U nda nga jeta historiani që asnjëherë nuk u zmbraps nga e vërteta shkencore, pavarësisht pasojave…

Dr. Muhamet Pirraku ishte në mesin e historianëve e veprimtarëve të vendit, i cili në asnjë segment të punës së tij shkencore nuk bëhej zap, nuk ndalonte rrugëtimin, por gjithnjë bënte një hap tutje, gjithnjë shkonte më tej, në kërkim të dijes dhe në gjurmim të së vërtetës, të asaj të vërtete, që qëndron në ballë të universit dhe për zbardhjen e së cilës është dashur dhe gjithnjë  duhet të derdhet  shumë mund dhe shumë përballje me forcat e errësirës, të cilat nuk kanë pushuar as po pushojnë dot për ta mjegulluar atë, për ta deformuar dhe për ta tjetërsuar.


 


I lindur dhe i rritur në Drenicën e heroizmit dhe kryengritjeve shqiptare nga shekulli në shekull, dr. Muhamet Pirraku, interesimin e tij për ta ndriçuar historinë shqiptare e kishte edhe frymëzim familjar, duke qenë pjesëtar i një familjeje të përndjekur nga regjimet okupatore. 


Në hulumtimet dhe studimet e tij, ka arritur të lërë gjurmë të thella në ndriçimin e shumë segmenteve studimore nga e kaluara e sidomos nga periudha e Rilindjes Kombëtare dhe nga historia e vazhdueshme e Rezistencës kombëtare, deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës e më pastaj, gjithnjë në përpjekje të vazhdueshme për t’ i ruajtur vlerat e mirëfillta kombëtare. Ishte thellë i vetëdijshëm se politikat ne caktuara  kanë deformuar dhe deformojnë historinë, andaj me tërë qenien iu përkushtua ndriçimit të së vërtetës dhe ruajtjes me çdo kusht të identitetit kombëtar të shqiptarëve, i cili jo vetëm njëherë ishte rrezikuar si nga Roma e Bizanti, ashtu edhe nga Perandoria Osmane dhe nga sllavët.


 


Në mesin e një duzine të librave të botuara, një përkushtim të madh historiani, Muhamet Pirraku i ka kushtuar  veprimtarit të mirënjohur të çështjes kombëtare, Hasan Prishtina, jetën dhe veprën  e të cilit e ka analizuar në të gjitha segmentet, me fakte relevante historike dhe me studime interdisiplinare. Duke qenë i lidhur ngushtë me këtë personalitet të historisë sonë, duke qenë njohësi më i mirë dhe më i thellë i biografisë së tij, ai edhe pse i rënduar nga shëndeti, në dy vitet e fundit të jetës  u detyrua sërish ta “zhvesh shpatën”, asht usi dikur “Gjergj Elez Alia” i kujtesës popullore shqiptare,  për ta mbrojtur Hasan Prishtinën nga pseudoshkenca dhe nga manipuluesit e sotëm, të cilët pretendojnë që me para të blejnë madje edhe origjinat e personaliteteve të mëdha të kulturës dhe historisë sonë kombëtare.


Ishte mllefosur dhe ishte zemëruar  tej mase me rastin e botimit të një “monografie” të shkruar me porosi nga një “historian”, ku pa asnjë bazë të mirëfilltë shkencore, pretendohej të deformohej madje edhe origjina e Hasan Prishtinës, për të nxjerrë pasardhës të klonuar, me qëllim për ta përforcuar Lëvizjen pacifiste, duke harruar se Jeta dhe Vepra e Hasan Prishtinës kishte qenë dhe kishte mbetur Alfa dhe Omega e historisë së rezistencës aktive, kishte mbetur shembulli nga ku ishte frymëzuar dhe kishte vazhduar historia e rezistencës, deri në përmbyllje të një kapitulli të rëndësishëm të saj, me tri luftërat tona çlirimtare.


 


Pavarësisht mundit të tij jetësor për ta ndriçuar çdo segment të jetës së Hasan Prishtinës, me rastin e zbulimit të Shtatores së tij,  më 28 nëntor 2011 para Fakultetit Filozofik, në Prishtinë, ai u anashkalua, me qëllim të caktuar, tendencioz dhe të papërgjegjshëm. Ishte kjo një goditje tjetër, në kohën kur shëndeti po i rrënohej, po ai nuk po jepej. Me aq forcë që i kishte mbetur në muajt e fundit të jetës kishte arritur ta nxirrte në dritë monografinë e plotë shkencore për Hasan Prishtinën, duke i ndërtuar bazamentin e vërtetë dhe të përjetshëm.


 


Dr. Muhamet Pirraku i ka dhënë shumë shkencës së historisë, i ka dhënë shumë Kombit e Atdheut dhe nuk ka marrë asgjë për vete, nuk ka përvetësuar asgjë, përveç diturisë, mençurisë dhe të mirave që i ka gëzuar falë punës së vet, djersës e mundit.


Ai do të mbetet shembulli i historianit këmbëngulës, i historianit atdhetar, i cili eci hapave të rilindësve, hapave të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, hapave të luftës për liri, duke qenë një kronist realist dhe gjithnjë besnik i së kaluarës, interpretues e hartues i teksteve të historisë, autor i rreth 50 veprave, qindra studimeve  e mijëra shkrimeve të ndryshme autoriale.


Shembulli i jetës dhe punës së tij të palodhshme, korrektësia shkencore, dija historike dhe përgjithësisht dija shkencore, dr. Muhamet Pirrakun e radhisin në “Gardën e nderit” të historianëve shqiptarë.


Ahmet Qeriqi


1.2.2014

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …