Ahmet Qeriqi: Po bëhen përpjekja për ta mjegulluar dhe për ta deformuar origjinën e Hasan Prishtinës

Më 13 gusht të vitit 1933 në Çimisqi të Vogaxhikut, përpara një bakallhaneje, në Selanik  u vra tradhtisht dhe pabesisht, atdhetari dhe politikani  më emblematik i kohës, Hasan Prishtina. Vrasësi ishte një vegël qorre e Ahmet Zogut, mbretit të vetëshpallur të Shqipërisë, i cili, patriotin Hasan Prishtina e kishte dënuar me vdekje në mungesë, për shkak të aktivitetit të tij politik dhe atdhetar, meqë Hasan Prishtina nuk bënte kompromise me grabitësit e pushtuesit e trojeve shqiptare, ashtu sikur bëri, Ahmet Zogolli marrëveshje në dëm të Kosovës dhe Shqipërisë me Nikolla Pashiqin, armikun dhe shqiptarëvrasësin më famëkeq dhe më mizor të Serbisë.

 

Në 80-vjetorin e vrasjes pabesisht dhe tradhtisht të Hasan Prishtinës, nuk kemi vërejtur ndonjë aktivitet institucional, sepse është kohë pushimi pas festave të Bajramit, pastaj është kohë vere dhe me vapë, ndërsa në këtë 80-vjetor promovuesit e veprës së tij sigurisht se gjenden nëpër pushime në Adriatik apo në plazhet e shtrenjta të Turiqisë. Ndoshta ka edhe ndonjë shkak tjetër, për faktin se edhe 80 vjet pas vrasjes së këtij burri emblematik të kombit, dikush ende po përpiqet ta përvetësojë trashëgiminë e tij, dikush tjetër për para dhe për hir të fuqizimit të bizneseve ka shkuar aq larg në shtrembërimin e të dhënave gjenealogjike, sa ka pretenduar t’ia mohojë edhe origjinën e prejardhjen e  vërtetë të këtij kolosi të kombit tonë.

Dilemat lidhur me prejardhjen e Hasan Prishtinës ende janë mbi sipërfaqen e spekulimeve,  meqë po jetojmë në kohën, kur është krijuar bindja se me para mund të blihet dhe mund të rishkruhet historia sipas tekeve dhe sipas kërkesave e interesave të caktuara politike. Këtë po e bëjnë me sukses bosët e përfitimeve, milionerët e miliarderët, ata që kapitalin e tyre të pistë e kanë ngritur mbi kurriz të pasurive natyrore të Kosovës e të Shqipërisë, ata që kanë përfituar nga Piramidat e Sali Berishës, nga blerja gati falas e pasurive dhe resursve të Kosovës, ata që shkruajnë dhe botojnë libra për përfitime e para, apo me prosi të caktuara, ata që hulumtojnë dhe paguajnë të vetëquajturit shkencëtarë të historisë, të cilët shkruajnë sipas  porosive, me qëllim për ta fundosur të vërtetën historike.

 

Trashëgimia atdhetare e Hasan Prishtinës është pasuri publike e kombit shqiptar, e liridashëve të Atdheut dhe askush nuk ka të drejtë ta deformojë atë, askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë për asnjë qëllim, aq më keq kur përpjekjet për përvetësim bëhen nga ata që duan ta kenë një ombrellë me “markën” më të fuqishme patriotike, me qëllim të vetëpromovimit të tyre dhe të bizneseve që përditë po i avansojnë. Përpjekjet e tilla janë të  palejueshme të papërgjegjshme dhe të dënueshme kombëtarisht.

 

Historia e vërtetë e Hasan Prishtinës, prejardhjes dhe aktivitetit të tij atdhetar, intelektual, diplomatik në mënyrë afirmative dhe dinjitoze është prezantuar  dhe mësohet në tekstet tona të historisë, në monografitë voluminoze të studiuesve të njohur dhe të zellshëm të së kaluarës. Ka pasur dhe do të ketë mospajtime për çështje të caktuara, ka pasur dhe do të ketë ndonjë mospërputhje në data apo në shkrime gazetash, por deri në vitet e fundit nuk pati asnjë pretendim për ta përvetësuar dhe për t’ ia ndërruar madje edhe prejardhjen, sikur bëri historiani sharlatan, Fehmi Pushkolli, studiusi i zellshëm i klasës Punëtore Jugosllave dhe i Partisë Koministe të Jugosllavisë. Ai, ka bërë përpjekje, që në një libër të shkruar me porosi të ndërrojë tezat e njohura për origjinën e Hasan Prishtinës, duke u mbështetur në të dhëna gojore e familjare të një familjeje nga Samardexha e Vushtrisë,  po ashtu me prejardhje nga Polaci.

