Fatmir Graiçevci: Hipokrizia e EULEX-it dhe e krerëve tanë politikë e institucionalë që i mbajnë ison

Një ndër veset  më të këqija të njeriut dhe më të kritikuara nga librat e shenjtë për shkak të rrezikut që paraqet për shoqërinë, është edhe hipokrizia. Në Bibël dhe në Kuran me dhjetëra herë ju tërhiqet vërejtja besimtarëve që të jenë të vëmendshëm ndaj hipokritëve, sepse ata ndryshe deklarojnë kur janë në mesin e besimtarëve e ndryshe sillen dhe veprojnë pas tyre.


Të paktën, të gjithë njerëzit në mënyre deklarative këtë veti e gjykojmë si të keqe dhe të dëmshme. Vështirë se do të gjejë njeriu ndonjë person me mendje të shëndoshë që të pohoj se hipokrizia është e dobishme për shoqërinë. Por pavarësisht kësaj, janë me mijëra, miliona e mbase miliarda njerëz që janë hipokritë. Ndryshe deklarojnë e ndryshe veprojnë. Deklarohen demokrat e në thelb janë komunist, deklarohen besimtarë e bëjnë jetë ateisti, propagandojnë ide nacionaliste e bëjnë jetë internacionaliste, hiqen si altruist e jetojnë si egoist e kështu me radhë.


 


Një shembull tipik të hipokrizisë paraqet edhe misioni EULEX dhe drejtuesit e zyrtarët e tij si dhe të tjerët që ia mbajnë ison. Për të thuhet se është mision i Bashkimit Evropian për vënien e Rendit dhe Ligjit në Kosovë por pavarësisht kësaj që thuhet, EULEX-i mbyll sytë para krimeve që bëhen në pjesën veriore të Kosovës, ku nga bandat kriminale serbe pamundësohet edhe liria elementare e njeriut, ajo e lëvizjes së lirë. Për ta kompensuar këtë dështim, ky mision tani e sa vite duke keq shfrytëzuar tolerancën e popullit shqiptar tregohet tejet i ashpër kundër të gjithë shqiptarëve për të cilët shfaqen dyshime se mund të kenë keqtrajtuar ndonjë qytetar gjatë viteve të luftës.


Psiko-analisti i shquar, Zigmund Frojdi do të thoshte se zyrtarët e këtij misioni po e stërpërdorinë jashtëzakonisht mirë mekanizmin e kompensimit. Por ky mision deri më tani nuk ka treguar vullnet për të zhvilluar hetime për vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë marrë pjesë në vrasje, dhunime dhe dëbime të popullit shqiptar.


Aksionet e deritashme të këtij misioni dhe të UNMIK-ut dikur, t’i sjellin në kujtesë poezitë për të cilat mendon se ju ka ikur koha, poezi të cilat me anë të gjuhës së fabulave vënë në pah padrejtësinë dhe logjikën e mbrapsht të dënimit të viktimave dhe lënien në


liri të kriminelëve.


Por hipokrizia nuk merr fund këtu. Personat që mishërojnë këtë veti të rrezikshme i gjejmë ngado madje edhe nëpër pozita tejet të rëndësishme në shoqërinë tonë. Janë të shumtë njerëzit që nuk pushojnë së deklaruari se Kosova është tokë e shenjtë e sidomos kur gjenden para masës, mjeteve të informimit apo fushatave elektorale dhe të njëjtit pak


çaste më vonë veprojnë ndaj kësaj toke sikur të ishte e mallkuar, duke pështyrë mbi të, hedhur mbeturina e çka jo tjetër. Ç’hipokrizi! Athua nga kanë ardhur gjithë këto mbeturina që çdo ditë e më shumë po i mbulojnë sipërfaqet e bukura të Kosovës!?


 


Jo rrallë ndodhë të dëgjojmë njerëz duke folur për rëndësinë e luftës çlirimtare dhe vlerën e lirisë por ndryshe veprojnë ndaj kësaj lufte dhe bartësve të saj. Janë të shumtë tillët që mbajnë leksione për pastërtinë e luftës çlirimtare dhe bartësve të saj por kur ka aksione për njollosjen e saj dhe drejtuesve të luftës çlirimtare, ata bëhen sikur struci i cili kur vlerëson se një situatë është e rrezikshme fut kokën në rërë apo ku të mundet.


Ç’hipokrizi.


Janë të shumta rastet kur dëgjojmë kërkesa të arsyeshme dhe humane që Serbia të kërkoj falje për krimet që ka bërë kundër popullit shqiptar dhe këto kërkesa mandej riprodhohen edhe nga të ashtuquajtur historian, analist e studiues që gjatë defilimeve nëpër medie tona dënojnë krimet e Hitlerit, Sadamit, Gadafit, Millosheviqit, të cilët tani më kanë vdekur dhe nuk janë të rrezikshëm për shoqërinë dhe na tregojnë se sa humanist që janë por kurrë nuk gjykojnë edhe veprimtarinë e shërbyesve të regjimeve të tyre, disa prej të cilëve janë ende gjallë dhe gjenden edhe nëpër pozita kyçe në vendin tonë!!! Të tillët e ‘dojnë’ lirinë dhe demokracinë vetëm në rast se ajo ju sjell privilegje e përfitime të majme ashtu sikur ju ka sjellë dikur


regjimi shqiptar vrasës i Serbisë dhe komunizmi. Janë të shumtë shembujt anekënd botës ku mësojmë se personalitete të ndryshme i ka vrarë ndërgjegjja se pse nuk kanë bërë sa duhet për t’i dalë të keqes përpara apo pse kanë pranuar poste drejtuese nga qeveri të cilat më vonë kanë ndërmarr aksione antinjerëzore.


Një shembull të tillë paraqet edhe një ndër filozofët më të mëdhenj të Gjermanisë, Martin Hajdeger.


 Ai gjatë viteve të ’30 nga nazistët ishte emëruar rektor i një universiteti në Gjermani ndërkohë që pas pak kohe kishte dhënë dorëheqje nga ai post ndërsa pas përfundimit të luftës së dytë botërore ishte tërhequr edhe nga mësimdhënia në universitete publike. Por kjo ka ndodhur me personalitete që kanë dinjitet dhe ndërgjegje por nuk ndodhë edhe në botën shqiptare. Janë me qindra e mijëra persona që janë treguar indiferent ndaj vrasjeve, torturave, burgosjeve dhe dënimeve drakonike të djemve dhe vajzave që kërkonin të drejta, liri dhe demokraci për popullin shqiptar disa madje edhe kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në dënimet dhe torturimet e tyre por ata asnjëherë nuk kanë kërkuar falje për këto vepra djallëzore. Përkundrazi, ata sot janë përfituesit më të mëdhenj të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës. Njerëz të tillë të pandërgjegjshëm dhe të pa moral gjatë regjimit të ish Jugosllavisë asnjëherë nuk kanë rrezikuar privilegjet e tyre që ju ofronte ai regjim dhe të ngritin zërin kundër robërisë, padrejtësisë, komunizmit por bënin të kundërtën ndërsa sot janë më të zjarrtit kur flasin për vlerat sikur janë liria, drejtësia, demokracia, nacionalizmi, patriotizmi e vlera të tjera sepse tani gjuha dhe


deklaratat e tilla ju sjellin përfitime e jo se këtë e ndjejnë thellë në qenien e tyre. Frojdi do të thoshte se edhe këta janë duke e stërshfrytëzuar mekanizmin e kompensimit ngase atë që nuk e kanë bërë kur duhej po provojnë ta bëjnë tani.


Ç’hipokrizi!!


Por hipokrizi e shkuar hipokrizisë është kur arrestimet, burgosjet dhe dënimet që po ju bëhen frymëzuesve, drejtuesve, komandantëve, eprorëve dhe pjesëtarëve të përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës quhen aksione kundër individëve të caktuar.


Sipas kësaj logjike i bije se as Serbia nuk ka luftuar kundër popullit shqiptar por vetëm kundër individëve të caktuar sepse gjatë viteve të luftës forcat policore e ushtarake serbe nuk kanë vrarë dy milion shqiptar por vetëm 15 mijë, se Serbia nuk ka bërë gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë sepse nga rreth 5 milionë boshnjak mysliman ka vrarë dhe masakruar vetëm 250 mijë prej tyre e as krimet e nazizmit dhe Hitlerit nuk janë krime kundër njerëzimit sepse nga mbi dy miliard banorë sa ka pasur bota në vitet e ’40, gjatë luftës së dytë botërore janë vrarë vetëm 60 milionë njerëz.


Se deri ku ka arritur hipokrizia mund të konstatohet edhe nga gjuha që përdorin zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe një numër i konsiderueshëm i të ashtuquajturëve politikanë, analisë, historianë, humanistë e çka jo tjetër, kur flasin apo shkruajnë për vitet 1998-1999.


Luftën armatosur në mes të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe ushtrisë dhe policisë së Serbisë e quajnë herë konflikt e herë luftë, varësisht nga konteksti. Kur është fjala për arrestimin, njollosjen dhe poshtërimin e ndonjë pjesëtari të UÇK-së, këtë e bëjnë me pretekst për pjesëmarrje në krime të luftës, ndërsa sa here ngritet zëri për të kërkuar llogaridhënie nga Serbia për dëmet që ia ka bërë Kosovës dhe popullit të saj gjatë luftës dyvjeçare kemi reagime të menjëhershme se nuk ka pasur luftë por konflikt.


Duket se kjo kritikë tani ka filluar ta shpërlaj edhe trurin e atyre që dikur me krenari flisnin e shkruanin se kanë qenë bartës të luftës çlirimtare ndërsa tani na flasin e shkruajnë se Kosova e Serbia duhet ta lënë prapa konfliktin në mes tyre dhe të shiqojnë kah e ardhmja sepse, sipas tyre, ky është interesë i qytetarëve të të dyja vendeve. E kjo nuk është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj por në interes të Serbisë dhe qytetarëve të saj. A nuk është kjo edhe një hipokrizi e radhës !?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …