Xhavit Haliti mendon se Gjykata Speciale kundër UÇK-së nuk është gjykatë e huaj por gjykatë e Kosovës (!)

Xhavit Haliti thotë se idetë e shqiptarëve dhe serbëve për t’i bashkuar trojet, janë ide të njëjta dhe të vjetërsuara

Xhavit Haliti, zyrtar i lartë i PDK-së dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në një intervistë për Kosovapress ka deklaruar se Idetë e shqiptarëve dhe serbëve për t’i bashkuar trojet, të cilat  i kanë njohur dikur si troje të  tyre, janë ide të vjetërsuara.  Andaj, sipas tij një referendum në Kosovë për t’ i bashkuar Preshevën Bujanocin e Medvegjën me vendin tonë qenka   veprim e  pa qëndrueshëm dhe i panevojshëm. Xhavit Haliti, thotë se në politikë duhet të tregohet racionalitet. Ai ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve, procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogun me Serbinë, duke u shprehur me këtë qasje politike nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje finale, andaj sipas tij, dialogu do të duhej t’i lihej në dorë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Xhavit Haliti është i njohur për deklaratat e tij në esencë kontroverse, por të “moderuara”, sidomos  atëherë kur drejtohen  kundër interesit kombëtar, por edhe kundër bashkimit të tri komunave shqiptare me Kosovën, edhe pse shefi i tij politik, të paktën deklaron ndryshe, sa për opinion dhe patriotizëm.

Natyrisht se fuqia e Xhavitit dhe e xhavitëve në këtë drejtim nuk është se ka ndonjë peshë, për të mos thënë se është kurrfarë, por është e papranueshme dhe kombëtarisht e dënueshme  kur ai  relativizon  dhe i trajton njëjtë idetë e shqiptarëve dhe serbëve për bashkim trojesh. Sipas tij këto ide dalin të jenë të vjetërsuara, sepse serbët dhe shqiptarët po paraqitkan kërkesa   të paarsyeshme dhe si të tilla qenkan të papranueshme.

 Sipas rezonit të tij, të dyja palët kanë kërkesa ekstreme, andaj edhe u dashka të flaken ato  si të panevojshme.

Xhavit Halitit nuk i bën fare përshtypje që dikur Vilajeti i Kosovës kishte 61.000 km.2, ndërsa sot ka rreth 11.000. Ai nuk merret me histori, as me gjakun e derdhur ndër shekuj, as me spastrimin etnik të trojeve shqiptare, as me të drejtën etnike, sepse këto qenkan ide të vjetra për mendjen e re të Xhavitit, gjithnjë të ri me ide të moderuara. Madje kërkesat sipas tij qenkan të njëjta, si  të Serbisë, ashtu edhe këto të Kosovës.

Thjesht, ai jeton me vetën e tij, në lëkurën e tij me idetë e tij dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, si njeri politik, si Xhavit që është,  por në pozitën në të cilën ndodhet, ai ka përgjegjësi kombëtare të ketë qëndrim, në akord me interesin e Kosovës dhe të shqiptarëve përgjithësisht.

Nuk mund të barazohen kërkesat e Serbisë për zgjerim në territoret e pushtuara me kërkesat e natyrshme dhe të ligjshme të shqiptarëve për të jetuar në një shtet, apo edhe për t’ i çliruar ato nga Serbia.

Kosova nuk kërkon territore të Serbisë dhe të asnjë shteti fqinj, ndërsa Serbia kërkon territore shqiptare, i mbanë ato peng apo nën pushtim, kërkon territore në Bosnje e në Kroaci dhe mban nën pushtim Vojvodinën, Timokun, Sanxhakun.

Nuk dalin të jenë të njëjta kërkesat e shqiptarëve nacionalistë me ato të serbëve të Milosheviqit  sikur i relativizon pa pikë turpi, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, duke i trajtuar njëjtë si kërkesat e Sheshelit, Daçiqit e të Vuqit si kërkesat e drejta të shqiptarëve të ndarë në pesë shtete.

Ideja dhe vizioni paqësor i Xhavit Halitit, mbi kurriz të interesave historike, kombëtare shqiptare,  përpjekja për ta ruajtur me çdo kusht Maqedoninë dhe kufijtë  e shteteve të tjera fqinje, sikur ngul këmbë Ali Ahmeti,  janë të njëjta me kërkesat e dikurshme të Ali Shukriut, Azem Vllasit e klasës politike vasale të bashkim vëllazërimit, në kohën e perënduar të jugosllavizmit.

Dhe përderisa të ketë politikanë të tillë të moderuar, internacionalistë, jugo-nostalgjikë, serbët e fqinjët e tjerë sllavë kurrë nuk do të heqin dorë nga hegjemonizmi, sepse në 150 vitet e kaluara pikërisht me shqiptarë të tillë, ata kanë realizuar jo vetëm njëherë qëllimet e tyre ekspansioniste, shfaronjëse dhe kolonialiste. Tani me tërë fuqinë e përkrahjen e shumë vendeve të BE-së,  përpiqen të marrin edhe diçka nga Kosova, sepse Vuçiqi e thotë hapur se nuk mund të arrijmë marrëveshje  definitive, obliguese pa marrë edhe diçka nga Kosova.

Na rrofshin pra këta dhe politikanët e tillë, pa të cilët do ta kishim harruar ‘kumbarinë” e “pobratiminë”  me serbë e sllavë të tjerë, të paktën në këto 11 vitet e fundit.

(Ahmet Qeriqi)

  1. 3. 2019

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti: Më 8 maj ata që duan ta vulosë fitoren Fronti Europian, le ta rrethojmë numrin 4

Ali Ahmeti nga Dibra: Për 22 vite na ka votuar populli, vazhdojmë fuqishëm më 8 maj rrethojmë numrin 4

Pas Strugës dhe vendbanimeve përreth, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti takimet i vazhdoi në Dibër …