Studimi me kompetencë shkencore i profesor, doktor, Muhamet Pirrakut, nuk lë asnjë pikë dyshimi lidhur me gjenezën e familjes së Hasan Prishtinës, mirëpo kjo nuk u ka bërë fare përshtypje promovuesve të falsifikimit të historisë, sepse ata pretendojnë se tani e tutje do të merret në konsiderim e “vërteta” e tyre e zbuluar afër 80-vjet pas vrasjes së Hasan Prishtinës. Po këta promovues të gënjeshtrave e falsifikimeve me asnjë fjali të vetme nuk kanë treguar si ndodhi që ata familjarë, ta zëmë, trashëgimtarë të gjakut të Hasan Prishtinës nuk u ndien  gjallë 10 vjet pas vrasjes së Hasan Prishinës, as 20 vjet pas atij akti barbar, as 30 vjet pas atij akti mizor, dhe as 70 vjet pas likuidimit të atdhetarit Hasan Prishtina? Ku ishin ata gjatë gjithë kësaj kohe, që nuk dolën publikisht për ta prezantuar të vërtetën e tyre, derisa ishin shkruar e botuar qindra shkrime madje edhe monografi voluminoze për atdhetarin, Hasan Prishtina?

 

Përpjekjet për të promovuar si të vërtetë gënjeshtrën, falsifikimin, përpjekjet për ta ndërruar të vërtetën lidhur me historinë dhe traditën kombëtare të shqiptarëve, nuk janë të reja as të kohës sonë. Përpjekjet e tilla kanë bërë dhe po bëjnë  dy qendra të specializuara antishqiptare në Ballkan, që selitë e tyre të zeza i kanë në Beograd dhe në Athinë si dhe nëndegët e këtyre dy qendrave, mjerisht janë të instaluara edhe në disa qytetet e njohura të trojeve shqiptare. Nga ato qendra burojnë mbetjet e temjanit të zi sllav, burojnë sharjet e fyerjet për  historinë shqiptare në përgjithësi e në veçanti për luftën fitimtare të UÇK-së, nga këto dy qendra marrin frymë mbetjet prosllave, të cilat përbuzin madje edhe familjen më emblematike të kombit, sikur është ajo e Legjendarit Adem Jashari. Dallimi qëndron vetëm në interpretim. Pretendimet për ta përvetësuar një figurë emblemë të kombit, për qëllime politike, tregtare e biznesore janë përpjekje donkishoteske, përpjekje të mjera, të cilat u qesin hije të zezë në radhë të parë pretenduesve shumë të vonuar të “zbulimit” të origjinës së Hasan Prishtinës.

 

Të gjithë atyre kapitalistëve të mëdhenj e të vegjël të Kosovës, që kanë marrë përsipër rishkrimin e historisë, duke u mbështetur në kapitalin dhe fuqinë e tyre ekonomike, dhe duke ndarë shuma të mëdha parash në këtë drejtim, duhet t’ iu përkujtojmë në radhë të parë veprën jetësore të Hasan Prishtinës, e cila ua çjerrë maskat dhe i diskrediton para kombit e atdheut. Ishte Hasan Prishtina, ai, sikur para tij Abdyl Frashëri, Nikolla Naço e shumë të tjerë, të cilët shkrinë krejt pasurinë e tyre në dobi të kombit e të Atdheut, ndërsa kapitalistët e sotëm të Kosovës e Shqipërisë po i shkrijnë resurset e trojeve shqiptare për t’ i përvetësuar dhe për t’ i plaçkitur sa më shumë ato, ashtu sikur bëri mësuesi dhe “mbreti i tyre” Ahmet Zogolli, i cili në vend se të luftonte kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia, në prill të vitit 1939, ngarkoi në qerre thesarët e Shqipërisë dhe së bashku me familjen e shpurën e tij besnike iku nga sytë këmbët, për të mos u kthyer më kurrë për së gjallë në atdhe. Kthimi i eshtrave për së vdekuri të Zogollit në Mëmëdhe ka simbolikën e vet, sepse Mëmëdheu  është nëna jonë e madhe, e cila ka vend edhe për eshtrat e shkapërdarëve, madje edhe të  tradhtarëve e trutharëve.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …