Frank Shkreli

Frank Shkreli: Këta e kanë kapur për bishti patriotizmin dhe demokracinë

…Dhe jo vetëm patriotizmin që e kanë kapur për bishti, por edhe diplomacinë — e demokracinë, po se po. E kam fjalën për klasën e sotme politike udhëheqëse shqiptare.  Ka disa vite që shpesh i kam kushtuar dyzina shkrimesh modeste, zhvillimit të demokracisë ose më mirë të themi, mungesës së zhvillimit të mirëfilltë të demokracisë në trojet shqiptare.  Aq sa që një pjesë e tyre janë përmbledhur në tre vëllime me titull, “Demokracia Nuk Pret”, duke thënë terthorazi, por edhe drejtë për së drejti, se “Demokracia” me germë të madhe, nuk po ze fillë në trojet tona ashtu siç duhet dhe siç ishte kërkuar nga masat e gjëra të popullit pas shembjes së komunizmit, si dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë. Përfundimi është se në kohë lirie dhe paqeje, shqiptarët anë e mbanë trojeve po “votojnë me këmbë”, duke u larguar masivisht nga vendlindja. Mungesa e demokracisë së vërtetë – ashtu si edhe në të kaluarën —  Freedom House, vendos Shqipërinë dhe Kosovën, në rreshtin e vendeve, “pjesërisht të lira”, sipas raportit të organizatës së njohur ndërkombëtare me qëndër në Washington.  Madje ky raport i botuar të martën, që i karakterizon dy shtetet shqiptare si, “pjesërisht të lira”, nuk përbën më as një lajm të rëndomt, sepse Shqipëria dhe Kosova, në atë kategori pjesërisht të lira, kanë filluar dhe aty mbeten edhe pas pothuaj 30-vjetësh post-komunizëm, është pra një lajm i vjetër që nuk nxitë më ndonjë kureshtje as interesim. Në vend numro!

I kanë kapur punët për bishti! Gjithçka bëhet gjysëmakëshe. Si demokracia, ashtu edhe diplomacia. Por më e rënda është kur edhe patriotizmi “kapet për bishti”, kur mundohen që darkat ku pihet vëra e kuqe dhe ku hahet mishi i dashit, të na i paraqesin si akte kombëtare dhe shfaqje patriotizmi.  Bazuar në përvojën e 30-viteve të kaluara, është e qartë për të gjithë tanimë, se klasa politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë, të bëjnë të dyshosh nëse ata me të vërtetë dëshirojnë që Kombi shqiptar të krijojë, më në fund, një shoqëri demokratike të bazuar në një patriotizëm të vërtetë, në një demokraci të mirëfilltë dhe cilësore të standardeve të botës së qytetëruar dhe të ndërtuar mbi baza të një shoqërie të drejtë dhe ligjore — me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për secilin shqiptar, pa dallim. Nëse me të vërtetë kanë për qëllim realizimin e një jete në harmoni dhe mirëqenje për të gjithë shqiptarët pa dallim, për aq sa mund të jetë e mundur në këtë jetë, lot vuajtje e mundime.

 

Si është e mundur që në fillim të shekullit 21 – që duhej të ishte shekulli i shqiptarëve – sot pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe mbi 10-vjet pavarësi e Kosovës — megjithëse në liri, por “pjesërisht të lira”, sipas Freedom House — Kombi shqiptar vazhdon të përballet edhe gjithnjë ndoshta me periudhën më të rrezikshme të historisë së vet, të pakën të 100-viteve të kaluar?

Fatkeqsisht, ndihet dhe shihet një “disconnect” siç thuhet në anglisht, midis shqiptarëve ose më mirë të themi midis kësaj klase politike partiake dhe shqiptarëve – një mungesë pra lidhjesh shpirtërore dhe atdhedashurie me njëri tjetrin. Kjo klasë politike e ka provuar tanimë se është absolutisht e pa përgatitur për t’u marrë me këtë gjëndje politike, diplomatike dhe ekonomike me të cilën përballen shqiptarët sot – e të cilën e kanë krijuar vetë ata.  Shqiptarët sikur kanë ra ngusht me këtë situatë – jo të imponuar nga të huajt — por të vet-shkaktuar nga udhëheqsit e tyre politikë, megjithse janë vet të zotët e rrjedhave historike të tre dekadave të kaluara.   Me fjalë tjera, i kanë kapur punët për bishti — për të mos thënë krejt për së mbrapshti — ç’prej fillimit.

