Ministri Shala merr edhe një vendim në mbrojtje të konsumatorit, përurohen laboratorët e kalibrimit të radarëve dhe alkoolmetrave

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, Reshat Qalajn kanë bërë përurimin e dy laboratorëve të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës. Ministri Shala tha se tash e tutje pajisjet e Policisë së Kosovës do të kalibrohen në institucionet shtetërore. “Duke pasur parasysh rëndësinë e sigurisë në komunikacion, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencia e Metrologjisë së Kosovës kanë kompletuar pajisjet e dy laboratorëve për verifikimin e matësve të shpejtësisë edhe atë të alkoolmetrit, të dy këto pajisje me të cilat shërbehen Policia e Kosovës do të kalibrohen në Agjenci të Metrologjisë së Kosovës. Qytetarët e vendit sigurohen që tash e tutje këto pajisje do të jenë të kalibruara në Republikën e Kosovës”, tha ministri Shala. Ai bërë të ditur se ky është edhe një veprim në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit dhe tashmë Policia e Kosovës do të jetë edhe më e saktë, sepse mjetet që përdorën nga ta do të jenë të kalibruara. “Me këtë veprim, ne sot edhe një herë po dëshmojmë gatishmërinë politike dhe institucionale për ngritjen e nivelit të zbatueshmërisë së ligjit, në funksion të rritjes së sigurisë në rrugët e Republikës së Kosovës, si dhe për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë ndaj të gjithë ngasësve të veturave në Republikën e Kosovës”, tha ministri Shala. Ndërsa, kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejza, tha se këta dy laboratorë ndikojnë në punën e përditshme të policisë dhe e rrisin besueshmërinë e matjeve edhe në konteste gjyqësore. “Sepse matjet që i kryen Agjencia e Metrologjisë janë profesionale dhe janë laboratorë të sofistikuar, që janë kompletuar me infrastrukturë moderne”, tha Fejza. E drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Qalaj, tha se policia tash e tutje do t’i shfrytëzojë institucionet shtetërore për kalibrimin e mjeteve të tyre të punës. “Edhe në të kaluarën edhe sot jemi duke punuar me instrumente të kalibruara dhe testuar, mirëpo i kemi shfrytëzuar shërbimet e operatorëve privat të kontraktuar. Tash këto shërbime do t’i kryejmë në institucione shtetërore dhe sigurisht me një kosto shumë më të lirë”, tha Qalaj.

Kontrolloni gjithashtu

Në Sllatinë të Epërme të Vitisë u përkujtua dëshmori Njazi Rexhepi dhe u shënua dita e shkollës

Sot, në Sllatinë të Epërme të Vitisë, u shënua dita e shkollës dhe u përkujtua …