leoni

Ministri Bytyqi uron profesorët, studentët dhe arsimdashësit

Të nderuar profesorë, studentë dhe arsimdashës. Populli ynë pati një histori të vështirë, edhe sa i përket arsimimit. Themelimi i Universitetit të Prishtinës, 49 vjetorin e të cilit po e festojmë sot, ishte kthesa më e madhe për popullin tonë të mbetur këndej Drinit, për Kosovën me vise, pra për Shqipërinë nën pushtimin jugosllav. Më 15 shkurt të vitit 1970, Kosova me vise u bë me institucionin e lartë të arsimit, me Universitetin e Prishtinës. Të rinjtë e asaj kohe bashkë me arritjen e titujve profesionalë e shkencorë, u bënë edhe përmbajtja e vlerave arsimore të popullit tonë. Ata morën mbi supet e tyre misionin e madh. Në periudhën rendëse të dekadës ’70-’80, Universiteti i Prishtinës pati një hov të madh të zhvillimit, plotësimi i kuadrit shkencor, numër rekord studentësh dhe rritje të kapaciteteve fizike. Kjo dekadë e artë bëri detyrën karshi popullit të etur për dije dhe ngjizi bërthamën lirisjellëse, Pranverën studentore 1981. Ishte po ky Universitet që i priu proceseve të rëndësishme të ndryshimeve politike të asaj kohe. Lirisht mund të themi se Liria që ne gëzojmë u gatua në këtë Universitet me Pranverën studentore. Sa herë të kthejmë vëmendjen te lufta çlirimtare, do gjejmë ish studentët e këtyre podiumeve shkencore, e këtyre meseve akademike. Ne sot po festojmë përvjetorin e 49 të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe afër e kemi përvjetorin e 11-të të shpalljes së Pavarësisë. Këto dy data të ndërlidhura me njëra-tjetrën na bëjnë krenarë. Por, ashtu sikur na bëjnë krenarë, edhe na ngarkojnë me përgjegjësi për cilësinë e rrugët kah po e çojmë arsimin e lartë në këtë vend. Me punë, ne mund të bëhemi ana e mirë e arsimit, mund të ofrojmë programe cilësore, me të cilat do të përgatisim profesionistë për ekonominë tonë, për kërkimin shkencor në hapin e madh që po hedh dija dhe shkenca. Hulumtimi shkencor duhet të bëhet e ardhmja e instituteve tona, publikimet tona shkencore të jenë të pakontestueshme dhe cilësore. Ne po krijojmë përditë e më shumë mundësi, që të gjithë studentët dhe profesorët të mund të jenë të suksesshëm në punën e tyre dhe të zhvillohen profesionalisht. Le të vazhdojmë punën që e filluan profesorët misionarë të këtij Universiteti, duke u ofruar studentëve programe cilësore dhe përgatitje profesionale, për një të ardhme më të sigurt dhe për zhvillim të vendit. Urime!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu ka pritur në takim ekipin për monitorim dhe ndërlidhje të KFOR-it amerikan

Kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, të premtën ka organizuar një pritje për …