Është krijuar një mjedis ku mungesa e patriotizmit të vërtetë, e një atdhedashurie pa interesa personale dhe partiake — në kurriz të interesave kombëtare — është ajo që i shumëfishon problemet aktuale. Në botën politike shqiptare, ekziston një mungesë cilësishë morale dhe një boshllëk i dukshëm i një kulture të mirëfilltë politike, që kohët e fundit, ka arritur kulmin në mosmarrveshjet midis partive dhe në diskursin politik në përgjithësi të klasës politike shqiptare, në të dy anët e kufirit.  Në vend të një atdhedashurie dhe patriotizmi të vërtetë, na serviret një nacionalizëm përçmues, që po na shitet me anë të fotografive darkash dhe të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, që në të vërtetë nuk zgjidhin asgjë hiç.

Në foto, Presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, krye parlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Edi Rama dhe dy zv.ministrat e Kosovës, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli — Kujtojmë se kjo foto është marrë pas përplasjeve të ashpra javën që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë dhe  pas përplasjeve mes udhëheqësve të koalicionit qeverisës në Kosovë për taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, dhe për përplasjet Thaçi-Haradinaj për tezën e ndryshimit të kufijve me Serbinë.  Përplasje, përplasje gjithë andej, por të qeshur rreth sofrës!

Por, a është kjo atdhedashuri dhe patriotizëm i vërtetë, në një atmosferë politike si kjo e sotmja, nepër të cilën po kalon sot bota shqiptare, a po diçka tjetër? Dikur patriotët, burgoseshin dhe vriteshin për kauzat e Kombit. Fatkeqësisht, politikanët e sotëm shqiptarë e tregojnë patriotizmin e tyre me kapadaillek dhe jo me vepra heroike prej patriotësh. Sot, fatkeqësisht edhe veprat kriminale të gangsterave konsiderohen dhe mbrohen nga politika, si vepra heroike.

Mbaj mend fjalët e një burri të vjetër i cili më pat thënë me një rast se atdhedashuria dhe patriotizmi nuk shfaqen duke thënë se “E dua Shqipërinë”, që nënkupton ndoshta Shqipërinë si një term gjeografik, por të jesh patriot i vërtetë sipas tij, nënkupton dashurinë jo vetëm për hapësirën gjeografike, por edhe për bashkatdhetarët e tu, vendasit e një gjuhe dhe të një gjaku, me të cilët ndanë përditë të mirat dhe të këqiat e përbashkëta. Nuk është patriotizëm as atdhedashuri kur përdor shpifje dhe gënjeshtra, me qëllim për të ulur nderin dhe vlerat e shqiptarit, edhe kundërshtar politikë qoftë. Kjo është diçka e papranueshme, madje edhe në botën e anarkisë aktuale politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Kombi shqiptar, jo vetëm që ka nevojë për një fillim të ri politik me rrënjë të thella në një patriotizëm dhe atdhedashuri të vërtetë – dashuri pra, pikë së pari, për njëri tjetrin, sipas formulës së mikut tim të vjetër — por nevojitet gjithashtu edhe një përtëritje themelore morale dhe shoqërore. Mbi të gjitha, Shqipëria dashurohet duke ia ruajtur nderin asaj dhe bashkatdhetarëve që jetojnë aty. Është e nevojshme, pra që në vend të këtij diskursi politik — nëqoftse mund të quhet më si i tillë — e që mbizotëron sot jetën politike — të ndërpritet monologu dhe të fillojë dialogu, në një frymë atdhedashurie dhe brenda një bashkjetese mbarëkombëtare, para se të jetë vonë, sepse “Demokracia Nuk Pret”.

Është i nevojshëm urgjentisht një fillim i ri në çdo aspekt të jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri dhe në Kosovë. Për ndryshe, të gjitha këto shfaqje dhe aktivitete politike dhe diplomatike nga pjesëtarë të caktuar të klasës aktuale politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë – përfshir darkat e përbashkëta siç ishte rasti i fundit në Kosovë — janë vetëm lojëra fëmijsh të cilat argëtojnë vetëm ata që marrin pjesë në to, por të cilat për 30-vjet tani po vazhdojnë të pengojnë seriozisht zhvillimin e një demokracie të mirëfillt, në një frymë vertetë patriotike dhe atdhedashëse anë e mbanë trojeve shqiptare, si dhe integrimin përfundimtar të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …