Ministrat Shala dhe Klosi dakordohen për oferta të përbashkëta turistike Kosovë-Shqipëri

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka pritur në takim ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, bashkë me kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, Dritan Leli dhe Jorgo Goro. Ministri Shala theksoi se me ministrin Klosi biseduam për thellimin e bashkëpunimit dhe për daljen e një oferte të përbashkët turistike. “Diskutuam me ministrin Klosi për thellimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit, kompetencë kjo që  është në domenin e ministrisë që drejtoj unë. Diskutuam edhe për mundësin e krijimit të ofertave të përbashkëta, që turistët e huaj t’i kenë ofertat e përbashkëta me qëllim që ata që vizitojnë Shqipërinë, ta vizitojnë edhe Kosovën dhe anasjelltas. U dakorduam që bashkë me Klosin që turoperatorët nga Kosova dhe Shqipëria, t’iu ofrojmë shtande të përbashkëta të promovimit të turizmit dhe ofertave që i kemi si dy shtete”, tha ministri Shala. Ministri bëri të ditur se gjatë vitit Kosovën e vizitojnë afër pesë milionë vizitorë, dhe afër 26 për qind janë nga Republika e Shqipërisë, ose përmbi 800 mijë. Ndërsa ministri Klosi tha se shumë qytetarë nga Kosova e kanë destinacion Shqipërinë gjatë sezonës së verës, duke theksuar se barrierat administrative nuk mund ta pengojnë turizmin. “Ne nuk do duhet të mendojmë që deti është i shtetit shqiptar, ai është pasuri e gjithë kombit shqiptar. Ne duam të ofrojmë turizmin më të bukur të Shqipërisë dhe të Kosovës. Oferta e Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të pengohet nga barrierat administrative”, tha Klosi.

Kontrolloni gjithashtu

Kanë filluar konsultimet publike për Planin Zhvillimor Komunal të Ferizajt

Në kuadër të hartimit të Planit Zhvillimor të Komunës (PZHK), Komuna e Ferizajt ka filluar …