshin Hoti nuk i përket harresës

Më 16 maj, bëhen 14 vjet që nuk dihet asgjë për rrethanat e zhdukjes së Ukshin Hotit, të këtij kolosi të madh të mendimit politikë shqiptar. Lidershipi politikë e institucional i Kosovës, për 14 vjet rresht heshtën, nuk e ngritën zërin për ndriçimin e fatit të këtij personaliteti EMBLEMATIK të kombit tonë, ashtu sikurse nuk u interesuan seriozisht, për zbardhjen e fatit të rreth 1.800 shqiptarëve tjerë të zhdukur, trupat e të cilëve ende sot e kësaj dite gjinden diku në varrezat masive – në Serbi. Duke pasur parasysh indiferentizmin dhe harresën e pashembullt ndaj UKSHIN HOTIT, nga institucionet shtetërore të Kosovës…, portali PASHTRIKU.ORG, nga 11 – 16 maj 2013 organizon ‘JAVËN E UKSHIN HOTIT’ me moton ‘UKSHIN HOTI – NUK I PËRKET HARRESËS!’ Gjatë kësaj jave portali, do të publikoj – studime të Ukshin Hotit, si dhe shkrime, analiza e kujtime të intelektualëve të shumtë, kushtuar këtij SOKRATI të pavdekshëm Shqiptar. Dhe kjo “JAVË…” le të shërbejë si THIRRJE dhe njëkohësisht POROSI, për klasën politike e institucionale të Kosovës dhe gjithë opinionin publik, se UKSHIN HOTI vërtet kurrë nuk do t’i përkas HARRESËS! Ai është dhe do të mbetët i GJALLË në mesin e të gjallëvet, duke e sfiduar PËRJETËSISHT VDEKJEN!

 

Katërmbëdhjetë vjet më parë, (më 16 maj 1999), Ukshin Hoti, derisa po vuante dënimin në Burgun e Dubravës, befasisht pranon vendimin nr.24/2241/05 të nënshkruar nga drejtori i burgut, Aleksandër Rakoçeviq, për “lirim me kusht” nga burgu (!!!), pas mbajtjes së dënimit prej pesë vjetësh, që ia kishte shqiptuar gjykata serbe në Prizren – në shtator të vitit 1994. Pas përfundimit të luftës, shokët e burgut që ishin ndarë për herë të fundit me Ukshin Hotin, kanë deklaruar se ishte ditë e diele (një ditë e pazakontë për t’u liruar nga burgu) kur baca Ukë (kështu e thërrisnin ata) rreth orës 10 – 11 të paradites, i shoqëruar nga tre punëtorë të sigurimit serb, është nxjerrë nga ambientet e brendshme të burgut të Dubravës. Dhe, pas këtij momenti, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për vendndodhjen e këtij intelektuali, politologu e atdhetari të shquar.

 

KU ËSHTË UKSHIN HOTI? A ËSHTË GJALLË APO I VDEKUR UKSHIN HOTI? – pyesin tashmë 14 vjet shqiptarët! Dhe për habi, askush s’ka dhënë një përgjigje të sakt për fatin dhe vendndodhjen tij, ndërkohë që për këtë rast janë thurur parreshtur spekulime, madje ka pasur edhe prononcime publike se, Ukshin Hoti është gjallë, dhe se po mbahet në burg shtëpiak, për ‘kusuritje politike’ etj.

 

Pas përfundimit të luftës, familja e Ukshin Hotit, veçanërisht motra e tij MYRVETJA, ka trokitur në shumë dyer të partive politike dhe të institucioneve të Kosovës, ku ka kërkuar zëshëm ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit. Në të gjitha takimet, politikanët tanë – motrës Myrvete, i kanë premtuar, se, çështjen e Ukshinit do ta ngrisin si temë në çdo takim zyrtar me faktorët e huaj, për ta detyruar Serbinë që të zbardhë fatin tij. Por, fatkeqësisht, deri më sot asnjë premtim i dhënë, nuk është mbajtur, çka do të thotë se ata kanë GËNJYER!

 

Çuditërisht, për 14 vjet rresht, kjo klasë politikanësh (pozitë e opozitë) rrallë folën për Ukshin Hotin, jo se harruan të flasin për të! Dhe, kjo heshtje mbytëse për një personalitet si Ukshin Hoti, shpërfaq një indiferentizëm histerik. Në qershor të vitit 1999 intelektuali ynë i shquar Dr.Moikom Zeqo, në një APEL drejtuar opinionit publik, jo rastësisht ka thënë, se: “indiferenca (për Ukshin Hotin) është kriminale. Indiferenca nuk është gjë tjetër veçse pajtim me torturuesit dhe ndoshta me vrasësit e tij”. Ukshin Hoti nuk i përket harresës. Ai është në vetë thelbin e kujtesës së kombit. Ukshin Hoti nuk mund të vdesë dhe në të vërtetë nuk ka për të vdekur kurrë. Qenia e tij intelektuale është e pashlyeshme dhe është prezent kudo. Kosova dhe kombi shqiptar kanë nevojë urgjente për mendimin e Ukshin Hotit. Ukshin Hoti sakrifikoi gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë të jetë mosmirënjohës, të mos ketë respekt apo të mos përkulet me nderim përpara figurës së tij. Kjo indiferencë, heshtje apo mosmirënjohje e tyre ndaj Ukshin Hotit, gjithësesi i bën të papërgjegjshëm politiksht.

 

Me këtë rast pa hezitim, them se, përgjegjësia historike e kombëtare, nga Konferenca e Rambujesë e deri më sot, për mosndriçimin e rastit të Ukshin Hotit, bie:

1. mbi Ibrahim Rugovën, si Kryetar i LDK-së dhe Kryetar i Kosovës;

2. mbi Hashim Thaçin, si shef i Drejtorisë Politike të UҪK-së, shef i Delegacionit të Kosovës në Rambuje, kryetar i PDK-së dhe kryeministër i Kosovës;

3. mbi Atifete Jahjagën, si kryetare e Kosovës;

4. mbi Bajram Rexhepin, si kryeministër i parë i pasluftës në Kosovë dhe aktualisht Ministër i Brendshëm;

5. mbi Jakup Krasniqin, si zëdhënës i UÇK-së, dhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës;

6. mbi Fatmir Sejdiun, si kryetar i LDK-së dhe Kryetar i Kosovës;

7. mbi Nexhat Dacin, si kryetar i Kuvendit të Kosovës;

8. mbi Kadri Veselin, si Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), si dhe mbi të gjithë politikanët tjerë me ndikim në skenën politike të Kosovës!…

9. Mbi KMDLNJ.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …